Unë jua kam thënë edhe më parë se sa shumë e admiroj mikun tim pastor Erik Denton, i cili çdo të diel në mbrëmje çon një grup në Los Anxhelos për të ushqyer njerëzit në rrugë dhe për të shpërndarë xhaketa te ata që kanë nevojë të jenë ngrohtë. Por mbrëmja e një dhjetori ishte e veçantë.
Një burrë po qëndronte vetëm në rrugë duke përfunduar darkën e tij kur pastor Eriku iu afrua atij dhe e pyeti nëse ai do të donte ta kishte xhaketën që Eriku kishte veshur. Burri pa sikur kishte fituar lotarinë kur Eriku hoqi xhaketën e ngrohtë dhe e ndihmoi atë ta vishte.
Por më pas ndodhi diçka e bukur. Duke vendosur dorën në supin e Erikut, burri e befasoi atë duke i thënë: “Unë kam një djalë që është 25 vjeç. Çdo ditë kam pyetur veten se çfarë mund t’i dhuroja për Krishtlindje. Mendoj se kjo xhaketë do t’i bëjë. Do të jetë një dhuratë e përkryer për Krishtlindje.”.
Ndërsa ai largohej, Eriku mendonte se djali i tij nuk do ta dinte kurrë çmimin që babai i tij do të paguante atë dimër për atë xhaketë… dhe nuk ka asnjë dhuratë tjetër që do t’ia kalonte asaj dhurate për nga vlera e dashurisë.
Ngjason shumë me dhuratën e Krishtlindjes së Jezusit për ne. Jezusi qe i gatshëm të vinte si një foshnjë i pashpresë, ta jetonte jetën siç e jetojmë ne dhe më pas të hiqte rrobën dhe të vdiste nga një vdekje munduese në kryq për të paguar mëkatet tona.
Bibla na thotë: “Sepse, me anë të hirit jeni të shpëtuar, nëpërmjet besimit; dhe kjo jo prej jush, por është dhurata e Perëndisë.” (Efesianëve 2:8). “Le ta falënderojmë Perëndinë për dhuratën e tij të papërshkrueshme.” (2 Korintasve 9:15).