Mund të shijojmë edhe pak nga stina e mrekullueshme e vjeshtës. Tani që ajo shfaqet në plotësinë e saj, ne e shohim më shpesh ngjyrën e kuqe dhe të artë, sidomos nëpër rrugët ku ka pemë. Mëngjeset nuk janë ende aq të ftohtë sa të dimrit, por ndihen akoma të butë dhe ndonjëherë edhe të mjegullt. Reshjet e para të shiut kanë nisur dhe ne kemi filluar të shijojmë veçantinë e kësaj periudhe . Kur mendon për vjeshtën, përveç shëtitjeve në ajër të pastër dhe gjetheve që ndryshojnë ngjyrë e mbushin rrugët , mendja të shkon edhe tek shtëpia. Kujt nuk i pëlqen të kthehet në një shtëpi të ngrohtë që përcjell rehati? Për të gjithë ata që dëshirojnë të kenë praninë e stinës së vjeshtës në shtëpitë e tyre, do të ndajmë një material ku tregojmë disa nga mënyrat me anë të së cilave mund të bëjmë ambientin ku qëndrojmë një vend të këndshëm dhe të ngrohtë.
1.Mbushe shtëpinë me ngjyra të ngrohta
Ngjyra kafe, e kuqja dhe e arta janë tipare dallues të kësaj stine. Duket se ka diçka qetësuese kur e shohim që rrethohemi nga ngjyra të tilla. Nëse i përfshijmë këto ngjyra në ambientin tonë, kjo mund të jetë një mënytrë perfekte për t’u relaksuar, ndërkohë që stinët vazhdojnë të ndryshojnë bashkë me motin. Nëse nuk dëshironi që të lyeni muret dhe të ndryshoni ngjyrën që tanimë keni, ju mund t’i shtoni këto ngjyra edhe përmes objekteve, ose përmes jastëkeve që mund të vendosni mbi divanët tuaj për t’u shtuar atyre ngjyra tipike të kësaj stine.
2.Aromat e vjeshtës përmirësojnë ndjeshëm humorin
Aroma krijon ndjesi që janë të vështira për t’u harruar. Rreth 73 % e njerëzve mendojnë se aromat janë ato që kanë më shumë rëndësi në vjeshtë. Qirinjtë e aromatizuar mund të sjellin më së miri aroma të ndryshme brenda shtëpisë suaj. Është e këndshme të jesh në një shtëpi që ka aromë kungulli ose molle të ngrohtë, dru sandali, apo karamel. Këto lloj aromash e bëjnë shtëpinë të ketë një ndjesi qetësie. Merrni kohën tuaj për të menduar se çfarë arome preferoni më shumë dhe mbusheni shtëpinë tuaj me këto ndjesi të mrekullueshme. Nëse dëshironi, edhe mund t’i personalizoni qirinjtë dhe të krijoni dizajne unikë që do t’i shtojnë akoma më shumë bukuri ambientit.
3.Vendosni në kornizë fotot që keni bërë në vjeshtë
Zëvendësoni disa prej fotove që keni në shtëpi me ato që keni bërë në stinën e vjeshtës, qoftë edhe në vitet e kaluara. Këto foto familjare do të risjellin jo vetëm kujtime të bukura por do të rikthejnë vëmendjen tënde tek stina e mrekullueshme e vjeshtës.
4.Shijoni
Shijet e ushqimeve që gjenden në këtë stinë janë më të forta, dhe zgjasin më shumë. Shije të tilla si : kanella, xhenxhefili, arrëmyshku dhe kungulli, gjenden kudo. Shumë prej nesh mund të preferojnë një çaj jeshil, me pak xhenxhefil të prerë në feta dhe të ëmbëlsuar me mjaltë. Është qetësues dhe i ngrohtë, trajtimi i përsosur e i këndshëm pas një dite të gjatë.
5.Dekoroni shtëpinë
Mos kini frikë të sillni dekorime në shtëpi. Kungujtë, mollët dhe shegët nuk kanë përse të shërbejnë vetëm si ushqime por edhe për të sjellin në ambientin tuaj më shumë vjeshtën. Në derën e jashtme mund të vendosni një vazo të madhe e cila mban disa lule të sezonit, që mund t’i ndërroni herë pas here.
6.Prekni materiale që dhurojnë butësi
Të gjitha shtrojat e lehta dhe të buta që gjenden në shtëpinë tonë duket se kanë një rol të rëndësishëm sapo futet vjeshta. Nëse mbështillemi me to, shijojmë një çaj dhe lexojmë një libër të mirë ndërkohë që kemi lënë pak hapur dritaren për të ndjerë se si puhiza e ftohtë që vjen nga jashtë e freskon shtëpinë në pak sekonda, ne mund të shijojmë një kohë të mirë dhe qetësuese.
7.Dëgjoni tingujt
Mund të hapësh derën apo dritaren për të parë jashtë, ose thjesht të shëtisësh. Dëgjo se si këndojnë zogjtë, si thyhen gjethet nën këpucë e si gjurmët e tua shënjojnë rrugën që ke lënë pas. Mundohu të dëgjosh fëshfërimën që le pas puhiza e ftohtë që shkon përmes pemeve.