A keni pasur ndonjëherë dikë të besuar – dikë që e dinit se mund të mbështeteni kur jeta juaj ishte e mbushur me sfida dhe stuhi? A keni luajtur ndonjëherë sport dhe keni pasur ndonjë shok skuadre që e dinit se mund ta fitonte lojën për ju, pa marrë parasysh sa larg fitores ishit? A ju ka ndodhur ndonjëherë që dikush të përmbushë nevojën tuaj më të madhe kur nuk e prisnit fare?
Pikërisht kur mendojmë se kemi kapur fundin, Zoti fillon një punë të re në jetën tonë. Pikërisht kur mendojmë se jeta jonë është një rrëmujë e vërtetë saqë as Zoti nuk mund ta zgjidhë, Ai na shpengon nga rrëmuja.
Hiri i Perëndisë na jep besim, sepse Ai bën gjëra në jetën tonë që ne nuk mund t’i bënim kurrë. Ai na transformon dhe na ndryshon në krijesa të reja. Ai i merr rrëmujat që bëjmë dhe i shndërron në vepra arti. Dhe vjen një ditë që, ne nuk jemi më njerëz të pafuqishëm, pa shpresë ose qëllim – por bëhemi njerëz me vizion, që vrapojmë në rrugën e përsosur që Perëndia ka për ne.
Pali e dinte këtë të vërtetë më mirë se çdokush tjetër. Para se të vinte te Krishti, ai ishte një njeri i keq, një vrasës dhe një hipokrit. Rendte pas ligjit dhe nuk dinte asgjë për hirin. Por Zoti e transformoi aq shumë jetën e Palit, sa ky aristokrat i devotshëm u bë zëdhënësi i Zotit në krijimin e kishës së re. Pali kaloi nga persekutimi i të krishterëve në ecjen krah për krah me ta.
Sot, ndërsa mendoni për ndryshimin që Perëndia ka bërë në jetën tuaj, lavdërojeni Atë për punën që ka bërë në ju. Ai ju shpëtoi nga vdekja e përjetshme. Ai pastroi njollat e mëkatit nga zemra jote. Dhe tani Ai ka një plan të mrekullueshëm për të ardhmen tuaj – thjesht shikoni premtimet e Tij të mrekullueshme për ju në Fjalën e Tij (shihni Filipianëve 1:6; 1 Pjetrit 1:3-4; Vajtimet 3:21-23; Zbulesa 21).
Lutje: Zot, faleminderit që më solle nga vdekja në jetë. Hiri Yt është më se i mjaftueshëm për të më transformuar. Hetoje zemrën time dhe më trego ato që Ti dëshiron të ndryshosh tek unë . Në emër të Jezusit, lutem. Amen.
“Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to.” (Efesianëve 2:10).