Lutja e një personi që është duke kaluar kohë shumë të vështira është përdorur nga Margaret Becker dhe Keith Getty ,si tekst kënge. Ja dhe refreni:
Jezus, pranë më qëndro
Kur eci nëpër stuhi;
Në këtë rrugë më ke thirrur,
Të të ndjek, dhe kur forca më ka braktisur.
Shumica prej nesh e dinë se Zoti i lejon vështirësitë në jetë për një arsye – të paktën e dimë në teori, por kur detet e jetës trazohen, qëndrimet tona ndonjëherë mund të tregojnë se nuk e besojmë këtë të vërtetë.
Në librin e saj të mirënjohur devocional “Burime në shkretëtirë”, zonja Charles Cowman shkruan për sprovat, se “Ato janë malet [e Zotit]. Që Ai vetë i ka krijuar.”
Por është një frazë në vargun e fundit të këngës që i flet veçanërisht zemrës sime. E cila thotë,
Leri thesaret e sprovës, në mua të formohen….
“Thesaret e sprovës”. Imagjinoni t’i quani sprovat thesar. Thesari është diçka e vlefshme, e kushtueshme dhe diçka e çmuar. Apostulli Pal thotë pothuajse të njëjtën gjë kur i quan sprovat tona «lavdi të përjetshme». Ai shkruan: “prandaj nuk na lëshon zemra;.…. Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie;” (2 Korintasve 4:16-17).
Një nga thesaret që sprovat krijojnë brenda nesh është qëndrueshmëria. Jakobi tha: “Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet,duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri.” (Jakobi 1:2-3). Qëndrueshmëria është vendosmëria për të vazhduar dhe për të mos hequr dorë.
Apostulli Pal na thotë se,” Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngimet, duke ditur që shtrëngimi prodhon këmbënguljen, këmbëngulja përvojën dhe përvoja shpresën.” (Romakëve 5:3-4).
Të gjithë kalojmë periudha testimi dhe sprovash. Zoti zhvilloftë në ne, thesare prej kohërave të vështira.