Ai, pra, që di të bëjë të mirë edhe nuk e bën, atij i është mëkat. Jakobi 4:17
Sa shpesh e keni dëgjuar frazën: “Ai thjesht nuk mund të thoshte jo!” ose versionin femëror të kësaj që është: “Ajo dinte më mirë sesa kaq. Nuk është kjo mënyra se si ajo është rritur!” Cili është problemi? A ishte ajo që bëri individi, apo mungesa e disiplinës që solli përballjen me një situatë të cilën personi e dinte se ishte e gabuar?
Disiplina është e nevojshme, ose më saktë vetë-disiplina, ajo lloj disipline që ju mban larg mëkatit.
Përvoja ime duke punuar me njerëzit më çon në përfundimin se shumica e njerëzve që e gjejnë veten në rënie morale, nuk janë të verbër të shohin se çfarë janë duke bërë. Evërtetë, ata i dinë pasojat, por ata thjesht nuk kanë vetë-disiplinën e nevojshme për të mbyllur derën e tundimit.
Cilat janë pasojat e vetë-përmbushjes në krahasim me ato të vetë-disiplinës? Një familje e shkatërruar, besim i thyer, një bashkëshort që nuk ju beson më, humbja e respektit ndaj vetes, ose të dorës disiplinuese të Perëndisë.
Ju jeni të lirë të merrni vendimet që doni dhe të bëni zgjedhjet që ju pëlqejnë, por ju nuk mund t’i kontrolloni pasojat e zgjedhjeve tuaja. Për ata që janë bijtë e Perëndisë, jo vetëm jeta i jep një disiplinë të ashpër, por edhe Perëndia. “Hej,” mund të thoni ju: “Mendova se Perëndia ishte një Perëndi i dashur.” Ai është. Pikërisht për këtë arsye Ai i disiplinon fëmijët e Tij.
Libri i Hebrenjve nga Testamenti i Ri thotë: “dhe keni harruar këshillën, që ju drejtohet juve porsi bijve: ‘Biri im, mos e përçmo ndreqjen e Zotit dhe mos e humb zemrën, kur ai të qorton, sepse Zoti ndreq atë që do; dhe fshikullon çdo bir që ai pranon’” (Hebrenjve 12:5,6). “Më mirë të krasitet për t’u rritur,” tha Xhon Trep: “sesa të pritet për t’u djegur.” Kjo është e vërtetë.
Perëndia e përdor disiplinën për të tërhequr vëmendjen tuaj, për t’ju ndihmuar ju të kuptoni që duke vazhduar në rrugën në të cilën jeni do të shkoni drejt shkatërrimit.
Hapi i parë është të ndryshoni qëndrimin tuaj. Është ajo çka Bibla e quan pendim. Është emocioni i thellë që ju bën të kuptoni se keni qenë duke luajtur me zjarrin, dhe se është koha për ndryshim, dhe sa më shpejt.
Hapi i dytë është ndryshimi i veprimeve tuaja. Është e rëndësishme të kuptoni vendimi për të vepruar në mënyrë të drejtë do t’ju sjellë ndihmën e Perëndisë të cilën nuk e keni pasur. Jo, nuk i bën Perëndia gjërat në vendin tuaj, por duke ditur se Ai është në gjendje t’ju japë zgjidhjen që ju mungon, dhe forcën e Tij për dobësitë tuaja, e bën më të lehtë të bësh gjënë e duhur edhe kur është e dhimbshme. ” Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por forcë, dashurie dhe mendjekthjelltësie (2 Timoteut 1:7). Pyetje: Kush na jep fuqi, dashuri, dhe vetë-disiplinë? Perëndia. A ja keni kërkuar Atij këtë? Vetë-disiplina jo vetëm që na mban larg tundimit, por gjithashtu na sjell shumë fitime shpirtërore. Mbani mend, ju mund të zgjidhni të bëni çfarë të doni, por çdo zgjedhje ka pasoja, si negative ashtu dhe positive, është në dorën tuaj të zgjidhni se cilat pasoja doni të shmangni.