Të lidhësh të fortin!

Megjithatë mos u gëzoni për këtë se po ju nënshtrohen frymërat, por gëzohuni më shumë se emrat tuaj janë shkruar në qiej.  Luka 10:20

Kur Jezusi u akuzua nga farisenjtë për dëbimin e demonëve me anë të fuqisë së djallit, Ai i përballi ata me një pyetje: “Në qoftë se Satani dëbon Satanin, është përçarë në vetvete, si mund, pra, të qëndrojë mbretëria e tij” (Mateu 12:26). Siç bënte shpesh, Jezusi iu kishte bërë atyre një pyetje retorike që i detyronte ata të dilnin në një përfundim. Më pas Ai iu bëri atyre një pyetje tjetër të vështirë: “Si mund të hyjë dikush në shtëpinë e të fortit dhe t’i grabisë plaçkat e tij, po të mos e ketë lidhur më parë të fortin? Dhe atëherë do t’ia grabisë shtëpinë” (Mateu 12:29).

Një nga arsyet pse Jezusi i bëri njerëzit të ndiheshin në siklet ishe që Ai t’i shkonte në thelb çështjes. Ai nuk i minimizonte gjërat apo ta thoshte me ëmbëlsi mesazhin e Tij thjesht për të pasur diçka për të folur me turmat. Në këtë rast Ai bëri një vijë duke e vendosur Perëndinë në njërën anë dhe Satanin ose djallin në anën tjetër. Ai tha se veprat e Tij ishin ose nga Perëndia ose nga djalli, dhe që vetë natyra e njeriut kërkonte që ai të pranonte se Perëndia e kishte përballur atë me të vërtetën.

Jezusi ua mësoi shumë qartë që bota jonë, bota e kompjuterëve, e-maileve, e ilaçeve çudibërëse dhe e udhëtimeve hapësinore, është tashmë nën sundimin e dikujt. Perëndia e ka pohuar që është nën sundimin e djallit, “princit të pushtetit të ajrit”, siç e përshkruan Pali atë. Sipas Shkrimit, thelbi është ky, që bota dhe jeta juaj është fushëbeteja e frymërave dhe e vdekatarëve ose atyre që jetojnë në mish. Edhe Perëndia edhe djalli duan t’ju kenë. Është një betejë frymërore, dhe djalli është ai që humbet.

“Lidh të fortin” ishte fraza që Jezusi përdori. Ai po thoshte këtë: “Mos i jepni atij asnjë centimetër, asnjë milimetër të jetës suaj.”. Pyetja që kam është kjo: A ka ndonjë fushë në jetën tuaj ose në mendjen tuaj ku ndiheni sikur ju kanë lidhur frymërisht, ose që e dini se nuk është mirë? E thënë ndryshe: A ndonjë gjë në jetën tuaj nga e cila do të donit të ishit të lirë, por ndiheni të pafuqishëm që të dilni në sipërfaqe me forcat tuaja?

Nëse përgjigja juaj është PO, çfarëdolloj mendimi që ju erdhi në mendje është një fushë me të cilën duhet të merreni, qoftë ajo një vetëkontroll i keq, varësi seksuale, pornografi, drogë apo mosbesim. “Këshilla e Jezusit ishte: ‘Lidh të fortin!’”. A mund ta bëni këtë? Pa dyshim që po. “Në të vërtetë ju them se ç’të keni lidhur mbi tokë do të jetë lidhur edhe në qiell; dhe ç’të keni zgjidhur mbi tokë do të jenë zgjidhur edhe në qiell” (Mateu 18:18).

Kur filloi shërbesën e Tij në Nazaret, Jezusi citoi fjalët e Isaias, duke thënë se shërbesa e Tij ishte të përmbushte atë që profeti Isaia kishte shkruar: “ Fryma e Zotit, Zoti, është mbi mua, sepse Zoti më ka vajosur për t’u dhënë një lajm të mirë të përulurve; më ka dërguar të lidh plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer, t’u shpall çlirimin atyre në robëri, hapjen e burgut të burgosurve” (Isaia 61:1). E vutë re pjesën për çlirimin? Kjo është puna e Perëndisë kur Ai, si personi më i fuqishëm dhe më i dashur, merr në pushtet territorin që Satani ka sunduar.

Kur lidhni dikë, ju kufizoni ndikimin ose kërcënimin e tij. Nuk e shkatërroni apo asgjësoni atë, por e ktheni në të parrezikshëm ose të pafuqishëm. Fuqia e Perëndisë në ju është shumë më e madhe se sa fuqia e armikut jashtë. Mos e harroni asnjëherë vargun 4 te Letra e Parë e Gjonit kapitulli 4, që thotë: “…ai në ju është më i madh se ai në botë.”.

Thelbi i çështjes: Shumë nga ne kemi nevojë ta ushtrojmë fuqinë frymërore që Perëndia synon ta përdorim, të lidhim të fortin, duke çliruar ato zakone ose fusha në jetën tonë që me të drejtë i përkasin Zotit. Mos kërkoni më pak se më të mirën e Perëndisë në jetën tuaj. Lidheni të fortin dhe lejojeni fuqinë dhe praninë e Perëndisë ta pushtojë atë pjesë tuajën që me të drejtë i përket Atij. Do të gëzoheni kur ta bëni këtë.

Ndani përshtypjet tuaja me ne

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
Rreth Dr. Harold J. Sala

Folësi, autori dhe mësuesi i Biblës Dr. Sala, ka themeluar Guidelines në vitin 1963. Programi i tij i përditshëm Koment për jetën, dëgjohet në mbarë botën në gjuhë të ndryshme. Sala është autori i 60 librave në 19 gjuhë të ndryshme. Ai flet dhe mëson shpesh në konferenca dhe seminare në kishat në mbarë botën.


Free!

REGJISTROHUNI