Isaia Kapitulli 1, vargjet 18-20: “Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi. Në rast se jeni të gatshëm të bindeni, do të hani gjërat më të mira të vendit, por në rast se refuzoni dhe rebeloheni, do t’ju përpijë shpata”, sepse goja e Zotit ka folur.”
Këto vargje së bashku, shtrojnë para nesh dy mundësi. Perëndia, në hirin e Tij, ka paracaktuar që ne të përjetojmë jetën dhe mirësinë në Të. Ai ka bërë një rrugë që kjo të jetë e mundur, edhe pse ne jemi mëkatarë. Ai ka bërë një rrugë që mëkati ynë, edhe sikur të jetë i kuq flakë, të bëhet i bardhë si bora, edhe sikur të jetë i kuq i purpurt, të bëhet si leshi, me anë të hirit të Tij.
Nëse ne heqim dorë nga mëkatet tona dhe e vëmë besimin tonë tek Ai, atëherë mund të përjetojmë mirësinë e Tij dhe të ecim në bollëkun e Tij. Mundësia e dytë, është të refuzojmë rrëfimin e mëkateve tona, të refuzojmë pendimin për mëkatet tona, të rebelohemi kundër Perëndisë dhe të jetojmë në mëkat. Ja se cfarë gjuhe përdor Isaia 1:20: “do t’ju përpijë shpata.” Gjuhë jashtëzakonisht serioze dhe e rëndë.
Duke u bazuar në këtë tekst, unë nxitem të shoh jetën time dhe t’ju inkurajoj që edhe ju të shihni jetën tuaj. Le të bëjmë disa pyetje para se të lutemi: Për cfarë duhet të pendohemi? Në cfarë mëkati po jetoj unë? Në cfarë mëkati po jetoni ju?
Perëndi, le të mos thuhet për ne se refuzuam të pendohemi dhe se u rebeluam kundër Teje. Perëndi, na ndihmo të jemi të sinqertë me Ty, në lidhje me mëkatet tona. Na ndihmo të rrëfejmë mëkatet dhe të të hapim zemrën Ty. Na ndihmo ta shohim mëkatin për atë që është, ta rrëfejmë atë dhe të largohemi prej tij. Ne duam që, nëse mëkati ynë është i kuq, të bëhet i bardhë si bora. Faleminderit, Perëndi, për hirin Tënd dhe për faljen e mëkateve tona. Kur ne i rrëfejmë mëkatet tona, sic thuhet tek E para e Gjonit 1:9, Ti je besnik që të na i falësh mëkatet dhe të na pastrosh nga paudhësitë. Faleminderit, Perëndi! Na ndihmo të jetojmë në pendesë vazhdimisht, duke u larguar prej mëkatit dhe duke përjetuar mirësinë Tënde.
Perëndi, na ndihmo të largohemi nga mëkatet. Na ndihmo të pendohemi. Na ndihmo që, sa herë të jemi afër një mëkati, të largohemi me shpejtësi. Kur ne biem, Perëndi, na pastro dhe na fal. Zot, ne duam të përjetojmë mirësinë që Ti ke planifikuar për ne dhe të falenderojmë për hirin Tënd. Në emër të Jezusit ne lutemi, Amen.