Në kohë të pranueshme unë të dëgjova dhe në ditë shpëtimi të ndihmova. 2 Korintasve 6:2
Për shumë vite C. S. Ljuis, profesori i ndjerë i letërsisë angleze në Universitetin e Kembrixhit, ishte skeptik për krishterimin. Por me kalimin e kohës ai u bë një besimtar i Jezus Krishtit dhe një nga apologjetët drejtues të krishterimit ose mbrojtësit e besimit. Ljuisi ishte një shkrimtar me shumë ide, i cili e kishte qejf humorin dhe sarkazmën.
Në një nga librat e tij më të njohur, Letrat e Skrutejpit, Ljuis përshkruan një demon në ferr me emrin Skrutejp, që i shkruan nipit të tij Uërm’ud. Xhaxha Skrutejpi vazhdimisht i tregon nipit të tij se si të jetë një demon më i mirë dhe të bëjë një punë më të paqtë duke shkatërruar njerëzit mbi tokë. Në një nga letrat e tij, xhaxha Skrutejpi – mos harroni që është një demon në ferr – i jep këshillën e mëposhtme Uërm’udit duke i treguar se si t’i mashtrojë njerëzit në tokë:
“I dashur Uërm’ud: Puna jonë është t’i largojmë ata (domethënë njerëzit) nga përjetësia dhe nga e tashmja. Duke pasur parasysh këtë, ndonjëherë ne e tundojmë njeriun (le të themi një vejushë ose një studiues) që të jetojë në të shkuarën. Është akoma dhe më mirë nëse e bëjmë të jetojë në të ardhmen. Me pak fjalë, e ardhmja është ajo që ka të bëjë më pak me përjetësinë. Është plotësisht pjesa më e përkohshme e kohës.”
Megjithëse është e dyshimtë që ndonjë demon t’i ketë shkruar ndonjëherë nipit të tij mbi temën e mashtrimit të njerëzve, komentet e Ljuisit kanë shumë për të thënë. Ai thekson një të vërtetë reale duke sugjeruar se ekziston një djall më i padukshëm që është më shumë se sa trillim i imagjinatës. Por, siç e thotë edhe Shkrimi, ai është armiku i shpirtrave tanë.
Sërish, Ljuisi ka të drejtë kur thotë se puna e djallit është të na bëjë të përqendrohemi në të shkuarën dhe në të ardhmen, por jo në të sotmen dhe në përjetësinë. Pse është kështu? Ka një arsye të mirë për këtë. Kur jetoni në të shkuarën, nuk bëni asgjë për jetën tuaj sot. Nga ana tjetër, kur jetoni në botën e ëmbël të së nesërmes, ju e mbyllni jetën tuaj ndaj të SOTMES. Dhe pasi është thënë kjo, e sotmja është koha e vetme që ju mund të bëni diçka për të ardhmen.
A keni njohur ndonjëherë dikë që ka jetuar në të shkuarën? Është e lehtë për atë person të moshuar që të hapë kalendarin e kohës dhe të rijetojë kujtimet e ditëve të shkuara. Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e të rinjve jetojnë në ëndrrat e të nesërmes – çfarë do të bëjë. Të dy ekstremet jua heqin mendjen nga e tashmja. Jezusi na mësoi se nuk duhet të jetojmë as në të shkuarën dhe as në të ardhmen, por Ai na nxiti që ta jetojmë të sotmen plotësisht në dritën e përjetësisë. Ai thotë se meraku juaj kryesor në jetë nuk është që të shqetësoheni për faturat, për pamjen e jashtme apo për atë që mund të ndodhë nesër.
Shqetësimi të heq energjinë dhe forcën frymërore. Bibla thotë se Perëndia i di tashmë gjërat që ju keni nevojë edhe para se t’ia kërkoni Atij. Sa për jetën tuaj sot, Krishti thotë: “Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij dhe të gjitha këto do t’ju shtohen” (Mateu 6:33). Miqtë e mi, mos u shqetësoni, pra, për të nesërmen. E nesërmja mund të kujdeset vetë për veten. Çdo dite i mjafton pikëllimi i vet.
Duke iu referuar njerëzve të konsumuar nga mendimet për të nesërmen, Pali shkroi: “Në kohë të pranueshme unë të dëgjova dhe në ditë shpëtimi të ndihmova” (2 Korintasve 6:2). E nesërmja është e pasigurt – ju nuk e rrokni dot. Kur dielli perëndon, ju nuk mund ta ktheni pas orën sepse e shkuara është një kapitull i mbyllur. Por e sotmja është e juaja që ta përdorni për lavdinë e Perëndisë. Përdoreni me urtësi, miqtë e mi, sepse është dita e vetme në të cilën ju mund të bëni diçka.