Thuajse çdo pajisje shtëpiake vjen me një manual udhëzimesh. Megjithëse zakonisht ne përpiqemi të mësojmë se si ta përdorim pajisjen pa u konsultuar me udhëzimet, nëse vërtet ngecim, si zgjidhje e fundit na mbetet t’i referohemi manualit.
A nuk do të ishte ndihmë nëse fëmijët do të vinin me një manual? Në një farë mënyrë ashtu vijnë, sepse Bibla na jep këshilla të mira për rritjen e fëmijëve. Ne kemi vargje të tilla si Fjalët e Urta 22:6: “Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.”, ose Kolosianëve 3:21: “Ju, etër, mos provokoni për zemërim bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra.”, ose Ligji i Përtërirë 6: “Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj… do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh” (vargjet 6 dhe 7).
Nipi ynë, Kristiani, gjeti një shprehje të bukur të cilën e shkroi në një kartolinë për Ditën e Nënës që t’ia jepte nënës së tij. Në të shkruhej: “Fëmijët nuk vijnë me manual, por vijnë me një nënë.”. Më pas ai shprehu vlerësimin e tij për të gjitha gjërat që nëna e tij kishte bërë për të. Po, plani i Perëndisë përfshin një nënë.
Bibla e përshkruan nënën si një ngushëlluese (Isaia 66:13) dhe si një që ushqen dhe kujdeset për fëmijët e saj (1 Thesalonikasve 2:7). Ne nënat jemi shumë posesive ndaj fëmijëve tanë. Ju nuk do të donit të takonit një nënë fëmijët e së cilës janë keqtrajtuar dhe janë akuzuar padrejtësisht. Një varg te 2 Samuelit flet për luftëtarët që ishin “të egërsuar në kulm, si një arushë në fushë, të cilës ia kanë marrë këlyshët” (17:8). Qëndroni larg saj!
Në të vërtetë, fëmijët nuk vijnë me manual udhëzimesh. Por Perëndia na ka dhënë nënat në vend të manualeve. Falënderojeni Atë sot për nënën tuaj.