“Por në çdo gjë e rekomandojmë veten tonë si shërbëtorë të Perëndisë në shumë vuajtje, në shtrëngime, në nevoja, në ngushtica, në rrahje, në burgosje, në kryengritje, në mundime, në të pafjetura, në agjërime, me pastërti, me njohuri, me durim, me mirësi, me Frymën e Shenjtë, me dashuri jo të shtirur, me fjalën e së vërtetës, me fuqinë e Perëndisë, me armët e drejtësisë në të djathtë dhe në të majtë, në lavdi dhe në çnderim, me emër të mirë dhe me emër të keq; si gënjeshtarë, por të vërtetë; si të panjohur, por të njohur; si njerëz që vdesin, por ja, jetojmë; si të ndëshkuar, por jo të vrarë; si të brengosur, por gjithmonë të gëzuar; si të varfër, por shumë veta i bëjmë të pasur; si njerëz që s’kanë kurrgjë, por kanë gjithçka.” 2 Korintasve 6:4-10
Edhe tani, Perëndia po bën që të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për të mirën tuaj.
Kur të vij fundi, çdo sy do të shohë bukurinë e jashtëzakonshme të Krishtit. Çdo gju do të përulet përpara Tij; çdo gjuhë do të rrëfejë se Ai është Zot. Por kurrë nuk do ta prisnit këtë nëse do të gjykonit Jezusin vetëm nga fillimet e Tij si një foshnje në Betlehem.
Për besimtarët në këtë anë të qiellit, i njëjti parim është i vërtetë. Në sytë e botës, mund të konsiderohemi si “gënjeshtarë… të panjohur… të varfër… që nuk kanë asgjë” (vargjet 8-10). Por në të Vërtetën, ne njihemi nga Perëndia, jemi të gjallë në Krishtin, gjithmonë të gëzuar, të pasur me bekime shpirtërore dhe duke zotëruar gjithçka.
Disa prej jush mund të jenë të hutuar nga rrethanat tuaja të tanishme, ashtu si ishte e çuditshme për Mbretin e mbretërve të lindte në varfëri. Mund të jeni të zhgënjyer me atë që po ndodh në jetën tuaj, duke u ndjerë të habitur, të frikësuar ose të dëshpëruar. Por mos bëni gabimin të gjykoni fundin nga fillimi. Kujtoni të gjitha ato që janë tuajat në Krishtin.
Perëndia nuk ka mbaruar ende punë me ty. Ai vazhdon të përdorë “gjërat e marra të botës për t’i turpëruar të fortët” (1 Korintasve 1:27). Prandaj sot, besoja Perëndisë drejtimin e jetës tënde. Edhe tani, Ai po bën që të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për të mirën tuaj. Edhe tani, Ai po ju shndërron “në shëmbëllimin e tij, me lavdi gjithnjë e më të madhe” (2 Korintasve 3:18).
Lutje: Faleminderit që jam me të vërtetë i gjallë në Ty, o Zot. E di që Ti je duke vepruar në jetën time, duke më ripërtërirë ditë pas dite. Uroj që t’i nënshtrohem vullnetit Tënd dhe të rritem në perëndishmëri me fuqinë e Frymës Tënde. Lutem në emër të Jezusit. Amen.