“Atëherë fjala e Zotit iu drejtua…”- Zanafilla 15:4
Autoriteti në botën tonë është po aq i rëndësishëm sa edhe ushqimi i shëndetshëm dhe ajri i pastër. Kur secili është “ligj për veten” nuk ekziston ligji; anarkia çon në kaos dhe kaosi në asgjësim. Kjo është arsyeja pse historia e njerëzimit është e mbushur me udhëheqës që kanë nxjerrë ligje me anë të të cilëve është bërë e mundur vendosja e rregullit dhe civilizimit. Nga Kodi i Hamurabit e deri te ligjet e Moisiut, nga Magna Karta e deri te kushtetuta e shtetit tuaj, ligjet e bëjnë jetën të qytetëruar. Pa ligje të caktuara thelbësore, nuk ka civilizim. Por jeta sot duket të jetë një sfidë e vazhdueshme ndaj kufijve. “Nga cili autoritet?”- pyesim ne për të sfiduar.
Edhe në fushën e fesë, çështja e autoritetit është shumë e diskutuar. Kush thotë se duhet të besoni këtë apo atë? Me çfarë autoriteti i sfidoni ju besimet dhe praktikat e zhvilluara për një kohë të gjatë? Në të njëjtën kohë, më duket se në kohët e sotme, shumë nuk kanë një autoritet për atë që besojnë. Për shembull, pse jeni një budist, ose një mysliman? Pse besoni ato që bëni?
Disa i referohen eksperiencës së tyre, duke thënë: “E ndjej në zemër!” Mëngjesin e të dielës së Pashkës, miliona besimtarë këndojnë: “Ju më pyesni si e di që Ai jeton, Ai jeton në zemrën time.” Duke mos kuptuar se ka edhe të tjerë përveç të krishterëve që e mbështesin besimin e tyre në eksperiencë dhe ndjenja. Ata që e mbështesin besimin e tyre vetëm në eksperiencë, qëndrojnë në një tokë të paqëndrueshme.
A ka një bazë faktike që përcakton se çfarë besojnë njerëzit? Për rreth 1900 vite, ka pasur një autoritet nëpërmjet të cilit meshkujt dhe femrat kishin një bazë për moralin; ky autoritet është Bibla. Vitet e fundit edhe kjo ka ndryshuar. Kur një universitet bëri një pyetësor duke pyetur: “A besoni se Bibla është Fjala e Perëndisë?” 82% e metodistëve, 81% e presbiterianëve, dhe 57% e baptistëve thanë “Jo”! Shumica e atyre që u përgjigjën e sfiduan autoritetin e Biblës.
Për fat të keq, më shumë besojnë njerëzit jashtë kishe se ata brenda, por a do të thotë kjo se disa udhëheqës fetarë dinë diçka që të tjerët nuk e dinë, apo janë mësuar nga udhëheqës të verbër?
Faktet ende pohojnë autoritetin e Biblës, pavarësisht nga disa prirje moderne të mosbesimit që e sulmojnë Atë. Çështja për autoritetin e Biblës është e dyfishtë: prova të brendshme që e mbështesin këtë autoritet, duke përfshirë atë që Bibla thotë për veten, uniteti dhe pathyeshmëria e saj; dhe prova të jashtme, të cilat përfshijnë lidhjen reciproke të profecisë me historinë, prova të shkruara me dorë, dëshmitë dhe shkenca mbështetin autoritetin e Biblës, dhe në fund teksti pragmatik- çfarë u ndodh atyre që ndjekin mësimet e saj.
Do t’ju lë me një mendim. Kjo çështje e autoritetit është thelbësore për besimin tuaj. Gjithçka që ju dini rreth Perëndisë, ato që dini për Jezus Krishtin, ringjalljen e Tij, fuqinë e Tij për t’ju shpëtuar nga mëkati, ndodhen në këtë libër, Bibla. Çështja e autoritetit Biblik nuk është një çështje rastësore për diskutim; është një çështje themelore për besimin tuaj.