Mateu 14:19, na tregon historinë e Jezusit, që ushqeu mbi 5000 njerëz. “Atëherë i urdhëroi që turmat të ulen mbi bar; pastaj i mori pesë bukët dhe dy peshqit dhe, pasi i çoi sytë drejt qiellit, i bekoi; i ndau bukët dhe ua dha dishepujve, dhe dishepujt turmave.”
Kur lexoj këtë pasazh të mrekullueshëm, mendoj për atë që ndodhi, kur Jezusi i kërkoi Atit që të shumëfishonte ushqimin, por gjithashtu, edhe për rolin që Jezusi dëshironte që dishepujt të kishin, në këtë mrekulli. Nëse thelbi i historisë do të ishte që Jezusi të na tregonte superioritetin e Tij, atëherë ai do të bënte që buka të binte nga qielli, drejt e në prehërin e njerëzve.
Njerëzit do të kishin parë, madje do të kishin kuptuar më mirë, se është Perëndia, Ai që siguron ushqimin nga qielli. Por në vend që të bënte këtë, Jezusi lutet dhe kërkon bekimin e Atit të Tij. Dhe pastaj, thërret dishepujt, që të vinin përkrah Tij. Ai nuk e ndan vetë bukën aty e këtu, por ua jep dishepujve dhe ata e shpërndajnë.
Tani, nuk na thuhet se si ndodhi kjo mrekulli. Imagjinata jonë, të paktën imagjinata ime, thjesht fillon të mendojë se si pesë bukë, menjëherë, apo dalëngadalë, sido që të ketë ndodhur, filluan të shumëfishohen nga duart e Tij, tek duart e dishepujve të Tij dhe pastaj, në duart e atyre dishepujve që po i shërbenin turmës dhe kjo është një pamje e fuqishme. Jezusi i tregon hirin dhe fuqinë e Tij, turmës së njerëzve, përmes dishepujve të Tij.
Këta dishepuj ishin zgjatimi i mëshirës dhe fuqisë së Tij, që punon në jetën e këtyre burrave dhe grave. Mendoni për këtë. Në jetën tuaj sot, në jetën time, ne jemi të rrethuar nga njerëz që kanë nevoja të ndryshme, nevoja shumë më të thella se thjesht një vakt. Jemi të rrethuar nga njerëz që kanë nevojë për dashuri, për mëshirë, për shpresë, për gëzim dhe për kënaqësi. Ne jemi të rrethuar nga njerëz që kanë nevoja dhe kemi një Perëndi që është në gjendje të plotësojë këto nevoja. Burimet e Perëndisë shkojnë përtej nevojave tona dhe Ai dëshiron që t’u shfaqë njerëzve mjaftueshmërinë e Tij, superioritetin e Tij. Si? Përmes nesh, përmes punës së duarve tona.
Dhe nuk ka përse ne të mendojmë: “Nuk kam shumë për t’iu ofruar njerëzve që më rrethojnë.” Por nuk ka të bëjë me atë që ne kemi për të ofruar. Dhe në këtë histori, nuk ka të bëjë me atë që dishepujt kishin për të ofruar. Ka të bëjë me fuqinë e Jezusit, që po punon përmes duarve të atyre dishepujve. E njëjta gjë është e vërtetë në jetën tuaj dhe në jetën time sot. Perëndia dëshiron që ata njerëz të njohin dashurinë e Tij, mëshirën e Tij, gëzimin dhe kënaqësinë e Tij. Ai dëshiron që njerëzit rreth nesh ta njohin Atë dhe mënyrën se si Ai mund të kënaqë shpirtin e tyre, mënyrën se si Ai mund të plotësojë nevojat e tyre. Perëndia na ka vënë në jetën e njerëzve të tjerë, për këtë qëllim. Jezusi është në gjendje që, jo vetëm të plotësojë nevojat më të thella të jetës sonë, por edhe ta përdorë jetën tonë me të gjitha burimet që Ai na ka vënë në dispozicion, për të plotësuar nevojat e njerëve të tjerë.
Perëndi, ne lutemi për njerëzit që kanë nevoja të ndryshme dhe e dimë se Ti Perëndi mund të plotësosh secilën prej atyre nevojave. Ti je kaq i mirë, kaq i dashur. Ti ke gjithë fuqinë, Perëndi. Ti je burimi i gëzimit të përjetshëm. Vetëm Ti, Perëndi, na jep shpresën që nuk fashitet kurrë. Perëndi, trego mjaftueshmërinë Tënde për të plotësuar nevojat e njerëzve, duke e bërë këtë përmes nesh. Sot, ne lutemi që të na ndihmosh të prekim njerëzit në nevojë, të kujdesemi për ta, t’u shërbejmë atyre, t’i drejtojmë ata tek Ti. Ne lutemi që të na përdorësh, Perëndi, në të njëjtën mënyrë që përdore dishepujt tek Mateu 14, për të plotësuar nevojat e turmave të uritura.
Ne lutemi që të përdorësh jetën tonë sot, si ndjekës të Krishtit, për të plotësuar nevojat e njerëzve rreth nesh, në shtëpi, në lagjen ku jetojmë, në vendin e punës e kudo. Sot Perëndi, na përdor ne, që ata të njohin kënaqësinë dhe mjaftueshmërinë Tënde. Në emër të Jezusit ne lutemi, amen.