Pavarësisht nga betejat tona, mund të kemi shpresë dhe të përballemi me frikën, sepse Jezusi na ka premtuar se do të jetë me ne – gjithmonë.
Mateu 17:5-7
Ndërsa Jezusi përgatitej të hynte në Jeruzalem, Ai e dinte se ditët në vazhdim do të ishin sfiduese për dishepujt. Ai tashmë u kishte thënë atyre se do të arrestohej dhe vritej dhe më pas do të ringjallej të tretën ditë (Mateu 16:21). Ndjekësit e tij do të përballeshin me sakrifica të kushtueshme (Mateu 16:24) dhe rruga përpara dukej e zymtë.
Atëherë Zoti u shpërfytyrua para Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit dhe ata e panë Jezusin bashkë me Moisiun dhe Elian. Jezusi zbuloi një botë ku Ai është mbret, ku përmbushet e gjithë shpresa e popullit hebre. Të tre dishepujt e dëgjuan Atin duke pohuar Jezusin si “Birin e Tij të dashur” ( Mateu 17:5). Vizioni ishte një dhuratë e pabesueshme shprese, por ishte edhe frikësuese. Jezusi i inkurajoi dishepujt duke thënë: “Çohuni dhe mos kini frikë” (Mateu 17: 7). Këto fjalë ishin qetësuese për momentin por edhe forcuese për persekutimin që do të vinte më pas. Shpërfytyrimi siguroi dritën që do t’u nevojitej për rrugën e errët përpara.
A mund të jetojmë edhe ne, në të njëjtën dritë? Jezusi më vonë do t’i inkurajonte dishepujt e Tij me një premtim tjetër – se Ai do të ishte gjithmonë me ta (Mateu 28:20). Të kujtuarit e premtimit të pranisë së Perëndisë na ndihmon të presim me durim dhe të kemi shpresë. Mund të mos përballemi me të njëjtin persekutim që u përballlën dishepujt, por kostoja e ndjekjes së Jezusit mbetet e lartë. Fokusimi tek Ai dhe tek mbretëria e ardhshme që u zbulua në Shpërfytyrimin na ndihmon të jetojmë një jetë pa frikë.