Duke qenë se stresohem pak kur më vijnë miq për darkë, mikja ime më dërgoi këtë këshillë: Kur fillon të ndihesh e stresuar, thjesht thuaj një nga gjërat e mëposhtme:
- “Kujt i bëhet vonë!” Ajo thotë, askush nuk i ka vënë re ndonjëherë gjërat që të bezdisin ty, si pecetat e tavolinës që nuk kombinohen, apo që peshku është pjekur më shumë seç duhet. Ata janë të fokusuar tjetërkund e nuk kanë për ta vënë re.
- “Punë e madhe!” Nëse vjen dikush dhe vë re se dhoma juaj e gjumit është rrëmujë dhe se keni pastë dhëmbësh në pasqyra, thjesht thuajini se dikush duhet ta ketë përdorur dhomën tuaj.
- “Harroje!” Kjo është e përshtatshme për atë herë kur gjithçka po shkonte mirë për darkën tuaj verore, deri në momentin që kur bie zilja e derës ju vutë re se shiu po binte mbi tavolinën tuaj të shtruar bukur.
- “Kush do ta mbajë mend pas dhjetë vitesh?!” Kjo vlen për ditën kur ti ke mbledhje me bordin, të kap një alergji dhe shpërthen në urtikarie. Kjo rutinë funksionon më mirë me më shumë qetësues.
Për çfarë ja vlen të shqetësohesh? Për një fëmijë me temperaturë – po! Për këpucët që nuk shkojnë me veshjen – jo! Se burri juaj po humbet punën – po! E ke pjekur gjellën më shumë seç duhet- epo të jemi të sinqerta, ti e dogje darkën—jo!
Jezusi i tha zonjës së shtëpisë në Bethani: “Marta, Marta, ti shqetësohesh për shumë gjëra” (Luka 10:41). E shikoni, rëndësi kanë marrëdhëniet, jo gjërat apo kryerja e tyre.
Ndonjëherë, ne jemi si një nuse e cila është aq e mërzitur që dasma e saj nuk ishte aq e përsosur sa e imagjinoi, saqë harron se ka dhëndrin! Zgjohuni! Përqafoni njerëzit që doni dhe harrojini gjërat që nuk janë të përsosura. Punë e madhe! Kujt i intereson? Pas dhjetë vitesh, askush nuk do ta mbajë mend!