Të mirëpresësh të ftuar në shtëpi mund të jetë stresuese dhe nëse nuk ke kohë, mund të të çojë deri në çmenduri. Por ja që ke premtuar se do t’i mirëpresësh të ftuarit dhe nuk tërhiqesh dot më. Ndoshta mund të kesh qenë këto kohë duke kërkuar për ide në internet sepse kreativiteti nuk është pjesë e jotja dhe situata është bërë shumë tensionuese. Ajo që ke organizuar mund të jetë një ftesë për një pasdite të kaluar së bashku, apo për një festë të madhe në shtëpi dhe të mikpresësh është më e vështirë nga sa e ke imagjinuar. Por gjithsesi një festë e suksesshme nuk kërkon domosdoshmërish gjëra ekstravagante dhe ti si organizatori, mund ta bësh eksperiencën më të këndshme duke planifikuar, deleguar dhe duke pushuar herë pas here. Ne do të ndajmë me ju 5 këshilla që e bëjnë shumë më të lehtë organizimin e një feste.
- Bëj një festë ku të gjithë sjellin ushqim me vete
Për ata që janë përtacë dhe në ankth, kjo është gjëja më e lehtë që mund të bëjnë. Kërkoju të gjithëve që të sjellin një ushqim interesant ose ushqimin e tyre të preferuar dhe në këtë mënyrë do të sigurohet një llojshmëri e madhe ushqimesh. Por gjithsesi në këtë lloj organizimi duhet të japësh udhëzime pasi mund të dështojë. Njerëzit mund të sjellin të njëjtin ushqim ose shumë ëmbëlsira dhe pak gjellëra apo e kundërta. Kështu jep udhëzime duke i kërkuar dikujt të sjellë ëmbëlsirë dhe dikujt tjetër gatimet në furrë. Edhe pse kjo mënyrë është e lehtë për tu bërë dhe nuk të kërkon të gatuash shumë mos u druaj se do të humbasësh meritat e organizatorit. Je ti ai që do të falenderohet në fund.
- Mos provo receta të reja
Mos tento që të bëhesh një hero dhe të provosh receta të reja kur gatuan për miqtë. Mund të ndodh që të mos e lexosh mirë recetën, dhe të hedhësh më shumë kripë ose sheqer. Për shembull, sapo ke parë një recetë e cila është vlerësuar goxha në internet dhe mendon se është e mirë. Por rezulton që ai kek nuk ka shije të mirë dhe ti nuk ke më kohë të gatuash një tjetër. Mund të duket si një ide e mirë të gatuash receta të reja, po mos zgjidh ta bësh.
- Planifiko
Planifiko që më parë dhe mos lër asgjë për në momentin e fundit. Për shembull duhet të sigurohesh që kafshët shtëpiake nuk do të jenë në zonën e festës atë ditë. Të sigurohesh që dikush do të kujdeset për fëmijët e vegjël dhe që nuk do të mbesni pa rezerva ushqimi apo pijesh. Gjithashtu, planifiko menynë e ushqimeve nëse nuk do të aplikosh mënyrën ku të gjithë sjellin ushqime nga shtëpia. Madje sigurohu që ushqimi do të teprojë. Ne përmendëm në fillim që mund të delegoni, kështu që kërkojuni familjarëve të bëjnë një nga punët që ata dinë të bëjnë më mirë për të të ndihmuar.
- Përgatitu për miqtë që do të qëndrojnë edhe gjatë natës
Të presësh miq që iu duhet të qëndrojnë një natë kërkon më shumë punë, por nëse të duhet ta bësh këtë gjë atëherë do të tregojmë disa këshilla. Sipas statistikave 50 % e njerëzve që kanë qenë të ftuar dhe kanë fjetur përgjatë natës e kanë përshkruar eksperiencën si jo të mirë. 40% thonë se kanë fjetur në shtresa të palara dhe se shtëpia ishte e papastër. Kështu që duhet të sigurohesh se çarçafët dhe shtëpia janë të pastra. Duhet gjithashtu të sigurohesh që ke batanije shtesë, jastëkë, peshqirë dhe shampo. Madje planifiko edhe për mëngjesin që do të kalosh me të ftuarit e tu, ai duhet të jetë i këndshëm. Dhe për t’i mirëpritur siç duhet mos iu kërko që të pastrojnë tavolinën bashkë me ty por nëse insistojnë në këtë gjë mund ti lejoni.
- Ji realist
Ne mendojmë që kjo është një nga gjërat më të rëndësishme për t’u mbajtur mend dhe ka të bëj me menaxhimin e pritshmërive të tua. Ne të gjithë kemi pritshmëri për mënyrën se si duam që të shkojë eventi. Gjithsesi, nuk është një pritje televizive kështu që mund të ndodhin edhe gabime. P.sh ushqimi mund të ftohet apo mund të jetë shumë i nxehtë. Nuk ka problem edhe nëse gjërat nuk do të shkojnë perfekt. Kur të mendosh në këtë formë tensioni do të ulet dhe ti vetë do të kalosh një kohë të mirë.
Të kënaqësh të tjerët është stresuese. Por duke u përgatitur dhe duke mësuar hiletë ti mund ta përgatisësh eventin pa qenë nevoja të stresohesh. Në fakt, mund të kënaqesh në të njëjtën kohë dhe të duash të bësh përsëri të njëjtën gjë.