Shqipëria dhe Kosova radhiten mes vendeve problematike për Lirinë e Shtypit. Në Treguesin Botëror të Lirisë së Shtypit, Organizata Gazetarët pa Kufij raporton se për vitin 2022 Shqipëria u radhit në vendin e 96-të, duke shënuar një rritje prej 7 vendesh krahasuar me një vit më parë ku ishte e 103-ta. Në raport thuhet se Prokuroria vendosi kufizime disproporcionale për mbulimin e sulmit kibernetik nga Irani. Mes 180 vendeve të analizuara Kosova radhitet në vendin e 56-të, me një përmirësim prej 5 vendesh në krahasim me një vit më parë. Më problematikja në rajon është Serbia e cila rradhitet në vendin e 91-të duke pësuar një përkeqësim me 12 vendeve. Sipas raportit mediat pro-qeveritare përhapin propagandën ruse. Ndërsa më mirë për lirinë e medias në rajonin e Ballkanit paraqitet Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Shkupi listohet në vendin e 38 dhe Podgorica në vendin e 39-të duke u pozicionuar në grupin e vendeve me gjendje “pak a shumë të mirë”, ose të kënaqshme. Maqedonia e Veriut ka pasur një rritje me 19 vende nga viti i kaluar, ndërsa Mali i Zi një përmirësim me 24 vende.
Sipas Organizatës Gazetarët Pa Kufij, përkeqësimi i situatës së luftës, shtypja, persekutimi i gazetarëve, kërcënimi nga përmbajtja e rreme dhe propaganda janë shkaqet që minojnë gazetarinë e mirëfilltë dhe profesionale. Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit arrin në përfundimin se situata është “shumë e keqe” në 31 vende, “e keqe” në 42 vende, “problematike” në 55 dhe e “mirë” ose “mjaft mirë” në 52 vende. Në raport thuhet se Liria e shtypit në Evropë është eklipsuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Sipas raportit, Kremlini krijoi një arsenal të ri mediatik kushtuar përhapjes së mesazhit të Moskës në territoret që ka marrë nën kontroll në jug të Ukrainës dhe ka marrë masa të pashembullta për të goditur median brenda Rusisë.
Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit ndalemi një moment për të kujtuar rёndёsinё qё ka liria e informacionit. Në vitin 1993, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, bazuar në nenin 19 të “Deklaratës së të Drejtave të Njeriut” mbi lirinë e shprehjes, shpalli 3 Majin si Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit. Kjo ditë shënohet çdo vit në mbarë botën duke sjell në vemendje parimet themelore të lirisë së shtypit si dhe për të vlerësuar këtë liri në mbarë botën. Gjithashtu në këtë ditë theksohet rëndësia e mbrojtjes së mediave nga sulmet ndaj lirisë së tyre dhe nderohen gazetarët që kanë humbur jetën në krye të detyrës.
Liria e shtypit është njëra nga liritë e para shoqёrore e politike dhe mungesa e saj ndikon mbi të gjitha liritë tjera themelore. Prandaj le të mbajmë në lutje të gjithë ata që punojnë në mjetet e komunikimit, në mënyrë që të flasin gjithmonë të vërtetën duke respektuar popullin të cilit edhe i shërbejnë.