Të jetosh një jetë me ndershmëri është shpesh e vështirë dhe kërkon përpjekje të mëdha. Ndershmëria nuk tregohet prej fjalëve tona, ajo nis prej mendimeve tona e duket qartë në veprimet tona.
Shpesh njerëzit mund të gënjejnë, pak apo shumë. Duket sikur ndonjëherë një gënjeshtër mund të ishte mundësia më e mirë. Kur fillojmë të gënjejmë, kjo bëhet gjithmonë e më e thjeshtë, deri sa shkojmë në një pikë ku as nuk mendojmë më për gënjeshtrën, ajo thjesht na ndodh. Gënjeshtra është bërë një zakon. Ashtu siç gënjeshtra mund të bëhet zakon, e njëjta gjë ndodh edhe me ndershmërinë.
Përfitimet që mund të kemi prej një stili jete që ka në fokus ndershmërinë mund të jenë: paqja e mendjes, marrëdhënie të besueshme, më shumë shëndet dhe mirëqenie dhe një impakt pozitiv për të gjithë shoqërinë. Niveli ynë i stresit bie, e kjo ndikon pozitivisht nivelin e serotoninës, e normalizimin e presionit të gjakut. Mbi të gjitha ne ndihemi shumë më mirë, kur praktikojmë në mënyrë të vazhdueshme ndershmërinë në jetët tona.
Ji i hapur
Atë që e sheh si të vërtetë sot, mund të mos e shohësh njësoj nesër. Ajo që ti e percepton si të vërtetë, për dikë tjetër nuk është njësoj. Duhet të mbajmë mend të respektojmë këndvështrimet e të tjerëve dhe të pranojmë se e vërteta që ti zotëron , është e bazuar mbi perspektivën tënde dhe se sa fakte ke në dorë. Mund të ketë situata ku do të shohësh vetëm majën e ajsbergut. Shumë shpesh, shumë fakte nuk janë të njohura për pjesën më të madhe të njerëzve në botë.
Tregohu i ndershëm me veten
Personi që gënjejmë më shumë është vetja jonë. Vendos një përkushtim për të qenë i ndershëm me veten tënde. Është si të shihesh në pasqyre. Duaj dhe vlerëso gjërat e mira që janë vendosur në ty, e ki vlerësim për disa nga gjërat që arrin t’i bësh siç duhet. Gjithashtu shih gabimet e tua dhe identifiko edhe fushat ku mund të bësh përmirësime. Nëse nuk arrin që të jesh i ndershëm me veten, nuk do të jesh i aftë që të jesh i ndershëm me të tjerët.
Ndërmerr një përkushtim
Merr një vendim se do të jetosh një jetë ku do të shfaqësh ndershmërinë tënde me anë të mirësisë së karakterit, integritetit dhe moralit. Nëse ka diçka që po bën dhe që do të vinte turp t’ia thoshe dikujt tjetër, atëherë me shumë mundësi kjo nuk duhet bërë. Çoje deri në fund përkushtimin tënd. E dimë se jemi njerëz, e shpesh dështojmë, por kjo nuk do të thotë të rreshtim përpjekjet tona për të arritur më të mirën.
Mendohu përpara se të flasësh
Përpara se të flasësh, apo se të ndërmarrësh një veprim, konsidero këto tre gjëra: A është e vërtetë? A është e këndshme për t’u thënë? A është e vlefshme? Nëse ndonjë prej përgjigjeve të këtyre pyetjeve është jo, atëherë është më mirë që të qëndrosh i heshtur. Të gjitha virtytet duhen balancuar. Vërtetësia pa dhembshuri mund të rezultojë në diçka të ashpër. Fol gjëra që kanë vlerë. Nëse fjalët nuk janë të sjellshme, nuk janë të vërteta, ose nuk janë të vlefshme, atëherë nuk është nevoja që të thuhen.