Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes dhe mbi çdo gjë tjetër, sepse nga ajodalin burimet e jetës. – Fjalët e Urta 4:23
Te Libri i Fjalëve të Urta 4:23 thuhet të ruash zemrën tënde me shumë kujdes sepse nga ajo dalin burimet e jetës. Mendoni pak. Çfarë është apo keni në zemrën tuaj, gradualisht do të shfaqet në jetën tuaj të përditshme. Çfarëdo që është apo keni brenda në zemër, do të dalë jashtë. Do ta gjejë rrugën për të dalë jashtë dhe të gjithë dhe çdokush
mund ta shohë.
Ndaj është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme të vëzhgojmë gjërat që lejojmë të hyjnë brenda nesh, të cilat formojnë zemrën tonë. Unë nuk dua diçka të ndyrë, mëkatare dhe egoiste të dalë jashtë dhe të dëmtojë marrëdhëniet e mia me të tjerët, dhe pa dyshim as ju nuk dëshironi.
Të ruajmë zemrën, ndër të tjera, do të thotë të mësojmë të kontrollojmë mendimet, fjalët, prirjet dhe pamjen tonë të jashtme në përgjithësi. Zakonisht ne shprehim çfarë mendojmë. Gjërat që themi ndikojnë te ndjenjat tona dhe kjo shfaqet në sjelljen tonë të përgjithshme.
Ju merrni vendime për çdo ditë se si do të përballoni vështirësitë, rrethanat, nëse do të keni paqe apo do të rrëzoheni në një situatë të stresuar. Kontrolloni mënyrën se si u përgjigjeni të tjerëve: me dhembshuri dhe mirëkuptim apo me gjykim dhe kryelartësi, veçanërisht kur nuk jeni dakord me ta!
Mund të përpiqeni të mbani mendimet e brendshme pa i shprehur ato, pa karakterizuar sjelljen tuaj. Megjithatë, unë mendoj që është më e lehtë të filloni me mendime të perëndishme, të mendoni gjëra të perëndishme. Kaloni kohë në praninë e Perëndisë dhe lejoni Frymën e Shenjtë të mbushë zemrën tuaj me mirësinë e Tij.
Lutje
Zot, unë dua që zemra ime të mbushet vetëm me mendime dhe dëshira prej Teje. Ndërsa shpenzoj më tepër kohë në praninë Tënde dhe të përqëndrohem vetëm tek Ty, unë e di që zemra ime do të ndryshojë për mirë, duke ndikuar gjithë jetën time në mënyrë të perëndishme.