Robert MekKuilkin po shërbente si president në Kolegjin Biblik në Kolumbi kur gruaja e tij, Muriela, filloi të kishte sëmundjen e alzajmerit. Dalëngadalë ajo filloi të ishte gjithnjë e më shumë konfuze, derisa në fund mund të formonte vetëm një fjali: “Të dua!”.
Megjithëse ai punësoi dikë që të kujdesej për të, pas largohej për të shkuar në punë, shpesh Muriela ecte për të shkuar atje ku ai ndodhej… një kilometër e gjysmë rrugë që ajo përshkonte, ndonjëherë edhe dhjetë herë në një ditë. Ndërsa e ndihmonte atë të bëhej gati për të fjetur mbrëmjeve, ai shihte që këmbët e saj ishin të mavijosura dhe të gjakosura.
Në fund ai vendosi që nuk mund ta mbante më punën e tij dhe të kujdesej për Murielën, ndaj hoqi dorë nga posti si president i kolegjit duke thënë: “A nuk premtova unë 42 vjet më parë, ‘në sëmundje dhe në shëndet… derisa vdekja të na ndajë’?”. Roberti u kritikua për vendimin e tij sepse njerëz të tjerë mund të ishin kujdesur për Murielën, por askush nuk mund ta zëvendësonte atë në punën e tij në shkollë. Shumë shpejt ajo nuk do ta dinte më se kush ishte ai, ndaj pse duhej të hiqte dorë ai nga shërbesa për të cilën kishte punuar aq shumë që ta çonte përpara vetëm e vetëm që të kujdesej për të?
Ai iu përgjigj atyre me këto fjalë: “Jo se më duhet ta bëj këtë. Por sepse mund ta bëj. Unë e dua shumë atë… Është një nder i madh për mua që të kujdesem për një njeri kaq të mrekullueshëm.”. Dashuria e Robert MekKuilkinit na drejton te dashuria e Jezusit. “Askush s’ka dashuri më të madhe se kjo, që të japë dikush jetën e vet për miqtë e tij.” (Gjoni 15:13).
Jezusi na deshi aq shumë sa dha jetën e Tij për ne. Ne nuk jemi gjithmonë njerëz që mund të duhen lehtë, por prapë Ai kujdeset për ne… jo sepse duhet ta bëjë, por sepse dëshiron ta bëjë nga dashuria e madhe që ka për ne.