Prandaj e quajti këtë vend Masa dhe Meriba për shkak të grindjeve që pati me bijtë e Izraelit dhe sepse kishin tunduar Zotin duke thënë: «A është vallë Zoti në mes nesh, apo jo?».-Eksodi 17:7
Ky është vargu i fundit në këtë pjesë të kapitullit 17 te Eksodi. Kjo tregon historinë e popullit të Perëndisë, ku kapituj më parë Ai kishte siguruar bukë nga qielli për ta. Kur ata ishin në nevojë për ushqim, Perëndia siguroi bukë nga qielli, mana, për t’i ushqyer ata për çdo ditë.
Në fakt, ata arritën në një vend kur ishin në nevojë për ujë dhe menjëherë filluan të grindeshin me Moisiun. Kjo është fjala që lexojmë në disa raste të ndryshme te Eksodi, kapitulli 17, “grindje”, “ankesë”. Dhe Moisiu u tha atyre në vargun 2: “Pse grindeni me mua? Pse tundoni Zotin?”.
Më pas, në vargun 3, na thuhet: “Atje populli pati etje për ujë dhe murmuriti kundër Moisiut duke thënë: «Pse na bëre të ikim nga Egjipti që të vdesim nga etja ne, bijtë tanë dhe bagëtia jonë?».”. Pra, ky ishte populli i Perëndisë. Sërish, mbani mend kontekstin. Ata ishin çliruar nga skllavëria në Egjipt. Kishin kaluar përmes Detit të Kuq në tokë të thatë. Kur ishin të uritur, Perëndia u kishte dhënë atyre ushqim nga qielli. Dhe tani, sapo u përballën me nevojën për ujë, ata po murmuritnin dhe po ankoheshin, duke mos besuar se Zoti do të siguronte për ta.
Është thuajse e lehtë për ne që të lexojmë këtë histori dhe të mendojmë: “Po ku e kishin mendjen ata? Pse nuk i besuan Perëndisë?”. Por kjo është pjesa ku duhet të shohim zemrën tonë në një pasqyrë dhe prirjen që kemi të gjithë për të harruar besnikërinë e Perëndisë. Ja pse ndodh e njëjta gjë si në kapitullin 16 edhe në kapitullin 17. Perëndia dëshiron që ta lexojmë dhe të mësojmë nga kjo histori. Do të na ndihmonin edhe kapitulli 3 i Hebrenjve dhe Psalmi 95.
Tani më lejoni t’ju lexoj pak vargun 7 te Psalmi 95. “Sepse ai është Perëndia ynë dhe ne jemi populli i kullotës së tij dhe kopeja për të cilën ai kujdeset. Sot, po të jetë se dëgjoni zërin e Tij, «mos e ngurtësoni zemrën tuaj si në Meriba, si ditën e Masas në shkretëtirë, ku etërit tuaj më tunduan dhe më vunë në provë, edhe pse i kishin parë veprat e mia”. Kjo u shkrua shumë vite pas kapitullit 17 te Eksodi. Perëndia po thotë: “Kujtoni ata që ishin para jush dhe nuk besuan tek Unë. Ata më sprovuan dhe e ngurtësuan zemrën e tyre kundër Meje.”. Ai tha: “Mos e bëni këtë.”. Dhe e gjithë tabloja është te Psalmi 95, vargu 7: “Sepse Perëndia është bariu ynë dhe Ai është besnik që të sigurojë për popullin e Tij, për delet e Tij.”.
Perëndi, na ndihmo të mësojmë sot. Unë lutem për jetën time dhe për jetën e çdo personi që po dëgjon tani. Perëndi, na ndihmo të mos e ngurtësojmë zemrën tonë ndaj Teje. Na ndihmo të mos të sprovojmë Ty, që të mos mendojmë se Ti nuk do të sigurosh, sepse Ti ke premtuar ta bësh këtë. Perëndi, vazhdimisht e vazhdimisht kemi parë në jetët tona dhe në Fjalën Tënde besnikërinë Tënde për të siguruar gjithmonë për popullin Tënd. Ndaj sot ne themi me një zemër të butë dhe të përulur para Teje: Ne besojmë tek Ti dhe lutemi që të na ndihmosh të besojmë edhe më tepër tek Ti. Zot, ne lutemi që të ndihmosh mosbesimin tonë, të na ndihmosh që besimi ynë tek Ti të rritet, që ne të mund të të njohim në mënyra më të thella sepse Ti je Perëndia që na drejton me besnikëri. Ne jemi delet e Tua. Ne jemi kopeja e kullotës Tënde dhe Ti je një bari shumë i mirë. Ne të lavdërojmë për mënyrën se si me besnikëri i ke drejtuar njerëzit e Tu brez pas brezi. Dhe të lavdërojmë që do të jesh besnik për të na drejtuar edhe sot.
Perëndi, ne lutemi për sot dhe për ditët në vazhdim që të na drejtosh dhe të na udhëheqësh. Duke qenë se kemi nevojë për urtësi, ne lutemi që të na japësh urtësi. Duke qenë se kemi nevojë për ngushëllim, lutemi që të na ngushëllosh. Duke qenë se kemi nevojë për ndihmë, lutemi që të na ndihmosh. Duke qenë se kemi nevojë për forcë, ne lutemi që të na forcosh. Dhe ndërsa lutemi për këto gjëra, ne besojmë se Ti do të jesh besnik për të siguruar të gjithë urtësinë, ngushëllimin, ndihmën dhe forcën që ne kemi nevojë. Ti do të sigurosh çdo gjë që kemi nevojë për të bërë atë që Ti na ke thirrur të bëjmë.
Ne të lavdërojmë, Perëndi, si siguruesin tonë besnik. Jezus, ne të lavdërojmë si Bariun e mirë, që ka lënë jetën e Tij për ne, për delet. Ne lutemi që të mund të të njohim si Bariun tonë. Ne të duam si Bariun tonë. Dhe lutemi për të gjitha këto në emrin e Jezusit. Amen.