Të gjithë ne kemi momente ku na kap ankthi, disa prej nesh i kanë edhe më të shpeshta këto momente. Por a mund të ndodhë kjo edhe tek fëmijët tanë? Ankthi është një pjesë normale kur rritesh, por nëse është në një gjendje intensive dhe të vazhdueshme patjetër që është e nevojshme që të trajtohet në mënyrë profesionale. Për fëmijët që kanë shqetësime mesatare ne po japim disa këshilla që vijnë nga The Child Mind Institute, vend ku ky artikull është publikuar.
- Qëllimi nuk është të eliminosh ankthin, por të ndihmosh një fëmijë që ta menaxhojë atë.
Asnjë nga ne nuk dëshiron që të shohë një fëmijë të palumtur, por mënyra më e mirë që t’i ndihmojmë fëmijët që ta tejkalojnë gjendjen e ankthin nuk është që të shkëpusim prej tyre të gjitha gjërat që u shkaktojnë stres. Kjo bëhet në mënyrë që ata të mësojnë se si ta tolerojnë këtë gjendje që po kalojnë edhe kur ata janë në ankth. Si pasojë e kësaj ankthi do të ulet me kalimin e kohës.
- Mos shmangni gjëra të caktuara vetëm se ato e bëjnë fëmijën nervoz.
Të ndihmosh fëmijët për të shmangur gjërat që kanë frikë, mund t’i ndihmojë ata që të ndihen mirë për një kohë të shkurtër, por e forcon më tepër ankthin e tyre në të ardhmen. Nëse një fëmijë nuk ndihet komod me situatën, atëherë ai mërzitet, fillon të qajë- jo se përpiqet që t’ju manipulojë por ashtu ndihet- zakonisht prindërit e nxjerrin prej andej dhe largojnë gjërat prej të cilave ka frikë. Në këtë rast ky fëmijë e ka mësuar këtë mekanizëm dhe ky cikël mund të përsëritet disa herë.
- Shprehni pritshmëri pozitive por realiste.
Nuk mund t’i premtosh një fëmije dhe t’i thuash se frikësimet e tij janë të pabazuara- që ai nuk do të dështojë asnjëherë asnjë test, që ai vetëm do të kënaqet duke bërë ski, apo se një fëmijë tjetër nuk do të qeshë me të gjatë kohës që ai po reciton. Por ti mund ta shprehësh besimin se ai ka për të qenë në rregull atë ditë, se do të jetë i aftë ta menaxhojë këtë situatë dhe nëse ai e përballon frikën e tij , niveli i tij i ankthit do të bjerë me kalimin e kohës. Kjo i jep atij besimin se pritshmëritë e tua janë realiste dhe se ju nuk do t’i kërkoni që të bëj diçka, të cilën nuk bën dot.
- Respektoni ndjenjat e tij, por mos u jepni atyre rëndësi parësore.
Është e rëndësishme që të dimë se vlerësimi nuk do të thotë gjithmonë që të biem dakord. Kështu pra, nëse një fëmijë është i terrorizuar se do të shkojë te doktori, nuk është mirë që ta zvogëloni frikën e tij, por as ta zmadhosh shumë atë. Duhet ta dëgjoni fëmijën dhe të jeni empatik, ta ndihmoni që ta kuptojë se përse është aq në ankth dhe ta inkurajoni duke i thënë se ai mund të përballet me frikën e tij. Mesazhi që ju duhet të dërgoni është ky “ Unë e di që t’i je i frikësuar dhe kjo është në rregull. Unë jam këtu dhe do të ndihmoj që ta kalosh këtë.”
- Mos bëni pyetje orientuese Inkurajoni fëmijën tuaj, që të flasë për ndjenjat e tij, por mos bëni pyetje orientuese si “ A je në ankth për këtë testim? A je i shqetësuar mbi këtë detyrë? Në mënyrë që të evitoni ciklin e ankthit, mund të pyesni pyetje të hapura: “Si po ndihesh në lidhje me këtë detyrë?
- Mundohuni që të krijoni një model të shëndetshëm për menaxhimin e ankthit.
Ka shumë mënyra që ju mund të ndihmoni fëmijët që të përballen me stresin, duke i lënë ata që të shikojnë sesi ju vetë përballeni me ankthin. Fëmijët i kapin në ajër situatat dhe ata do të mësojnë nga ju nëse ju i thoni në telefon një miku që nuk po e duroni dot më stresin apo ankthin. Nuk po themi që të pretendojmë se ne nuk kemi stres apo nuk ndihemi në ankth, por lërini fëmijët të dëgjojnë ose të shohin se ju po e menaxhoni atë në mënyrë të qetë, po e toleroni këtë gjendje dhe po ndiheni mirë që po e kaloni atë.