Gjuhët janë komplekse, ato ndihmojnë shumë komunikimin, integrimin në shoqëri, edukimin dhe zhvillimin. Gjëra këto që janë me rëndësi thelbësore për të gjithë planetin. E megjithatë, duke qenë se ka nisur procesi i globalizimit gjuhët janë nën një kërcënim gjithmonë e më shumë në rritje. Nëse një gjuhë zhduket, humbet një pjesë e rëndësishme e mozaikut të diversitetit kulturor. Bashkë me një gjuhë humbasin edhe traditat, kujtimet dhe mënyra të veçanta mendimi dhe shprehje. Më shumë se 50 % e 7000 gjuhëve që fliten në botë, ka mundësi që të vdesin në pak breza, e 96 % e këtyre gjuhëve fliten në më pak se në 4 % të popullsisë së botës. Kjo ditë ndërkombëtare e gjuhës ka për qëllim promovimin e shumë gjuhëve dhe kulturave të ndryshme. Gjuhët janë instrumentet më të fuqishme të ruajtjes dhe zhvillimit të trashëgimisë sonë.
1.Gjuha amtare shërben që të identiteti kulturor dhe lidhjet me familjen të jenë më të forta
Të arrish të ruash gjuhën tënde amtare ndikon drejtpërdrejtë në identitetin tënd dhe kontribuon në pasjen e një koncepti pozitiv për veten. Kërkime mbi zhvillimin ndërkulturor kanë treguar se studimet që bëhen për gjuhën amtare edhe pas periudhës së fëmijërisë të ndihmojnë ty që të vlerësosh kulturën dhe trashëgiminë. Për prindërit është e rëndësishme që të mund të mbajnë të gjallë gjuhën shqipe në shtëpi, sepse kjo u mëson fëmijëve që të kenë dashuri për kulturën dhe rrënjët e tyre.
Të flasësh gjuhën tënde të parë fuqizon marrëdhëniet me anëtarët e familjes. Nëse gjuha amtare nuk mbahet, lidhje të rëndësishme familjare mund të humbasin. Prindërit e fëmijëve të vegjël duhet të inkurajojnë ata që të përdorin gjuhën e tyre në mënyrë që t’i përgatisin fëmijët të krijojnë lidhje me komunitetin në Shqipëri.
Kërkimet tregojnë se kur prindërit nuk arrijnë të komunikojnë siç duhet me fëmijët e tyre, ata nuk mund të transmetojnë lehtësisht vlerat, besimin, apo këshilla të ndryshme se si fëmijët të mund t’ia dalin mbanë me përvojat që mund të hasen. Komunikimi i qartë ndihmon prindërit që të mund të tejçojnë dijen e tyre tek fëmijët, e ti aftësojnë ata që të bëhen njerëz të denjë për vendin ku do të jetojnë. Ka raste kur prindërit influencojnë në krijimin e barrierave gjuhësore në mes të dy palëve, kështu humbet intimiteti dhe mirëkuptimi.
2.Të perfeksionosh gjuhë të tjera
Personat që mësojnë gjuhët kanë nevojë të vazhdueshme për zhvillim intelektual në lidhje me këtë gjë. Le të themi për shembull se dikush që nuk ka shumë kohë që po mëson anglishten, patjetër që komunikon në këtë gjuhë në një nivel më të ulët intelektual. Megjithatë kur prindërit dhe fëmijët komunikojnë me njëri-tjetrin në gjuhën që ata njohin më mirë, ata janë duke ndihmuar njëri-tjetrin plotësisht , sepse komunikimi është më i qartë.
Të përmirësosh vazhdimisht gjuhën tënde, duket se sjell përfitime edhe në mësimin e një gjuhe të dytë. Fëmijët që zotërojnë mirë aftësitë në gjuhën e tyre të parë, janë më të gatshëm dhe më të aftë që të mësojnë një gjuhë të dytë. Nëse leximi në gjuhën amtare zhvillohet në fazat e hershme, kjo mund të lidhet me rritjen e aftësive për leximin në një gjuhë tjetër. Do të ishte ideale që gjuha e parë të ishte solide, pra e mësuar shumë mirë, përpara se të fillohet me mësimin e një gjuhe tjetër.
3.Për të zgjeruar mundësitë
Për të gjithë ata që emigrojnë e që e mendojnë mundësinë e rikthimit në vendin e tyre në të ardhmen, mundësitë për punësim rriten nëse gjuha do të jetë e rrjedhshme. Komunikimi dhe ndërveprimi me kolegët po ashtu ka për të qenë më i thjeshtë gjithashtu. Një tjetër mundësi është që të jesh mësues i gjuhës tënde amtare nëse jeton jashtë vendit tënd.