Mbreti Solomon na thotë se përmes dijes, shtëpitë tona mund të mbushen me thesare të rralla dhe të mrekullueshme. A nuk është kjo diçka interesante për t’u menduar? Ja tek është vargu tek Fjalët e Urta 24: “Shtëpia ndërtohet me dituri dhe bëhet e qëndrueshme me maturi. Me dijen mbushen dhomat me lloj-lloj të mirash të çmueshme dhe të pëlqyeshme.” ( vargjet 3 dhe 4).
Personalisht, besoj se nuk ka thesare më të çmuara në shtëpitë tona, sesa vlerat e Krishtera- morali që ne kërkojmë të trashëgojmë tek fëmijët tanë. As objekti më i çmuar në shtëpinë tuaj, nuk mund të krahasohet me vlerën që ka të pasurit fëmijë që e duan Perëndinë.
Patjetër, që nëse duam që të jemi të suksesshëm në transmetimin e vlerave të Krishtera , ne duhet që të japim një model të këtij mesazhi dhe të jetojmë vazhdimisht një jetë të Krishterë edhe vetë. A e mbani mend urdhërimin e parë që na ka dhënë Zoti? Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde. Ky varg gjendet tek Ligji i Përtërirë, kapitulli 6. Në vargun që pason, Zoti vazhdon duke thënë se urdhërimet e Tij duhet të jenë të parat në zemrën tonë. Pastaj Perëndia na thotë se duhet që t’i kalojmë ato tek fëmijët tanë. Por vini re rendin: më përpara duhet t’i kemi urdhërimet në zemrën tonë, e pastaj t’i kalojmë ato tek fëmijët tanë.
Ti nuk mund t’i mësosh fëmijës tënd, diçka që nuk është e pranishme në jetën tënde. Shembulli yt është shumë i fuqishëm. Anna Mow, një misionare në Indi, njëherë ka thënë, “ Fëmijët mund të debatojnë për shkak të gjërave që thoni dhe të mos bien dakord me mënyrën se si ju i bëni gjërat, por ata nuk mund të debatojnë me ju, nëse jeta e Krishtit është duke u jetuar përpara syve të tyre. “
Nëse je dekurajuar duke u përpjekur që t’i transmetosh vlera të Krishtera fëmijës tënd, asnjëherë mos e nënvlerëso fuqinë e lutjes. Personalisht, kur e shihja se fjalët nuk funksionin tek fëmijët tanë, vija re se lutja më sillte rezultate pozitive, madje më shumë se çdo gjë tjetër. Mësuesi i Biblës J. Sidlow Baxter ka shkruar se njerëzit “ mund të mos pranojnë kërkesat tona,ata mund të refuzojnë mesazhin tonë, të kundërshtojnë argumentet tona, e të na shikojnë me përçmim, por ata nuk kanë asnjë fuqi kundër lutjeve tona. “ Ja cilat janë dy gjërat kryesore mbi vlerat : Së pari, bëhu ti modeli i mesazhit që kërkon të japësh. Por asnjëherë mos nënvlerëso fuqinë e lutjes!