“Shpirti im
Ti nuk je vetëm
Vjen një pikë ku frika do të përballet me Perëndinë që ti njeh
Vjen një ditë dhe Ai do të bëjë një rrugë
Lëre të të mësoj se si ta dorëzosh këtë
Sepse Ti nuk je vetëm…”
Albumi më i fundit i Casting Crowns “The Very Next Thing” (Hapi i radhës) fokusohet tek ideja që hapi i radhës i Zotit është hapi që duhet ndjekur. Kjo përmbledhje këngësh është krijuar për t’i arritur njerëzit aty ku ata janë dhe për t’i inkurajuar të hedhin hapin e radhës.
Një këngë thellësisht personale e albumit është kënga “Oh my soul” (O shpirti im) Kjo këngë është frymëzuar nga beteja e vokalistit kryesor Mark Hall me sëmundjen e kancerit në veshkë. Diagnoza e përcaktuar në vitin 2015 e kapi në befasi këngëtarin dhe në këtë këngë ai pasqyron frikën dhe dyshimet që pasuan marrjen e këtij lajmi shkatërrues. Me heqjen e veshkës, tashmë ai është i shëruar nga kanceri.
Hall shërben si drejtuesi i të rinjve në kishën e tij në Atlanta dhe ai e ka shkruar këtë këngë në një mbrëmje të qetë në zyrën e tij në kishë. Ai kujton: “Në zyrën time kam një piano të vogël. Më kujtohet që isha ulur në piano dhe po meditoja për Psalmin 42:11 ku Davidi thotë, “Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon përbrenda meje? Shpreso te Perëndia.” Ky varg më ka prekur gjithmonë sepse këtu Davidi i flet vetes. Ne të gjithë flasim me vete, por nuk duam që të tjerët ta dinë. Më kujtohet që qëndroja ulur në piano dhe refreni lindi natyrshëm. Në vargjet e kësaj kënge argumentoj me veten dhe i flas të vërtetën vetes. Rrënjët e besimit tim i flasin stuhisë në jetën time pikërisht aty ku fillon beteja.”
Kur në revistën Billboard e kanë pyetur se si kjo përvojë ka ndikuar muzikën e albumit të ri, Hall është përgjigjur: “Kur dëgjoj njerëzit të thonë se po luftojnë me kancerin ose me beteja të tjera me shëndetin e tyre, tashmë e shikoj ndryshe këtë betejë të tyren. Më përpara e kam parë si dikush që ka pasur një person të dashur që përballet me sëmundjen. por kurrë nuk e kisha përjetuar vetë, dhe kjo është diçka e re. Kënga ‘Oh My Soul’ (O Shpirti Im) pasqyron më së miri se ku isha dhe se ku jam tani. Kurrë nuk kam qenë i zoti të fsheh atë që po përjetoja, ndaj kështu që gjithmonë ka dalë në shkrimet e mia.”