Lexo: Luka 9:57-62
“Çfarë po bëni, zoti Elshani?” pyeti Skoti kur pa fqinjin e tij, i cili ishte gjithashtu mësuesi i tij i shkollës të së dielës, tek po nxirrte disa mjete.
“Do të përdor plugun për të hequr disa nga barërat e këqija,” tha zoti Elshani. “Dëshiron të më ndihmosh?”
“Sigurisht,” u përgjigj Skoti.
Zoti Elshani ndezi plugun dhe i tregoi Skotit se si të punonte. “Fillo këtu dhe mbaji sytë tek hapësira midis bimëve. Ec në drejtim me rreshtin,” tha zoti Elshani, duke treguar me gisht skajin tjetër të kopshtit. “Kur ti kthehesh këtej, mund të fillosh rreshtin tjetër.”
Skoti filloi të punonte me zell, duke shpresuar se do të bënte një punë të mirë. Besimi i tij u bë më i fortë, ndërsa barërat zhdukeshin rresht pas rreshti. Ai ishte thuajse në fund kur dëgjoi dikë të thërriste emrin e tij. Duke kthyer kokën, ai pa zonjën Elshani me një gotë të madhe me limonadë. “Fike dhe eja të pushosh,” tha ajo. Duke buzëqeshur, u kthye dhe e fiku mjetin. I frikësuar, ai pa që, ndërsa ishte kthyer për të parë zonjën Elshani, plugu kishte ndryshuar drejtim dhe kishte nxjerrë jashtë disa nga bimët e kopshtit.
Edhe zoti Elshani e pa atë që ndodhi. “Mos u shqetëso, Skoti,” tha ai. “Nuk është ndonjë dëm i madh. Eja të pish limonadën dhe më pas mund ta përfundosh rreshtin e fundit.”
Ndërsa u ulën nën një pemë me limonadën e tyre, Skoti foli për një problem që kishte pasur me disa nga shokët e tij të vjetër. “Ata më vijnë gjithnjë nga pas që të bëj gjërat që bëja dikur,” tha ai.
“Dhe pse nuk i bën më ato gjëra?” pyeti zoti Elshani.
“Po ja, unë jam i krishterë tani,” u përgjigj Skoti. Ai psherëtiu. “E di që do të ishte gabim t’i bëja disa nga ato gjëra, por… ndonjëherë duken argëtuese,” pranoi ai. Zoti Elshani i hodhi sytë nga kopshti. “Kur ti u ktheve për të parë, ndërsa po punoje në kopsht, prishe një rresht me bimë,” tha ai, “dhe duke kthyer kokën pas tek mënyra e vjetër e jetesës, mund ta prishë jetën tënde. Në vend që të kthesh kokën pas nga shokët e vjetër, ktheji sytë nga Jezusi dhe nga Fjala e Perëndisë që të të drejtojë në jetën tënde të re.”
Pas një çasti, Skoti pohoi me kokë. “Sidoqoftë, e di që në fund kjo do të më sjellë më shumë gëzim,” tha ai me një buzëqeshje.
A e kthen shpesh kokën pas nga gjërat që dikur të pëlqenin? A të duken argëtuese ato aktivitete të së shkuarës?
A duan miqtë e tu që të bësh gjëra që nuk do t’i jepnin kënaqësi Zotit? Mund të jetë e nevojshme që t’i zëvendësosh disa nga miqësitë e vjetra me miqësi të reja. Miqtë e tu të ngushtë duhet të jenë fëmijë që janë të krishterë. Në vend që ta kthesh kokën pas nga zakonet dhe miqtë e vjetër, ktheji sytë nga Fjala e Perëndisë, Bibla. Kërkoji Perëndisë që të ndihmojë të kuptosh se çfarë dëshiron Ai që të bësh. Ai do të të japë gëzim ndërsa e ndjek Atë tek të drejton.