Pas pesë sezonesh, ku dishepujt e kanë ndjekur Jezusin përmes mrekullive, përndjekjeve, përballjeve dhe sfidave të besimit, seriali i njohur biblik “The Chosen” po i afrohet momentit më vendimtar: 24 orëve të fundit të jetës së Jezusit në tokë, deri në kryqëzimin e Tij.
Sezoni i gjashtë, që pritet të shfaqet më 15 nëntor në Prime Video, do të sjellë në ekran ngjarjet dramatike të përshkruara në Ungjij. Për aktorët, ky sezon ka qenë veçanërisht sfidues emocionalisht, pasi u është dashur të interpretojnë dhimbjen dhe tronditjen e njerëzve që e donin dhe i besonin Jezusit, por ende nuk e kuptonin plotësisht atë që po vinte, e aq më pak se pas kryqëzimit do të vinte Ngjallja.
Paras Patel e përshkroi sezonin si një nga më të dhimbshmit emocionalisht, por theksoi se pikërisht në këtë periudhë të vështirë disa personazhe do të tregojnë një forcë të veçantë.
“Është një sezon shumë tronditës emocionalisht. Do të shihni personazhe që ngrihen në mes të vuajtjes dhe dhimbjes për të udhëhequr të tjerët. Është një histori e rrëmujshme, jo e përsosur, por jashtëzakonisht e ngarkuar emocionalisht”, u shpreh ai.
Ai pranoi se disa shikues mund të hezitojnë ta ndjekin këtë sezon për shkak të temës së kryqëzimit, por i inkurajoi të mos e shmangin, duke theksuar se përmes kësaj historie do të përjetojnë një shpresë dhe forcë të ripërtërirë.
Ndërsa Vanessa Benavente, e cila interpreton Marinë, tregoi se përgatitja emocionale për skenën e kryqëzimit kishte nisur shumë më herët. Ajo kujtoi një skenë nga sezoni i tretë, kur Jezusi viziton varrin e Jozefit së bashku me Marinë dhe Llazarin dhe i tregon nënës së Tij se nuk do të kthehet më.
Sipas aktores, pikërisht aty nis procesi i gjatë dhe i dhimbshëm i Marisë për t’u përgatitur për humbjen e të birit.
“Ajo që përjeton Maria është makthi më i madh i çdo nëne”, u shpreh Benavente, duke e krahasuar përvojën e saj me atë të një prindi që mëson se fëmija i tij ka një sëmundje të pashërueshme dhe jeton me dhimbjen e pritjes së një fundi të pashmangshëm, pa e ditur se kur do të vijë ai moment.
Sezoni i pestë u mbyll me arrestimin e Jezusit pas Darkës së Fundit dhe tradhtisë së Judës, duke hapur rrugën për ngjarjet që do të çojnë drejt kryqëzimit.
Një histori dhimbjeje, sakrifice dhe shprese, sezoni i ri na fton të reflektojmë mbi dashurinë e Jezusit dhe kuptimin e sakrificës së Tij.
“The Chosen” transmetohet ekskluzivisht në TV7 të shtunën në orën 20:00! Ndiqni këtë serial të jashtëzakonshëm dhe përjetoni nga afër historinë e Jezusit dhe të njerëzve që e ndoqën Atë.
