Çfarë mësimesh do të donit që fëmija juaj të mbante mend, nëse kjo do të ishte dita e fundit që do të ishit bashkë? Si prindër të gjithë duan që fëmijët e tyre të jetojnë jetë të shëndetshme dhe të lumtur, por si mund ta bëjmë këtë? Edhe nëse prindërit largohen nga jeta fizikisht, fjalët e tyre dhe veprimet ende të udhëheqin.
Veprimet
Gjëja e parë që duhet të mbani mend është se fjalët nuk të mësojnë aq mirë sa të mësojnë veprimet. Sjelljet dhe idealet që ne dëshirojmë të shohim tek fëmijët tanë janë gjëra që duhet t’i reflektojmë së pari vetë. Kjo është eksperienca më e madhe që fiton kur je prind. Kur të shihni disa sjellje apo qëndrime të caktuara, menjëherë do të kuptoni se fëmijët tuaj janë duke pasqyruar disa nga veset tuaja. Kjo ilustron se sa të rëndësishme janë veprimet për fëmijët tanë.
Vetë-vlerësimi
Një ndër gjërat që do ta shoqërojnë për gjatë gjithë jetës fëmijën, është pikërisht vetëvlerësimi. Ne duhet që të nisim që kur fëmijët tanë janë të vegjël, t’i ndihmojmë ata që të kenë një imazh pozitiv për veten. Sa shpesh e kritikoni veten? Qoftë për pamjen tuaj fizike apo për gjithçka tjetër? Kur bëni kështu, ju u dërgoni mesazhe fëmijëve. Nëse prindërit dëshirojnë që të ndihen të mrekullueshëm, ashtu siç janë, atëherë ata duhet të krijojnë një model për ta. Sa më mirë që adoleshentët të ndihen mirë me aparencën e tyre, aq më e lehtë do të ishte për ta që të gjenin gjëra që do u pëlqejnë për veten e tyre, si së jashtmi ashtu edhe së brendshmi.
Imazhet mbi veten
Sot, më shumë se kurrë, adoleshentët janë të bombarduar me informacione dhe mesazhe mbi atë se çfarë është më “interesante” apo më “in”. Ndërkohë që këto ide ju ofrohen atyre është mirë që prindërit t’u thonë se është në rregull që ata të jenë vetvetja. Një imazh i shëndetshëm për veten është thelbësor për një njeri të shëndetshëm dhe ne të gjithë meritojmë që të ndihemi mirë me veten tonë.
Mësojini fëmijës suaj se të ndjerit mirë për veten vjen së brendshmi. Edhe pse ky mund të jetë një koncept i vështirë për fëmijën, ne mund t’i ndihmojmë ata duke i inkurajuar që të largohen prej reklamave të ndryshme dhe në vend të kësaj të kalojnë një kohë të caktuar për të menduar mbi atë se çfarë duan të bëhen si njerëz. Nëse ata shkëputen nga kompjuterët dhe televizori, ata mund të kenë më shumë kohë për t’u marrë me aktivitete kreative si piktura apo lojëra të ndryshme dhe kjo do t’i ndihmojë ata që të shpërfaqin veten e tyre.
Të jesh vetvetja
Ky është një leksion i rëndësishëm për të gjithë ne për t’u mbajtur mend. Njerëzit janë qenie sociale dhe si tilla, duan që të ndihen të pranuar nga të tjerët. Fëmijët tanë kanë nevojë të dinë përfitimet e të qenit një individ unik. Për shembull, kur ata ndihen komod me veten e tyre, njerëzit që ndajnë interesa të ngjashme do të bien në kontakt me ta. Kur rrethohemi nga njerëz që reflektojnë atributet tona pozitive, kjo sjell më shumë lumturi dhe sukses në jetë. Mësojini fëmijës që të zgjedhë miq që do t’i ngrenë ata moralisht, me të tillë miq ata do të mund të shijojnë jetën.
Gjej gjëra që të pëlqejnë të bësh
Të bësh gjëra që të pëlqejnë dhe të gjesh po ashtu njerëz të tjerë që ndajnë të njëjtat interesa me ty është e rëndësishme, e sidomos për adoleshentët. Është e nevojshme që për fëmijët të gjenden vende të tilla si klube, apo të jenë pjesë e grupeve që i bëjnë të ndihen ata se përkasin atje dhe ku mund të ndërtojnë ndjesinë e të qenit në komunitet dhe gjithashtu të ndërtojnë vetëvlerësimin. Prindërit duhet të ndihmojnë fëmijët ,që ata të mund të shpërfaqin talente të fshehura. Përfshirja në aktivitete pas shkollës, ose puna vullnetare, ndihmon që të ndryshojë jetën e një adoleshenti dhe t’i bëjë ata të ndihen se po kontribuojnë në diçka pozitive.
Respekto diferencat
Ndërkohë që të rinjtë mësojnë që të duan dhe që të respektojnë veten, ata gjithashtu kanë nevojë të kuptojnë se çdonjëri ka të njëjtat të drejta. Adoleshentët në pjesën më të madhe të jetës do të takojnë njerëz që i bëjnë gjërat ndryshe, apo që kanë parime të ndryshme, ndaj u mësoni fëmijëve se jemi të ndryshëm dhe se duhet t’i duam njerëzit ashtu siç janë, pa i gjykuar ata. U tregoni se të pranosh e të respektosh diferencat kulturore, do të mund t’i bëjë jetët e tyre më të pasura. Jeta e një adoleshenti është plot me sfida: ndryshimet hormonale dhe presioni social janë thjesht disa nga problemet që hasin fëmijët. Është shumë e rëndësishme për fëmijët të mësojnë se ata mund të jenë në kontroll të mendimeve të tyre dhe të reagojnë ndaj situatave të ndryshme.