Lexo: Predikuesit 5:1-6
Xhuli eci me gëzim gjatë gjithë rrugës duke u kthyer në shtëpi. “Biskotat me copëza çokollate për nesër mbrëma në shtëpinë e Tonias, kanë për të qenë të mrekullueshme,” mendoi ajo. Xhuli imagjinonte vajzat tek përtypnin biskotat në mesnatë, ndërsa lyenin thonjtë e tyre.
“Mami!” thirri Xhuli, duke përplasur derën kryesore të shtëpisë. Zëri i saj jehoi, por nëna nuk u përgjigj. Atëherë Xhuli vure re një shënim mbi tavolinë. “Gjyshja është me grip,” lexoi ajo. “Jam në shtëpinë e saj. Të dua, mami.”
Xhuli psherëtiu rëndë dhe menjëherë formoi numrin e gjyshes në telefon. “Ti duhet të kthehesh në shtëpi, mami,” u përgjërua Xhuli. “Unë i dhashë fjalën Tonias që nesër mbrëmë kur të shkoja për të fjetur tek ajo, do të çoja biskota me copëza çokollate. Dua të më ndihmosh që t’i përgatis.”
“Më vjen keq, zemër, por jam e sigurt që do t’ia dalësh mbanë e vetme,” tha nëna. “Ti më ke ndihmuar shpesh herë. Dhe nëse ke dhënë fjalën, atëherë duhet ta mbash. Në fund të fundit, premtimi është premtim. Pastaj, ti nuk do që ta lë gjyshen vetëm, apo jo?”
“Jo, nuk dua,” tha Xhuli. Kështu, ajo e mbylli telefonin dhe shkoi të merrte recetën. Kur e gjeti, i mati përbërësit me kujdes, i hodhi në një enë, i përzjeu së bashku dhe nxori letrat e pjekjes.
Pjesa e parë e biskotave po ftohej mbi banak kur babai hyri përmes derës së kuzhinës. Ai e mori një nxitimthi dhe filloi ta hante.
“Ah, qenka ende e nxehtë,” tha ai. “Recetë e re është kjo?” “Jo, është e njëjta recetë e biskotave me copëza çokollate,” u përgjigj Xhuli. Babai e pa me dyshim. “E çuditshme,” tha ai.
Fytyra e Xhulit u ngrys. “Copëzat e çokollatës!” u përgjigj ajo. “Nuk mund ta besoj që harrova të hedh copëzat e çokollatës!”
“S’ka gjë. Janë të shijshme kështu,” e siguroi babai, ndërsa mori një biskotë tjetër duke e kafshuar.
“Unë i premtova Tonias se do të çoja biskota me copëza çokollate nesër mbrëma që do të flija tek ajo. Dhe biskotat me copëza çokollate nuk quhen biskota me copëza çokollate nëse nuk kanë copëza çokollate.” Xhuli qeshi duke kuptuar se kishte thënë shumë herë “copëzaçokollate”. Babai buzëqeshi. “Nuk është vonë që të hedhësh copëzat e çokollatës,” tha ai. “Dhe mendo sesa copëza çokollate do t’i hedhësh pjesës tjetër.” Ai mori nxitimthi një biskotë tjetër. “Mirë, babi. Ato mund t’i hash, por mos merr shumë nga ato që do të bëj me copëza çokollate,” tha Xhuli. “Më duhen për nesër mbrëma. Unë kam bërë një premtim, dhe ti e di që premtimi është premtim!”
Në vargun tonë kyç, fjala “zotim” do të thotë “premtim”. Vargu thotë se është më mirë të mos thuash se do ta bësh diçka sesa të thuash se do ta bësh dhe të mos e mbash fjalën. A tregon kujdes që të bësh vetëm ato premtime që je në gjendje t’i mbash? Gjithnjë sigurohu që mund ta bësh atë që thua se do të bësh. Kjo është një nga mënyrat e thjeshta me anë të së cilës mund ta nderosh Perëndinë.