Lajmi Fundit
prev next

Nevoja për Miqësi

Zoti i krijoi besimtarët që të jetojnë në bashkësi dhe të mbështetemi tek njëri-tjetri në kohë nevoje.

2 Timoteut 4:9-22

Në ditët e sotme, shumë prej nesh më mirë do të mbështeteshin te vetja se sa te njëri-tjetri. Është e zakonshme që fqinjët të kenë dyshime për njëri  tjetrin në vend që të tregohen të mirësjellshëm – dhe kjo vlen edhe për anëtarët e kishës. Pavarësia mund të jetë një atribut i çmuar në kulturën tonë, por jo në Bibël. Askund në Shkrim nuk do të gjeni citimin e gabuar  që e dëgjojmë shpesh “Zoti i ndihmon ata që ndihmojnë veten”.

Vetë fakti që Zoti formoi kishën – një bashkësi besimtarësh – zbulon se Ai nuk i krijoi njerëzit për vetë-mjaftueshmëri apo izolim. Sipas planit të Perëndisë, një miqësi e ngushtë dhe e përkushtuar biblike midis dy besimtarëve shërben për t’i ndërtuar të dy drejt ngjashmërisë me Krishtin. Shikoni ndonjë nga shenjtorët në Shkrim dhe do të gjeni dëshmi të mbështetjes te një mik i ngushtë ose i besuar. Pali, në veçanti, foli hapur dhe shpesh për varësinë e tij tek shokët e dashur dhe i inkurajoi të tjerët që të krijonin gjithashtu partneritete të ngushta (Filipianëve 2:1-2).

Fjala e Perëndisë na thotë të duam njëri-tjetrin, të mbajmë barrën e vëllezërve tanë dhe t’i rrëfejmë mëkatet tona bashkëbesimtarëve (Gjoni 13:34; Galatasve 6:2; Jakobit 5:16). Kjo do të thotë që ne duhet t’ua japim veten të tjerëve dhe të marrim prej tyre në këmbim. Perëndia e krijoi këtë inkurajim të ndërsjellë për të rezultuar në shenjtëri më të madhe në të gjithë trupin e Krishtit.

Durimi

Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t`i jepet. Jakobi 1:5

A je lutur ndonjëherë kështu, “ Perëndi, më jep durim, e ma jep tani”?  Ti ndoshta mund të ndihesh kështu pikërisht në këtë moment.  Ke qenë duke u përballur me një situatë të veçantë? Apo me diçka që të ka irrituar dhe ka zgjatur me ditë të tëra?  A të duket se  nuk mund të durosh më edhe një ditë tjetër? Ti po mendon “ jam zhytur deri në grykë, nuk mund të duroj më.”  Mund të jetë bashkëshorti apo gruaja jote me të cilën nuk po kuptohesh. Mund të jetë fëmija yt adoleshent. Nëse je një adoleshent mund të jetë nëna apo babai yt personi me të cilin marrëdhënia po duket e vështirë.

Ndonjëherë ne përballemi me inatin, dhe e dimë se mund të arrijmë në një zonë të rrezikshme ku mund të mos durojmë dot më. Ky është alarmi i kuq.

Kush është përgjigja? Të largohesh  i nxehur? Të shash?  T’i biesh murit me kokë e ndoshta edhe personit që po të shqetëson? Të përgjigjesh me të njëjtën monedhë? Jo, kjo vetëm sa e përkeqëson problemin. Çdokush mund të heqë dorë. Çdokush mund ta bëjë atmosferën akoma  më të zymtë. Sot programi u dedikohet atyre që ndiejnë presion dhe inat  në  jetën e tyre të përditshme. Sot flasim për ata që nuk janë të sigurt, se si mund ta bëjnë durimin pjesë të personalitetit të tyre.  Në 3 minutat që pasojnë, merr një pushim nga çfarëdolloj pune që je duke bërë.  Këto minuta mund të ndryshojnë jetën tënde nga dështimi, në një sukses të vërtetë. Së pari më lejo të sugjeroj se durimi i vërtetë, ai lloj durimi që përshkruhet në Bibël, nuk thotë që të ulesh me nge dhe të presësh qetësisht se çdo të ndodhë. Fjala që shkruesi ka përdorur për  të përshkruar  durimin është fjala Greke makrothumia. Ajo përkthehet si vuajtje e gjatë, durim, ose qëndrueshmëri. Ideja pas fjalës është të mbash qëndrueshmërinë. Kjo është një fjalë e fortë që tregon kontrollin që duhet të kemi në kohë të vështira. Ajo  është përdorur për një ushtar që qëndronte në pararojë. Kur ai u sulmua, qëndroi  me guxim në tokën e tij. Kjo fjalë u përdor që të përshkruante Krishtin, që i qëndroi presionit dhe rezistencës të liderëve fetarë  në vend që të rebelohej dhe të zemërohej kundër tyre. Kjo fjalë u përdor nga apostulli Pal për të përshkruar punën e Zotit, Frymës së Shenjtë në jetën e një besimtari. Pali u shkruan Galatasve, “Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi…( Galatasit 5:22) E ja tek e kemi sërish.

Për një moment, me mendje, largohu nga problemi apo situata në të cilën ndodhesh dhe përpiqu që ta vlerësosh atë objektivisht. Të jesh i qëndrueshëm për një periudhë kohe, do të ndihmojë  që të veprosh mirë,  e jo të reagosh në mes të presionit. Ajo që bën  në moment, pa e menduar mirë shpesh nuk është ajo që duhet të bësh. Nëse ndalon për momentin, kjo të jep mundësinë që të shohësh lart dhe t’i kërkosh Perëndisë për urtësi. Bibla përmban premtimin e Zotit “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t`i jepet” ( Jakobi 1:5)

Një mendim i fundit: Durim nuk do të thotë që ty do të pëlqejnë rrethanat. Durim do të thotë që ti do të gjesh hirin për të pritur për kohën e Zotit pa mëkatuar, apo pa bërë gjëra për të cilat do të pendohesh. Dikush e mendon kështu: “Durimi i Krishterë është aftësia për të mbajtur motorin me xhiro të ngadalta, ndërkohë që do të doje t’i nxirrje ingranazhet jashtë përdorimit.”  Shumë qartë Bibla na thotë se Zoti e shpërblen atë që është  i duruar. Jakobi tha se  se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri, dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur. Po Perëndi, ne kemi nevojë për durim, e kemi nevojë tani.

Buka e Jetës!

Jezusi na ofroi të gjithëve një mënyrë të sigurt për të përjetuar paqen, gëzimin dhe kënaqësinë e plotë. Tek Gjoni Ai na thotë: ‘Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje…. Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë; dhe atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë.” (6:35, 37).

Jezusi na mbulon me një dashuri të pakushtëzuar; dashuri e cila nuk do të shterojë kurrë. Pikërisht kur mendojmë se nuk ka shpresë, nuk ka mirëkuptim dhe nuk ka rrugëdalje nga gjendja jonë e vështirë, Zoti ynë i dashur i inkurajon zemrat tona.

Në kohë vështirësish ekstreme, është e rëndësishme t’i besoni Atij dhe të mos dorëzoheni nga lodhja. Mos harroni se çdo gjë që Ai bën në lidhje me jetën tonë do të jetë për të mirën tonë dhe për lavdinë e Tij. A jeni gati për betejë? A po merrni nga Buka e vërtetë e Jetës, nga ai që do t’ju mbështesë në kohët e fitores dhe zhgënjimit?

Nëse jeni duke ngrënë nga tasi i pritjeve dhe ëndrrave të botës, atëherë me siguri që do të zhgënjeheni. Ndoshta do të përjetoni humbje në jetën tuaj shpirtërore dhe emocionale. Ndoshta do e kaloni jetën duke u përpjekur të fitoni pasuri dhe lavdi, por asnjë shumë parash nuk është e mjaftueshme për të blerë dhuratën që Perëndia ju ofron me anë të Birit të Tij.

Nëse doni të jeni të sigurt për shpëtimin tuaj të përjetshëm, atëherë merrni dhe hani nga mana e dashur e Perëndisë, Jezu Krishti. Askush dhe asgjë tjetër nuk mund të plotësojë nevojat tuaja. Vetëm Jezusi mund t’ju mbushë, dhe kjo është pikërisht ajo që Ai u premton atyre që dëgjojnë dhe pranojnë Fjalën dhe ushqimin e Tij.

Lutje: Jezus, faleminderit që plotësove çdo nevojë timen – për të shuar urinë time shpirtërore. Ti je buka e jetës. Më ndihmo të shijoj çdo ditë të Vërtetën, mirësinë dhe hirin Tënd. Në emrin e Jezusit lutem. Amen.

“Jezusi u tha atyre: ”Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se jo Moisiu jua ka dhënë bukët nga qielli, por Ati im ju jep bukën e vërtetë nga qielli.” (Gjoni 6:32).

Vlera e Rrëfimit

Le të hyjmë në lutje me një zemër të pastër, sepse Perëndia ka premtuar se do të na falë mëkatet.

Psalmi 66:16-20

Lutjet tona nxjerrin në pah atë që është në zemër. Davidi e dinte mirë këtë gjë. Pasi u përball me Nathanin në lidhje me mëkatin e tij, Davidi u përgjërua që të pastrohej dhe të kishte një zemër të pastër (Psalmi 51:9-10).

Kur nuk e rrëfejmë mëkatin, Perëndia nuk do t’i dëgjojë lutjet tona sepse krijon një pengesë midis nesh dhe Atij. Ai na ka premtuar se do ta falë shkeljen sapo të pranojmë se veprimi ynë është i gabuar dhe të largohemi prej tij (1 Gjonit 1:9). Por nëse rrëfehemi vetëm me fjalë dhe  refuzojmë të ndryshojmë mënyra të paperëndishme, kjo do të thotë se nuk jemi penduar vërtet.

Meqenëse nuk mund të dallojmë gjithmonë atë që fshihet në zemrat tona, është e urtë të lutemi siç bëri Davidi në Psalmin 139:23-24: “Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia. dhe shiko në se ka tek unë ndonjë rrugë të keqe dhe më udhëhiq nëpër rrugën e përjetshme.”

Lutja është komunikim i hapur mes nesh dhe Atit tonë të dashur qiellor. Të mos lejojmë që asgjë të bllokojë marrëdhënien tonë me Të dhe të pengojë lutjet tona. Përkundrazi, le të rrëfejmë dhe të largohemi nga çdo mëkat për të cilin jemi të vetdijshëm, në mënyrë që të mund të vijmë tek Ai me një zemër të pastër.

 Page 5 of 151  « First  ... « 3  4  5  6  7 » ...  Last »