Lajmi Fundit
prev next

Rreze Drite

Por po të ecim në dritë, sikurse ai është në dritë, kemi bashkësi njeri me tjetrin, dhe gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat. 1 e Gjonit 1:7

Diçka e mrekullueshme mbi jetën, është fakti se ne dimë shumë pak për gjërat që janë të zakonshme. Kështu i marrim ato për të mirëqena. Ne nuk e ndjejmë se sa të  rëndësishme janë ato për mbijetesën tonë.

Drita është një shembull tipik. Çfarë është drita? Ti mund të përgjigjesh, “ Kjo është e thjeshtë. Drita është…” Kur ti mendon, teksa kërkon për një përkufizim të dritës nga një këndvështrim praktik apo shkencor, e kupton se nuk është diçka e thjeshtë.  Dikur njerëzit mendonin se drita ishte diçka që udhëtonte nga sytë e një njeriu drejt një objekti dhe kthehej sërish. Nëse diçka bllokonte rrezen nga  sytë, atëherë objekti nuk mund të shihej.

Në vitin 1666 shkencëtari Anglez Isaac Newton filloi të  kuptoj më shumë mbi natyrën e dritës. Ai zbuloi se drita është e përbërë nga shumë ngjyra. Thuajse në të njëjtën kohë, një fizikant Gjerman pretendonte se drita konsistonte në valë, e propozoi një teori për të shpjeguar sjelljen e dritës. Teoria e Christian Huygens  mundi të rezistojë për një shekull. Por, në vitin 1864, ishte  fizikanti Anglez James Clark Maxwell ai që propozoi teorinë matematike të elektromagnetizmit.  Kjo teori u bë baza e të dhënave moderne që kemi sot.

E megjithatë, përkufizimet e shkencëtarëve nuk janë tërësisht të kënaqshme. Mendo për një moment, nëse ikin dritat dhe e gjen veten në  një dhomë shumë të errët. Ti nuk mendon më për një teori, dëshiron vetëm të kesh një shkrepëse apo një qiri. Harroje teorinë! Kjo është mënyra se si shumë prej nesh mendojnë sot. Pavarësisht shpjegimit, ata thjesht duan që të ketë dritë për jetët e tyre.

Është thënë qartë, se drita në botë gjendet në tre kategori: drita natyrale, siç është drita e diellit, hëna dhe yjet; drita artificiale, që është një tjetër formë e energjisë; e drita frymore. Bibla flet shumë në lidhje me dritën dhe se çfarë i bën ajo errësirës. Gjoni, teksa shkruante parathënien për ungjijtë e tij, e përshkruante Jezusin si dritën e Botës, që do t’i jepte dritën frymërore çdo njeriu. Vetë Krishti tha, “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës` ( Gjoni 8:12)

Një nga përkufizimet më praktike të dritës, është thjesht se ajo ndërpret errësirën. Në fakt ky përkufizim nuk do të kishte shumë vlerë në teoritë shkencore. Në fjalë të thjeshta, ajo na flet për ndikimin që Jezus Krishti pati në botë. Jezusi nuk ishte i pari që foli për dritën në një aspekt frymëror. Të tjerë përpara Tij e kanë përshkruar botën si një errësirë frymërore, por askush prej tyre nuk guxoi aq sa të thotë , “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës…”  Nga një pikëpamje pragmatike, ose Jezusi ishte i mashtruar, ose mashtrues, ose Ai solli diçka në këtë botë që na jep neve drejtimin dhe qëllimin për  jetën.

Nëse ti dyshon për errësirën frymërore të botës sonë sot, unë do të ftoja që të shihje pas shpatullave të mia, ndërkohë që unë lexoj disa prej letrave që mbërrijnë në zyrën time. Shumë pak burra dhe gra do të mohonin faktin se errësira frymërore është aq e vërtetë sa edhe errësira që mbërthen planetin tokë në një natë pa hënë, apo kur një stuhi mbulon yjet mbi kokën tonë.

Si mendon për këtë mik? A e ke zbuluar se Jezusi sjell dritë në një botë të errët? Nëse nuk e ke zbuluar ende, përse të mos hetosh? Do të gjesh se, ai që ndjek Krishtin nuk do të ecë në errësirë por do të ketë dritën e jetës.

LIRI NGA PESIMIZMI

Si t’a tejkalojmë pesimizmin? Dyshimet për të cilat kemi lexuar në jetën e Thomait kulmuan me dyshimin e tij për Krishtin e ringjallur, por kur Krishti iu shfaq atij, ai u çlirua nga pesimizmi.

Efekti që sjell liria nga pesimizmi shihet qartë në jetën e Thomait pas asaj përvoje. Transformimi i Thomait nuk ishte thjesht intelektual. Transformimi i tij ndryshoi çdo fushë të jetës së tij dhe si rezultat e shtyu atë të bënte diçka të madhe për Zotin. Thomai ndau Ungjillin në disa nga pjesët më të vështira të botës në kohën e tij, zona të tilla si Ninive dhe Indi.

Liria nga pesimizmi fillon kur kuptojmë se çfarë na mëson thirrja jonë se sa të dashur jemi nga Perëndia. Kuptueshmëria jonë përmirësohet duke kujtuar atë që Perëndia, në fuqinë dhe hirin e Tij të jashtëzakonshëm, ka bërë për ne. Kur ne përjetojmë, me anë të besimit, fuqinë e ringjalljes së Zotit tonë Jezu Krisht në një nivel të thellë dhe personal siç bëri Thomai, Jezusi do të na shndërrojë nga të qenit pesimist në vizionar, dyshues në fitimtar, të pasigurt në besim dhe të pashpresë në të gëzuar siç besojmë. në premtimet e Perëndisë për t’i bërë të gjitha gjërat të reja në kohën e Tij të përsosur.

Lutje: Atë, faleminderit që mund të kem shpresë sepse kam përjetuar fuqinë e Krishtit të ringjallur në jetën time. Faleminderit që më çlirove nga pesimizmi. Lutem në emër të Jezusit. Amen.

“Pra, nëse Biri do t’ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë”.” (Gjoni 8:36).

Zemra Ime qan

Isaia 15:5 “Atëherë një fron do të bëhet i qëndrueshëm në dhembshuri dhe mbi të do të ulet në besnikëri, në çadrën e Davidit, një që do të gjykojë, do ta ushtrojë gjykimin dhe do të jetë i gatshëm të bëjë drejtësinë.”

Ky varg është marramendës. Vërtet marramendës. Është i jashtëzakonshëm sepse Perëndia po tregon për gjykimin e Moabit, gjykimin që Moabi meriton. Moabi po përjeton zemërimin e Zotit dhe prapë ndërsa përjeton atë zemërim, Perëndia thotë: “Zemra Ime qan për Moabin.”. Ndaj në mes të gjykimit ne shohim mëshirën e Perëndisë për Moabin, dëshirën e Tij që Moabi të mos e përjetojë gjykimin e Tij. Unë mendoj se kjo tablo i aplikohet të gjithë botës, jo thjesht në kohën e Isaias, por edhe sot.

Ka shumë njerëz që meritojnë zemërimin e Perëndisë, gjykimin e Perëndisë për mëkatin, dhe prapë Perëndia i do ata. Zemra e Tij, në kuptimin e plotë të fjalës, qan për ta. Ai dëshiron shpëtimin e tyre. Kjo është ajo që shohim, që Perëndia ynë nuk gjen kënaqësi në vdekjen e të paudhit, por dëshiron që të gjithë të vijnë në pendim, sipas Letrës së Dytë të Pjetrit, kapitulli 3, vargu 9. Zemra e Tij qan për ata që po përjetojnë gjykimin e Tij, edhe për ata që e meritojnë gjykimin e Tij.

Këtë e mendoj edhe për jetën time. Unë e lavdëroj Perëndinë që megjithëse e meritoj zemërimin e Tij, në mëshirën e Tij zemra i qan për mua. Ai më shpëtoi dhe tani jam i inkurajuar që të lutem.

Perëndi, tregoja mëshirën Tënde më shumë e më shumë njerëzve. Tregoje mëshirën Tënde në botë për ata njerëz që e meritojnë gjykimin Tënd. Në mendje kam ata njerëz që më rrethojnë, në vendin dhe në kulturën time. Në mendje kam njerëzit e qytetit tim. Në mendje kam njerëzit që janë larg në kombet e tjera, njerëzit që e meritojnë gjykimin Tënd. O Perëndi, unë besoj se zemra Jote qan për ta. Ti dëshiron shpëtimin e tyre. Ti dëshiron pendimin e tyre. Ndaj, Perëndi, unë lutem që Ti të sjellësh shpëtim dhe pendim tek ata. Në gjykimin Tënd, kujto mëshirën, trego dhe derdh mëshirë në më shumë e më shumë njerëz, ashtu siç bëre në jetën time. Dhe Perëndi, përdore jetën time deri në fund. Lutem që jeta ime të jetë një instrument i mëshirës Tënde. Më përdor për të shpallur mëshirën Tënde te njerëzit që më rrethojnë, që tani janë nën gjykimin Tënd. Perëndi, unë lutem për këtë në jetën time. Unë lutem për këtë në jetët e atyre që po na dëgjojnë. Perëndi, na ndihmo sot që të shpallim mëshirën tënde te njerëzit përreth. Afro ata njerëz tani që janë nën gjykimin Tënd, që të shpëtohen me dashurinë, hirin dhe mëshirën Tënde, duke na përdorur ne. Perëndi, lutemi për këto në emrin e Jezusit. Amen.

 Page 2 of 151 « 1  2  3  4  5 » ...  Last »