A të pëlqen ajo që sheh kur del para pasqyrës? Të pëlqen vajza me sytë dhe me flokët ashtu? Çfarë mendimesh të kalojnë ndërmend teksa sheh reflektimin e saj? A janë mendime kritikë, lavdërimi apo dënimi? A mendon për këtë imazh në mënyrë kritike, të pëlqen apo e urren këtë pamje?
Kujt i pëlqen të pranojë se nuk e pëlqen veten dhe se ndihet keq për reflektimin e tij në pasqyrë? Por e vërteta është se ndonjëherë nuk e pëlqejmë atë që shohim në pasqyrë. Kjo ndodh kur fokusi ynë është përqendruar tek vetja, kundrejt Zotit. Ndonjëherë duket se persona të tjerë kanë gjithçka që do doje. Trupi i tyre është në formë. Flokët e tyre janë të gjata dhe duken të mrekullueshme. E ndonjëherë veç gjithë këtyre kanë edhe kreativitetin dhe simpatinë që ti ëndërron vazhdimisht.
A të ka ndodhur të ndihesh se kurrë nuk do të jesh në gjendje të matesh me të tillë persona? E se nuk je e mirë mjaftueshëm? Të tilla mendime, nuk janë të mira. Ato janë një kancer shpirtëror. Në këtë rast e vërteta e Perëndisë sjell shërimin. Ne nuk duhet të jemi në një formë të përkryer fizike dhe të kemi të gjitha aftësitë e mundshme për të qenë të vlefshëm. Mbreti David, në Psalmin 139, shpreh më së miri krijimin e Perëndisë. Ne duhet të jemi të mençur të ndjekim hapat e tij dhe ta përdorim këtë varg si armatim shpirtëror. Vargu thotë: “Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekullueshme, veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.” -Psalmi 139: 14
Ne do të mendojmë shumë ndryshe për veten nëse besojmë të vërtetën e Psalmit 139: 14.
Ja çfarë do të ndodhë kur ta besojmë:
Do të kupotojmë mrekullinë
Shqyrto punët që ka bërë Krijuesi ynë, i cili ka ndërlidhur dhe ka bërë të funksionojnë një numër të madh të venave, enëve dhe arterieve që na mbajnë gjallë. Ne shohim së jashtmi trupat dhe as e vrasim ndonjëherë mendjen se si funksionon organizmi ynë dhe si ndërvepron ai në mënyrë që ne të kryejmë të gjitha gjërat e nevojshme gjatë ditës së cilat i marrim të mirëqena.
Dashuria ka për t’u bërë e mundur
Shihni pjesët në Bibël, në të cilat Jezusi diskuton urdhërimet më të mëdha. Te Ungjilli sipas Markut thotë: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.” Ky është urdhërimi kryesor. I dyti është ky: “Duaje të afërmin tënd si vetja.” Nuk ka urdhërime të tjera më të mëdha se këto. (Marku 12: 30-31). Kur ne e kuptojmë se jemi krijuar në mënyrë të mrekullueshme, shpërthen dashuria për veten. Por kjo nuk është një dashuri arrogante. Ky është një vlerësim për punën e duarve të Perëndisë. Konsideroje këtë si një dashuri për punën e Atit. Kur ne duam punën e Perëndisë, ne bëhemi të aftë për ta dashur edhe fqinjin tonë.
Adhurimi do të qëndrojë në buzët tona
Çfarë ka jashtë dritares tënde? Po jashtë shtëpisë? Shikoje për një moment. Mund të ketë gjelbërim dhe lule plot hijeshi. Jo shumë km larg mund të shtrihet bregdeti dhe ngjyra të mrekullueshme. Peizazhe të tilla të bëjnë të mrekullohesh me punën që Perëndia ka bërë. Reflektimi ynë në pasqyrë tregon një punë po aq të mrekullueshme krijimi sa edhe lulet e bukura, apo qielli ngjyrë blu. Ne po ashtu jemi të krijuar në mënyrë të mrekullueshme sepse jemi puna e duarve të Perëndisë. Dhe kur e kemi të ngulitur këtë mesazh në zemrën tonë, është më e lehtë të shikojmë në pasqyrë dhe ta adhurojmë Krijuesin për punën e tij të mrekullueshme.
“Ti je i denjë, o Zot, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti i krijove të gjitha gjëra, dhe nëpërmjet vullnetit tënd ekzistojnë dhe u krijuan.” Zbulesa 4:11 .
Do të kuptojmë rëndësinë
A jam i rëndësishëm? Shumë shpesh i përgjigjemi kësaj pyetje duke e dënuar veten tonë. Ne ndihemi keq sepse nuk ndihemi dhe aq të rëndësishëm. Por kur jemi të rrethuar nga e vërteta dhe besojmë që jemi krijuar në mënyrë të mrekullueshme, për në i rëndësishëm është Zoti. Jemi të sigurt në të vërtetën që Ai na ka dhënë. Ne nuk kërkojmë më asgjë, sepse qëndrojmë të kënaqur dhe të plotë, duke i besuar Zotit tonë.
Do të kemi paqe
Kur pushojmë në të vërtetën ajo na jep paqe. Kur gjejmë kënaqësi në krijimin e trupave tanë, e cilësive dhe talenteve që Zoti na ka dhënë, ne nuk mendojmë më se si të kënaqim të tjerët. Ne dëshirojmë që të nderojmë Perëndinë dhe jo të plotësojmë pritshmëritë dhe preferencat njerëzve. Në këtë mënyrë ne gjejmë paqe.
Do të shtypim krenarinë
Shumë shpesh e konsiderojmë krenarinë si arrogancë të jashtme. Por ndonjëherë krenaria fshihet edhe brenda. Të qëndrosh në të vërtetën që je krijuar në mënyrë të mrekullueshme, është një transferim i vëmendjes nga vetja tek Zoti i plotfuqishëm. Është përlëvdimi i Zotit që na ngre lart dhe jo krenaria.
S’do të ketë më krahasime
Imagjino se sa shumë kombinime të syve dhe flokëve, të gjatësive, formave, talenteve dhe dhuntive që kanë mbuluar globin. Sa shumë larmishmëri pamjesh, aftësish, e talentesh. Kur ne qëndrojmë të fortë në të vërtetën e Fjalës së Zotit, ne nuk kemi më nevojë për t’u krahësuar me të tjerët. Kështu edhe kënaqësia për atë çfarë jemi rritet. Ne e shohim veten si një punë që Zoti ka bërë për ne, jo si diçka tonën. Ne do të shmangim krahasimin duke u fokusuar tek puna e mahnitshme dhe unike që ka bërë Krijuesi në jetët tona. Kështu fitojmë besim për këtë udhëtim në tokë.
Do të falenderojmë
Unë do të falenderoj thotë psalmi i sipërpërmendur. Davidi i ofron një falenderim të drejtpërdrejtë Perëndisë. Ky falenderim përqendrohet tek krijuesi dhe tek puna e mrekullueshme e Tij. Merr një kohë personale me Perëndinë dhe ndjehu i kënaqur për gjithçka që Ai të ka dhënë. Ti je krijuar nga duart e vetë Mjeshtrit. Ka shumë fuqi kur ti e falenderon Atë. Ne e falenderojmë Zotin sepse na ka krijuar, e falenderojmë sepse jemi punë e duarve të Tij, të cilat na kanë ndërtuar në mënyrë të mrekullueshme. Ne duhet të duam të gjithë krijimin e Perëndisë, përfshirë edhe veten tonë. Le ta përlëvdojmë Atë dhe ta falenderojmë për madhështinë dhe dashurinë e Tij. Perëndia na dhënë kaq shumë bekime.