Shumë gjëra janë thënë dhe shkruar për dashurinë. Tekstet e shumë këngëve flasin për histori dashurie me fund të bukur, por edhe për dashuri të humbura. Tennyson shkroi se është më mirë të kesh dashuruar dhe humbur se sa të mos kesh dashuruar kurrë.
Secilit nga ne është i aftë që të dojë. Pse? Sepse ne u krijuam nga Perëndia dhe Ai është dashuri (shih 1 Gjonit 4:16). Dashuria e tij është më e madhja. Është një dashuri e përjetshme – një dashuri e pakushtëzuar – e pabazuar në atë që bëjmë ose nuk bëjmë. Përkundrazi, dashuria e Perëndisë bazohet në një ngjarje: në atë që Krishti bëri për ne, në kryqin e Kalvarit.
Pavarësisht se çfarë ka ndodhur në këtë jetë apo se me çfarë do të përballeni në të ardhmen, dashuria e Zotit për ju nuk do të braktisë kurrë. Kur zgjohesh në mëngjes, dashuria e Zotit të përqafon. Kur shtrihesh natën, është po ajo dashuri që qëndron roje mbi jetën tënde. Gjatë gjithë ditës, Perëndia derdh dashurinë e Tij të mëshirshme mbi ty. Është kaq e rëndësishme dashuria e Perëndisë sa Pali zgjedh ta përmendë atë si frytin e parë të Frymës (shih Galatasve 5:22).
Nëse vërtet duam të jemi njerëz që i duam të tjerët dhe të duam plotësisht Perëndinë, atëherë hapi i parë është t’i japim Krishtit jetën tonë dhe t’I kërkojmë të na mësojë se si të duam ashtu siç na do Ai. Dashuria është një zgjedhje që shumë herë nuk mund ta bëjmë vetë. Njerëzit do të lëndojnë. Disa do të përpiqen të na dëmtojnë, e megjithatë dashuria e Perëndisë ka aftësinë të mbulojë të gjithë mëkatin. Në jetën tonë asgjë nuk është më e fuqishme se dashuria e Zotit.
Lutje: Atë, Fjala Jote thotë se askush nuk mund ta kuptojë dashurinë Tënde të pakufishme dhe se nuk ka gjë të më ndajë nga ajo dashuri. Faleminderit për dashurinë dhe shpëtimin Tënd. Lutem në emër të Jezusit. Amen.
“Edhe ecni në dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten e tij për ne, si ofertë e flijim Perëndisë, si një parfum erëmirë.” (Efesianëve 5:2).