Atëherë Jezusi u tha judenjve që besuan në të: ‘’Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi; do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë’’. – GJONI 8:31-32
Kushdo që ka nevojë për shërim emocional dhe restaurim nga lëndimet e së shkuarës duhet të mësojë të përballet me të vërtetën. Nuk mund të jemi të lirë duke jetuar në mohim. Nëse je lënduar, bisedo me Perëndinë hapur për këtë sepse Ai kujdeset për gjithçka që të shqetëson ty.
Shumë herë njerëzit të cilët kanë vuajtur prej abuzimit ose prej ndonjë tragjedie tjetër në jetën e tyre përpiqen të jetojnë sikur s’ka ndodhur asgjë. Përvojat e hershme traumatike mund të na bëjnë të dëmtohemi emocionalisht dhe të lëndohemi më vonë në jetë, sepse ne zhvillojmë opinione dhe qëndrime për veten në bazë të asaj që na ndodhi.
Nga përvoja ime, si dhe nga vitet e mia të shërbimit ndaj të tjerëve, kam kuptuar se ne qeniet njerëzore jemi jashtëzakonisht të aftë për të ndërtuar mure dhe për të fshehur gjërat në qoshe të errëta, duke pretenduar se ato nuk kanë ndodhur kurrë. Ne e bëjmë këtë sepse mund të duket më e lehtë. Shmangia e çështjeve do të na mbajë në skllavëri, por përballja me to me ndihmën e Perëndisë do të na bëjë të lirë.
Është kaq e mrekullueshme të jesh në marrëdhënie me Jezusin, sepse ne nuk kemi pse fshihemi prej Tij. Ai tashmë di gjithçka për ne. Ne mund të vijmë gjithmonë tek Ai dhe të dimë se jemi të dashur dhe të pranuar pavarësisht çfarë kemi vuajtur apo si kemi reaguar për këtë.
Edhe pse mund të jetë e vështirë të përballesh me të vërtetën, Jezusi premton të jetë me ne dhe të na çlirojë.