Në Indinë jugore në vitin 1940 një djalosh nga fshati rreth dymbëdhjetë vjeç po ndihmonte Dr. Margaret Brand, okuliste misionare, teksa bënte operacionin e kataraktit.
Rezultoi që një nga pacientët ishte vetë nëna e djalit, e cila ishte verbuar para se djali i saj të lindte. Ajo nuk e kishte parë kurrë djalin. Dr. Brand shkruan: “Në ditën e dhjetë [pas operacionit] ndihmësi im i ri po kërcente lart e poshtë me ngazëllim, duke thënë: “Mami, a mund të më shohësh tani?”
Pasi nëna vuri syzet e saj të reja, iu deshën disa minuta që të kuptonte se mund të shihte përsëri. “E vështroi djalin e saj për një kohë të gjatë, dhe më pas, duke buzëqeshur, tha: “Biri im, gjithë këto vite mendoja se të njihja, por sot po të shoh siç je në të vërtetë.”
“Shumë herë e mendoj se e njoh dikë,” shkruan Dr. Brand:
Mendimi që krijoj për të nuk është gjithmonë pozitiv. Por Zoti më ndalon duke më thënë: “Prit një minutë. Më lejo të të tregoj se si e shoh Unë atë person.”
Të gjithë jemi pak të verbër kur bëhet fjalë për të gjykuar njerëzit. Ashtu si nëna, e cila për dymbëdhjetë vjet mund të gjykonte se si dukej djali i saj vetëm duke e prekur, ne i gjykojmë njerëzit nga përvoja që kemi përjetuar kur jemi përplasur me ashpërsinë e tyre. Për shembull, ndoshta burri ju ka kritikuar këtë mëngjes dhe mendja ju shkoi se mbase ai ishte i pakënaqur me ndonjë gjë që kishit bërë. Por nëse do të kishit parë më thellë, do ta kishit vënë re se ai ishte shumë i shqetësuar për punën e tij.
Psalmisti një herë u lut: “O Zot, Perëndia im, ndriço sytë e mi,” (Psalmi 13:3). Ne kemi nevojë për ndihmën e Perëndisë për t’i parë njerëzit ashtu siç janë në të vërtetë.
Për personin që të irriton—kërkoji Perëndisë sot, t’u bëjë një operacion hyjnor syve të tu, në mënyrë që ta shohësh atë siç e sheh Perëndia.