Lexo: Mateu 18:21-22; Kolosianëve 3:12-13
Nikola ishte zemëruar keq me vëllanë e saj dhe po bërtiste: “Shiko çfarë i bëri Xhejdi diskut tim! E prishi!”. Ajo iu kthye vëllait të saj të vogël, i cili u ul në tavolinë për të ngrënë akullore: “Mos i prek më me dorë disqet e mi!”.
I trishtuar Xhejdi tha: “Më fal, Nikola. Por disku u prish vetë.”.
Nikola e kundërshtoi: “Disqet nuk prishen vetë! E prishe ti. U tregove i pakujdesshëm dhe tani është gërvishtur i gjithi.”. Duke i drejtuar gishtin të vëllait, ajo vazhdoi të thoshte: “Këtej e tutje mos i prek më me dorë!”. Më pas shkoi në dhomën e saj për të studiuar.
Pasditen tjetër nëna shkoi në dhomën e Nikolës dhe e pyeti: “Si po shkojnë detyrat e shtëpisë? Sot kishe provim, apo jo?”.
Nikola u përgjigj duke thënë: “Po, por shumica prej nesh dolën keq. Nuk i kuptonim shumë mirë ushtrimet dhe mësuese Nela na i shpjegoi sërish. Nesër do të bëjmë një provim tjetër. Do të na japë një mundësi tjetër për të përmirësuar notat.”. Nikola buzëqeshi dhe shtoi: “Mësuese Nela është mësuese shumë e mirë.”.
Nëna pohoi me kokë dhe tha: “Do të thosha që është treguar mjaft e mirë duke ju dhënë një mundësi të dytë.”.
Pas një çasti, e menduar shtoi: “Edhe Xhejdit i duhet një mundësi e dytë.”.
Nikola pa e habitur dhe pyeti: “Pse, bën provime në kopsht Xhejdi? Po tani çfarë ka ngatërruar?”. Nëna iu përgjigj duke i thënë: “Në fakt, unë po mendoja për diskun – për atë që përdori dje – dhe mendoj se ka nevojë për një mundësi të dytë. Nuk mendon se u tregove pak e ashpër me të? Them se ende nuk e ka kaluar mërzinë. Sot ka qenë shumë i heshtur.”. Nikola uli sytë duke parë duart e saj dhe hezitoi. Në dhomë hyri Xhejdi dhe i tha të motrës: “Do t’i ruaj mënjanë lekët që më japin mami dhe babi çdo muaj dhe do të të blej një disk të ri.”.
Nikola i hodhi sytë mbi librin e matematikës dhe tundi kokën duke thënë: “Nuk je i detyruar ta bësh këtë, Xhejdi. Unë e di që nuk e gërvishte diskun me qëllim dhe më vjen keq që u solla keq për këtë.”. Nikola i buzëqeshi dhe vazhdoi: “Mund t’i përdorësh disqet e mi nëse dëshiron. Thjesht ji i kujdesshëm, mirë?”.
“Mirë!” – pranoi Xhejdi duke buzëqeshur. “Do të jem shumë i kujdesshëm!”
Po ti e ke kuptuar që Perëndia të ka dhënë një mundësi të dytë? Mbase një mundësi të tretë, të katërt, të pestë ose më shumë se kaq. Sa shpesh ke kopjuar, ke gënjyer ose nuk je bindur? Sa herë e ke zhgënjyer Perëndinë në një mënyrë ose në një tjetër? Megjithatë, kur ia ke rrëfyer Atij mëkatin tënd, Ai të ka falur gjithnjë. Mos ruan ndonjë mëri tani? A të ka zemëruar ndonjë? A nuk mendon se ai person meriton një mundësi të dytë? Kërkoji Perëndisë të të ndihmojë të falësh, ashtu siç Ai bën.
Fal!