“Fjala jote është një llambë për këmbët e mia dhe një dritë për shtegun tim”, thuhet në Psalmin 119. Ky mesazh merr një domethënie të veçantë gjatë muajit nëntor, kur miliona njerëz në mbarë botën ftohen të bëhen pjesë e një nisme globale që synon t’i rikthejë Biblës vendin qendror në jetën e përditshme.
Muaji Global i Biblës (Global Bible Month) është një sfidë 30-ditore që bashkon organizata, ministri të krishtera dhe platforma dixhitale, me një qëllim të përbashkët: të inkurajojnë njerëzit të lexojnë Fjalën e Perëndisë çdo ditë dhe të zbulojnë rëndësinë e saj në jetën e tyre. Në këtë nismë janë përfshirë organizata si Walmart, Hobby Lobby dhe aplikacioni YouVersion Bible.
Pjesëmarrësit mund ta ndjekin këtë sfidë përmes një Bible të shtypur ose nëpërmjet aplikacioneve dixhitale. Ideja është e thjeshtë, por me një ndikim të rëndësishëm: t’i kushtojnë çdo ditë kohë leximit të Shkrimit të Shenjtë dhe ta bëjnë atë pjesë të përditshmërisë së tyre.
Në vitin e dytë të kësaj nisme, fushata e vitit 2026 synon ta bëjë Biblën të pranishme edhe në disa prej hapësirave publike më të njohura dhe më të frekuentuara në botë. Bobby Gruenewald, themeluesi i aplikacionit YouVersion Bible, tregon se qindra organizata partnere kanë përgatitur plane të veçanta leximi për këtë muaj.
“Ka njerëz që kanë krijuar plane leximi të Biblës për 30 ditë. Mendoj se qindra organizata partnere kanë përgatitur plane të veçanta për Muajin Global të Biblës. Ne e kremtojmë Biblën edhe në Times Square dhe në Piccadilly Circus në Londër, si dhe në vende të tjera ikonike anembanë botës”, tha Gruenewald.
Interesi për leximin e Biblës duket se po rritet edhe në hapësirën dixhitale. Pasi YouVersion arriti një miliard shkarkime vitin e kaluar, përdorimi i aplikacionit vazhdon të rritet. Sipas Gruenewald, përdorimi i përditshëm është rritur me 13%, duke arritur në 18.5 milionë vizita çdo ditë.
Ai beson se kjo rritje lidhet edhe me kërkimin e njerëzve për të vërtetën dhe burime të besueshme informacioni, veçanërisht në një kohë kur inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën se si njerëzit marrin dhe përpunojnë informacionin.
“Unë nuk mendoj se kjo është rastësi. Besoj se sot kemi një brez që, në këtë epokë të inteligjencës artificiale, po kërkon të dijë se kujt mund t’i besojë dhe çfarë është e vërtetë. Dhe nuk ka asgjë si Fjala e Perëndisë. Prandaj, shohim njerëz që po i drejtohen Biblës në këtë kohë, ndërsa përpiqen të kuptojnë se çfarë është e vërteta”, u shpreh ai.
Një tjetër tregues interesant është se ndër fjalët më të kërkuara në aplikacionin YouVersion gjatë këtij viti janë “ankthi”, “shpresa” dhe “shërimi”. Këto kërkime pasqyrojnë nevojat dhe sfidat me të cilat përballen shumë njerëz, të cilët po kërkojnë përgjigje, ngushëllim dhe drejtim në Fjalën e Perëndisë.
Për Gruenewald, fakti që njerëzit zgjedhin t’i drejtohen Biblës në momente të tilla është një arsye për inkurajim.
“Kjo më inkurajon, sepse në momente të tilla ka shumë vende ku njerëzit mund të drejtohen, por fakti që ata po i drejtohen Fjalës së Perëndisë duhet të jetë një inkurajim për të gjithë ne”, tha ai.
Deri më tani, rreth 15 milionë njerëz i janë bashkuar nismës së Muajit Global të Biblës. Kjo lëvizje synon të shkojë përtej një sfide 30-ditore, duke i nxitur njerëzit të krijojnë një marrëdhënie më të qëndrueshme me Fjalën e Perëndisë.
Në një botë ku informacioni është gjithnjë e më i pranishëm, por jo gjithmonë i besueshëm, kjo nismë sjell një kujtesë të rëndësishme: Bibla vazhdon të jetë një burim shprese, urtësie dhe drejtimi për ata që kërkojnë të vërtetën.
