Lexo:Efesianëve 6:13-18
“Kjo thikë mezi arrin të presë gjalpin!” u ankua nëna, ndërsa përpiqej të priste rosto viçi për darkë. “Ushqimi ynë i shijshëm do të duket sikur ta kem shqyer me dhëmbë!”
Babai qeshi. “Thika nuk mund të jetë edhe aq keq,” tha ai, “por do ta marr në punishte dhe do ta mpreh më vonë këtë mbrëmje.”
Pas darkës, Liza iu afrua të atit. “Babi, kam ngecur te kjo problema në matematikë,” tha ajo. “A mund të më ndihmosh?” Ajo nxori një fletë dhe një laps. “Do përpiqem,” pranoi babai, por shumë shpejt i dorëzoi asaj lapsin. “Ke mprehëse lapsi?” e pyeti ai Lizën duke buzëqeshur. “Maja e lapsit është në fund dhe nuk mund të shkruaj fare me të.” Liza e mprehu lapsin me shpejtësi.
Në kohën e lutjes atë ditë babai lexoi disa vargje nga Letra e Efesianëve. “Mjetet jo të mprehta që kemi pasur në shtëpi sonte më bënë të mendoja për atë shpatë që asnjëherë nuk ka nevojë të mprihet, për Biblën, që është Fjala e Perëndisë,” tha ai. “Thikat dhe lapsat tonë prishen dhe shpesh kanë nevojë të mprihen, por Fjala e Perëndisë është gjithnjë e mprehtë dhe e fortë. Sigurisht që ne kemi nevojë ta nxjerrim atë shpatë dhe ta përdorim. Por kush e di se si mund ta bëjmë këtë?”
“Po ja… mendoj se e përdorim kur ne lexojmë Biblën,” sugjeroi Isaku.
“E vërtetë,” tha babai. “Shpesh Perëndia na flet kur lexojmë Fjalën e Tij. Ndonjëherë na bind për mëkat dhe na shkakton dhimbje. Ndaj mund të na duket sikur është më e mprehtë se një shpatë.”
Nëna pohoi me kokë. “Po, por është me të vërtetë një lloj dhimbjeje e mirë,
pak a shumë si dhimbja që ndiejmë kur stërvisim muskujt tanë. Është mirë për ne,” tha ajo. “Burrat dikur luftonin me shpata, ndaj mendoj se ne duhet ta përdorim Biblën kur luftojmë kundër mëkatit,” tha Isaku.
“Dhe gjithashtu kur iu flasim të tjerëve për Jezusin,” sugjeroi Liza.
“E drejtë,” miratoi babai. “Kur bëjmë këtë, është e dobishme të ndajmë atë që Perëndia thotë sepse Fjala e Tij gjithnjë e realizon atë për të cilën Ai e dërgon. Keni ide të tjera?”
“Nuk shkakton gjithnjë dhimbje,” tha nëna. “Unë ngushëllohem dhe inkurajohem kur kujtoj premtimet e shumta të Perëndisë.”
Babai pohoi me kokë. “Le të sigurohemi të gjithë që ta përdorim shpatën tonë çdo ditë,” tha ai.
Po ti po e përdor shpatën tënde, Biblën? Hape Biblën dhe lexoje çdo ditë. Mendo për atë që Perëndia thotë dhe për mënyrën se si gjen zbatim në jetën tënde. A të kujton Ai se duhet t’i besosh Atij në situata të vështira? A po të inkurajon të jesh i dobishëm në shtëpi? T’i rezistosh një mëkati të caktuar? Të ftosh dikë në shkollën e së dielës? Po të siguron Perëndia se do të jetë gjithnjë me ty? Ti do të kuptosh se Ai të jep gjithçka që ke nevojë për të jetuar për Të, për ta mbrojtur veten nga tundimi dhe për të fituar të tjerët për Jezusin.