Lexo: Gjoni 15:12-17
“E dije që në këtë botë ka vetëm tre lloj njerëzish?” pyeti një ditë Savana mësuesin e saj të shkollës të së dielës.
“Dhe cilët janë këta?” pyeti zoti Kenti.
“Ata që mund të numërojnë dhe ata që nuk munden,” tha Savana duke qeshur. Zoti Kenti hezitoi për një çast dhe më pas shpërtheu në të qeshura.
“Nuk e kuptoj. Përse po qeshni?” pyeti Leni, një nga djemtë e klasës. “Unë thashë që ka tre lloj njerëzish,” u përgjigj Savana, “por përmenda vetëm dy… ata që mund të numërojnë dhe ata që nuk munden. Dhe pa dyshim unë jam pjesë e atyre që nuk mund të numërojnë. E kuptove tani?” Leni dhe dy fëmijë të tjerë filluan të qeshnin.
“Ne mund të themi se ka vetëm dy lloj njerëzish dhe kjo nuk do të ishte shaka,” tha zoti Kenti. “Janë ata që miq të Perëndisë dhe ata që nuk janë.”
Klasa heshti për një çast. Më pas Savana tundi kokën. “Unë jam e krishterë, kështu që jam mikeshë e Perëndisë, apo jo?” pyeti ajo.
“Edhe unë,” tha Gideoni, dhe shumica e nxënësve të tjerë në klasë pohuan me kokë.
Zoti Kenti buzëqeshi. “Mirë,” tha ai. “Po rriteni në miqësi me Perëndinë? A mund ta shohin fëmijët e tjerë që Perëndia është miku juaj?”
Leni ngriti supet. “Si do ta dallonin ata këtë?” pyeti ai. “Mendoni për fëmijët në shkollë,” tha zoti Kenti.
“Si e dalloni ju kur dy njerëz janë miq?” Savana u kujtua që kishte parë disa vajza duke luajtur me litar, disa djem duke luajtur me top dhe një grup studentësh që po bisedonin dhe po qeshnin me njëri-tjetrin. “Kjo është e lehtë,” tha ajo. “Ata rrinë së bashku.”
Zoti Kenti pohoi me kokë. “Kështu zhvillohen miqësitë, duke kaluar kohë së bashku,” tha ai. “Ju u zotuat të jeni miq të Perëndisë kur e vendosët besimin tuaj tek Jezusi. Tani keni nevojë ta zhvilloni atë miqësi duke kaluar kohë me Të. Këtë e bëni duke e lejuar Atë t’ju flasë ndërsa lexoni dhe studioni Fjalën e Tij, Biblën. Ju flisni me Të nëpërmjet lutjes.” “Por ende nuk e kuptoj se si mund ta dallojnë fëmijët e tjerë që Perëndia është Miku jonë,” tha Gideoni. “Mos kini frikë t’iu tregoni atyre që kaloni kohë me Perëndinë,” u përgjigj zoti Kenti. “Ndërsa i dorëzoheni Atij, ju do t’i trajtoni të tjerët me më shumë dashuri. Vendimet tuaja do të pasqyrojnë dashurinë e Tij dhe do të tregojnë që jeni miku i Tij.”
Po rritesh në miqësinë me Perëndinë? Ai thotë se miqtë e Tij i zbatojnë urdhrat e Tij, ndaj sigurohu që të marrësh pak kohë për të mësuar se çfarë e kënaq Atë. Miqësia e Perëndisë do të ndikojë në gjërat që ti çmon, në mënyrën se si i trajton njerëzit dhe se si i shpenzon kohën dhe paratë e tua. Lejo që ajo që bën çdo ditë me jetën tënde të pasqyrojë faktin që je mik me Perëndinë.