Isaia 7:14. “Prandaj vet Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel.”
Ne e dimë që kjo profeci nga Isaia, edhe pse gjente zbatim për kohën e Isaias, gjen gjithashtu zbatim edhe në kohë të tjera. Shekuj pasi Isaia i tha ato fjalë, Jezusi u lind; një e virgjër u ngjiz, solli në jetë një djalë dhe i vunë emrin Emanuel, që do të thotë Perëndia me ne.
Një nga të vërtetat më marramendëse të Biblës është që Perëndia, krijuesi i botës, zotëruesi i universit, ai që ka gjithë fuqinë dhe gjithë autoritetin, nuk është larg nga ne. Ky Perëndi ka ardhur te ne, përmes Jezusit. Jezusi është Perëndia në mish, Perëndia në mish me ne, prania e Tij me ne.
Është mahnitëse të mendosh se ne, njerëz mëkatarë, në një botë të damkosur nga mëkati, të prisnim Perëndinë që në hirin e Tij madhështor të zbriste në tokë, të vinte në personin e Jezusit, të jetonte mes nesh dhe më pas, sikur të mos mjaftonte, të vdiste për ne. Jo vetëm kaq, por Ai e mori mëkatin tonë mbi Veten. E pagoi në vendin tonë.
Ne meritojmë të largohemi nga prania e Perëndisë, të mos jemi kurrë pranë Tij, të ndahemi prej Tij për të gjithë përjetësinë. Por prapë, Perëndia ka ardhur tek ne dhe ka bërë një rrugë që ne të jemi me të, Ai të jetë me ne, përgjithmonë, në jetë të jetëve. Kjo është tabloja që shohim në fund të Biblës. Ajo që e bën qiellin të veçantë është që ne do të jemi me Perëndinë. Ai do të jetë me ne përgjithmonë, në jetë të jetëve. Dhe e gjithë kjo është e mundur falë virgjëreshës që solli në jetë një djalë emri i të Cilit ishte Emanuel. Le të lutemi:
Jezus, ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë. Ti je Perëndia me ne. Ne të lavdërojmë që erdhe te ne. Ne të lavdërojmë që erdhe të jetosh mes nesh, Zoti Jezus. Ne të lavdërojmë që vdiqe në kryq për mëkatet tona, që u ringjalle së vdekurish me fitore mbi mëkatin dhe bëre të mundur që ne të jetojmë me Perëndinë përgjithmonë. Jezus, të falenderojmë që e bëre të mundur për ne që të jetojmë me Perëndinë përgjithmonë dhe që tani njohim praninë e Perëndisë, që po bëjmë këtë dhe që mund të lutemi para Perëndisë, që të njohim Ty, që mund të ecim me Ty, që mund të të adhurojmë, që mund të përjetojmë hirin Tënd dhe mirësinë Tënde çast pas çasti për çdo ditë të jetës. Jezus, ne të lavdërojmë. Perëndia me ne, ne të lavdërojmë, Emanuel. Faleminderit që e bëre realitet të qenit me Perëndinë në jetët tona. E gjithë lavdia shkon për emrin Tënd. Për të gjitha këto lutemi në emrin Tënd. Amen.