Lexo: 1 Korintasve 4:1-2
“Përshëndetje, zonja Begu.” Jalina përshëndeti fqinjën e saj që doli nga shtëpia, ndërsa vetë Jelina po kalonte pranë shtëpisë së saj.
“Përshëndetje, Jalina,” tha zonja Begu. “A mund të më bësh një nder? Klubi i Biblës pas shkollës në shtëpinë time do të fillojë pasnesër dhe do të doja të shpërndaja këto ftesat. A mund t’i shpërndash sot disa prej tyre?”
“Sigurisht,” pranoi Jalina. “Pa merak.” Ajo mori disa nga ftesat dhe shkoi në shtëpinë e saj.
“Zonja Begu dëshiron të shpërndaj këto ftesa sot sepse klubi i saj i Biblës fillon së shpejti,” i tregoi Jalina nënës së saj ndërsa i vendosi ftesat mbi një tavolinë. “Do të ha diçka dhe më pas do t’i shpërndaj në lagje.” Ajo hëngri disa drithëra dhe piu një gotë qumësht; më pas doli jashtë.
Pas darkës, Jalina bëri detyrat e shtëpisë, pa një emision sportiv dhe lexoi një libër. Ajo e harroi plotësisht premtimin që i kishte bërë zonjës Begu.
Ditën tjetër nëna e Jalinës gjeti ftesat. Ajo po i mbante në dorë kur Jalina hyri me furi në shtëpi pas shkolle.
Jalina menjëherë filloi t’i fliste nënës së saj për një problem që kishte pasur.
“Ah, ajo Denisa!” thirri Jalina e zemëruar. “Më tha se do të kthente një libër që kisha marrë në bibliotekë, por nuk e bëri! Tani duhet të paguaj një gjobë. Mendoj se Denisa duhet të…” Ajo reshti së foluri kur pa ato që nëna po mbante në dorë. “Oh, këto duhet t’i shpërndaja mbrëmjen e shkuar,” murmuriti Jalina, “por… thjesht harrova.”
“E mora me mend,” tha nëna. Ajo tundi kokën.
“Ti nuk u ndjeve shumë mirë kur Denisa e theu premtimin e saj, apo jo? A nuk mendon që edhe zonja Begu duhet të jetë duke u ndjerë në të njëjtën mënyrë, ose do të ndihej nëse do t’i shihte këto tani? Po Perëndia? Ai i sheh këto. Çfarë mendon se kërkon Ai që të bësh me këtë?”
“E di që ato duhet të ishin shpërndarë më herët, por unë… unë mendoj se Ai ende dëshiron që t’i shpërndaj,” murmuriti Jalina. “Do t’i shpërndaj menjëherë pasi të ha.”
Nëna vrenjti vetullat. “Mendoj se koha për ta bërë këtë është para ngrënies,” tha ajo. “Ti si mendon?”
E vendosur, Jalina pohoi me kokë dhe mori ftesat. “Do t’i shpërndaj tani,” tha ajo.
Kur thua se do të bësh diçka, a e bën? Është e lehtë të bësh premtime të shpejta, por nëse nuk mund ta ndihmosh dikë ose nuk dëshiron ta ndihmosh, thuaje menjëherë. Mos thuaj se do ta bësh diçka, duke i shtyrë të tjerët të varen tek ti, dhe më pas nuk e bën. Mbaje angazhimin. Perëndia e mban gjithnjë premtimin e Tij dhe Ai dëshiron që edhe ti ta mbash premtimin tënd.