Muaji Tetor është muaji i Nderimit të Pastorit dhe është një kohë e veçantë ku besimtarët vendosin çdo vit të nderojnë pastorët dhe familjet e tyre pastorale për punën e palodhur, përkushtimin sakrifikues dhe bekimet e shumta që marrin nga këta njerëz të veçantë.
Zakonisht është planifikuar në Tetor, por mund të mbahet në çdo kohë që është e përshtatshme për kishën dhe komunitetin. Për të mësuar më shumë mbi këtë, por edhe rolin dhe rëndësinë e pastorëve në një lidhje telefonike për programin “Zgjohu Pozitiv”, në Radio 7 ishte pastor Ali Kurti.
Ai u shpreh se pastorët meritojnë nderimin dhe vlerësimin e kishës madje dhe më gjerë atë të opinionit të qytetit ku ai jeton dhe shërben.
“Bibla na tregon se nderi dhe lavdia i përkasin Perëndisë sot dhe përjetë, por duke nderuar pastorin, duke nderuar shërbëtorin e Zotit, nuk po bëjmë gjë tjetër veçse po nderojmë Perëndinë. Po nderojmë atë person që Perëndia ka thirrur për t’i shërbyer kishës së tij. Atë që rri zgjuar për shpirtrat e besimtarëve, atë që është përkushtuar me gjithë jetën e tij për t’i shërbyer kishës së Zotit, mbretërisë se Perëndisë, emrit të Zotit Jezu Krisht. Në të vërtetë besimtarët nuk dinë shumë gjëra për pastorin, besimtarët nuk dinë tundimet nëpër të cilat një pastor kalon, nuk dinë sekretet që ai duhet të mbajë, nuk dinë lotët që ai derdh përpara Zotit për bijtë e Perëndisë, për kishën e Zotit, nuk dinë keqardhjet që ai duron, refuzimet që ai përballon, vetminë që ai ndonjëherë duhet të kalojë, nuk dinë se si ai e menaxhon hidhërimin që të tjerët derdhin mbi të, ose gënjeshtrat që fliten mbas shpine për të, e të gjitha këto meritojnë nderim për pastorin, për përkushimin e tij, për sakrificat e tij”.
Më tej, pastor Kurti shprehet se gjithçka që besimtarët në kishë mund të bëjnë për pastorin e tyre është të luten për të. Ata duhet ta rrethojnë pastorin, familjen e tij dhe jetën e tyre me një mur mbrojtjeje me gjakun e Krishtit, që çdo shigjetë që vjen kundër të mos ketë sukses po të thyhet dhe të kthehet mbrapsht.
“Gjithçka që besimtarët në kishë mund të bëjnë për pastorin e tyre është të luten për të. Asnjë ditë të mos u kalojë atyre pa u lutur për pastorin e tyre, të urojnë nga zemra e tyre më të mirën për pastorin. Të mundohen që ta kuptojnë pastorin e tyre, sfidat nëpër të cilat ai kalon dhe hesht. Së pari, unë mendoj që ata duhet të luten për një marrëdhënie të fortë të pastorit të tyre me Zotin sepse nga marrëdhënia me Zotin buron marrëdhënia me familjen e besimit, marrëdhënia me kishën. Nga kjo marrëdhënie me Zotin ai merr ushqimin që duhet t’i transmetojë kishës. Besimtarët duhet të luten për një jetë të pasur frymore dhe për një disiplinë frymërore për pastorin e tyre. Të luten për vizion në jetën dhe shërbesën e pastorit në mënyrë që të marrë nga Perëndia dhe të mund t’i japë kishës, në mënyrë që mbretëria e Perëndisë në atë rajon të rritet dhe të bëhet e madhe. Pastori ka nevojë për krahë, të luten që persona do të mbështesin pastorin, do të forcojnë krahët e tij në mënyrë që shërbesa e Zotit të rritet. Gjithashtu sugjeroj që ata duhet të luten për familjen e pastorit, të luten për gruan e pastorit, për fëmijët e tij sepse duke qenë kjo familje një familje e rëndësishme në qytetin apo rajonin ku ajo shërben, sulmet e errësirës, sulmet e Satanit janë më të mëdha mbi këtë familje me qëllim për ta shmangur, për ta devijuar nga fokusi dhe shërbesa. Besimtarët duhet të mbrojnë në lutje familjen e pastorit, duhet ta rrethojnë këtë familje dhe jetën e pastorit më një mur mbrojtje me gjakun e Krishtit, që çdo shigjetë që vjen kundër të mos ketë mbarësi po të thyhet dhe të kthehet mbrapsht”.