Për njerëzit e besimit të Krishterë, Pashka është festa më e rëndësishme e vitit. Për të Krishterët kjo është dita ku festohet ringjallja e Krishtit. Sipas ungjijve të Dhjatës së Re, Jezu Krishti dhe apostujt e tij hynë në Jeruzalem për të parë nga afër Pashkën. Kjo ishte një festë e shenjtë e hebrenjve ku ata festonin çlirimin e tyre nga skllavëria. Pas darkës së Pashkës, Krishti u arrestua dhe në ditën që sot quhet “ E premtja e mirë”, ai u kryqëzua. Dy ditë më vonë ai u ngrit prej të vdekurish. Ata që kishin origjinë hebreje ishin të parët që e festuan këtë ringjallje. Kjo festë quhej Pashka e cila rrjedh nga fjala “ Pesach”, një fjalë hebraisht e përdorur për të shprehur konceptin “të kalosh përtej” .
Përveç rëndësisë së saj të pamohueshme, Pashka është bërë edhe një festë popullore sekulare. Kjo falë simboleve kaq shumë të përhapura sot, si Lepuri i Pashkës, apo vezëve të dekoruara e plot ngjyra dhe patjetër çokollatave. E dhëna e parë historike që regjistrohet për Pashkën, daton në shekullin e dytë. Por nga vjen ky simbol kaq i përhapur siç është Lepuri i Pashkës?
Lepuri është njohur si simbol antik i fertilitetit dhe i jetës së re. Këto janë dy ide të cilat janë shumë të lidhura me pranverën. Shumë shpejt europianët e lidhën këtë simbol me Pashkët dhe ai u përhap sidomos në shekullin e 17 në të gjithë Europën. Dhe mbërriti në Amerikë me shumë mundësi një shekull më vonë, pasi u soll aty prej emigrantëve gjermanë.
Por lepuri i Pashkës nuk është kafsha e vetme që lidhet me Pashkën. Në Zvicër fëmijët besojnë se është një shpend ai që shpërndan vezët e Pashkës. Në disa zona të Gjermanisë fëmijët presin për dhelprën e pashkës, për zogjtë e vegjël push verdhë, për gjelin apo lejlekun që do të sjellë çokollata. Vezët gjithashtu simbolizojnë fertilitetin dhe ripërtëritjen dhe ato janë bërë pjesë e këtyre festimeve. Dekorimi i vezëve është një ndër zakonet më të vjetra që bëhet për Pashkë.
Një nga zakonet më ekstravagante që u lidh me festën e Pashkës, u krijua në Rusi, në fund shekullit të 19, kur oborrtarë dhe anëtarë të shoqërisë së lartë, filluan t’i dhuronin njëri-tjetrit vezë prej metalesh të çmuar e të dekoruara me gurë shumë të veçantë.
Por për pjesën më të madhe të amerikanëve, Pashka lidhet me gjërat e ëmbla siç janë karamelet. Prodhuesit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prodhojnë 90 milionë lepurushë prej çokollate dhe 16 bilion karamele prej xhelatine (jelly bean).
Në ditët që jetojmë për Pashkë shiten karamele dhe çokollata më shumë se në çdo festë tjetër. Dhe më shumë se 88 % e prindërve amerikanë përgatisin shportat e Pashkës që janë të mbushura më ëmbëlsira për fëmijët e tyre. Pashka është një nga festat që kremtohen më shumë.
Por a a jemi të fokusuar vërtetë tek ringjallja e Krishtit?
Gjithmonë e më shumë, njësoj siç po ndodh edhe me Krishtlindjen, kjo festë po komercializohet. Njerëzit fokusohen kaq shumë tek gjërat e bukura, tek simbolet e tek zakonet sa që lenë mënjanë protagonistin e kësaj feste. Duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë se Shpëtimtari ynë vdiq mbi kryq dhe të tretën ditë u ringjall dhe se për këtë arsye ne kemi gëzim në zemrën tonë dhe festojmë për çdo vit.