Lexo: Psalmi 37:1-9
Ndërsa Brendoni tërhiqte lopatën e tij të dëborës për në shtëpi, ajri i ftohtë dukej sikur po i futej në palcë. Pastrimi i dëborës në oborrin dhe rrugën e zonjës Uoker kishte qenë një punë e lodhshme, veçanërisht për faktin që e kishte bërë vetëm.
Brendoni u gëzua kur mësoi që nëna kishte përgatitur një filxhan me çokollatë të nxehtë që e priste kur u kthye në shtëpi. “Faleminderit,” tha ai duke psherëtirë ndërkohë që u ul në një karrige në kuzhinë. “E di çfarë, mami? Ndonjëherë pyes nëse shpërblehemi kur bëjmë gjënë e duhur. Dua të them… thjesht nuk më duket e drejtë.”
Nëna pa e habitur. “Përse e thua këtë?” pyeti ajo.
“Po ja, unë dhe Çadi i dhamë fjalën zonjë Uoker se pas mësimit sot do ta pastronim ne dëborën në oborrin e saj,” shpjegoi Brendoni, “por më pas, zoti Gordon ofroi të paguante gjithkënd që do të vinte dhe do ta ndihmonte për të pastruar oborrin e tij të gjatë. Çadi shkoi dhe ndihmoi zotin Gordon! Ai nuk e mbajti fjalën që kishte dhënë, dhe madje u shpërblye për atë!”
“Kjo nuk duket e drejtë,” pranoi nëna. “Por… e di, Brendon, Bibla na tregon të mos kemi zili ata që duket sikur shpërblehen për diçka të gabuar që bëjnë.
Perëndia e shikon atë që ndodh dhe do të vijë dita kur Ai do t’i shpërblejë ata që i kanë shërbyer dhe iu kanë bindur Atij.”
Tani, babai, që kishte qenë duke dëgjuar nga dhoma e ndenjes, hyri në kuzhinë duke buzëqeshur. “I dëgjova të gjitha,” tha ai, “dhe jam shumë krenar për atë që ke bërë sot, bir.”
“Faleminderit, babi,” murmuriti Brendoni, “por…” Ai pa të atin. “A i thyejnë premtimet edhe njerëzit me të cilët ti punon? Dhe a shpërblehen për atë gjë?”
“Më vjen keq të them që rregullisht takoj biznesmenë që duket se përfitojnë duke qenë të pandershëm ose duke mos i mbajtur premtimet,” u përgjigj babai. “Ndonjëherë as mua nuk më duket e drejtë, por kur na duken të padrejta gjërat, kjo na ndihmon të kujtojmë që Perëndia është i drejtë. Ne do t’i japim llogari Atij, dhe ashtu si tha mami, një ditë do të shpërblehemi që kemi bërë gjërat e duhura.” Ai rrahu shpatullën e Brendonit. “Përpiqu të mos e harrosh këtë.”
Brendoni tundi kokën. Ai filloi të ndihej më mirë për situatën. “Mirë,” tha ai. “Nëse djemtë e tjerë më tregojnë sesa shumë para kanë fituar këtë pasdite, do të përpiqem të kujtoj që shpërblimi im do të vijë më vonë.”
A të duket sikur të tjerët përfitojnë duke bërë atë që është e gabuar? A njeh fëmijë të cilët nuk ndëshkohen që kopjojnë, që vjedhin ose që gënjejnë? Në të vërtetë, ata nuk do të mbesin pa marrë atë që meritojnë. Duket sikur shpëtojnë për një kohë të shkurtër, por Perëndia e di se çfarë po ndodh, dhe Ai thotë të besojmë në Të. Vazhdo të bësh atë që mendon se është e drejtë. Ai do të të shpërblejë për atë gjë.