Pastaj u tha dishepujve të vet: «Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. (Luka 12:22)
Miku im Wayne Peders, letrat dhe e-mailet e tij i mbyllte me fjalët: “Shikoni përpara!” Nuk shkruan më kështu! Tashmë e ka ndryshuar në; “Jeto të sotmen!” Ai zbuloi se ndërsa shikonte gjithmonë përpara duke synuar të arrinte qëllime dhe objektiva, ai nuk arriti të shikonte një pjesë të madhe të udhëtimit. Ja si e përshkruan ai: “Isha në një mbledhje dhe po kontrolloja mesazhet në celularin tim, kur drejtuesi më bëri një pyetje. Isha komplet jashtë diskutimit. U kapa mat!
Asistentja ime administrative po më thoshte diçka të rëndësishme ndërsa unë shfletoja grumbullin e madh të letrave në tavolinën time. Ajo më tha: “Nuk po më dëgjon, apo jo?” U kapa mat!
Po flisja në telefon me një mik, por ndërsa ai ishte duke folur unë isha duke shkruar mesazhe. Ai duhet të ketë dëgjuar zhurmën e tastierës, sepse e la fjalinë në gjysmë dhe tha: “Mos po shkruan mesazhe, apo jo?” U kapa mat!
Pastaj ai pyeti: “Sa herë kemi qenë të zënë me mendimet tona ndërsa personi më i dashur në botë po na thoshte diçka shumë të rëndësishme për të? ‘Të kujtohet, ta thashë javën e kaluar.’” I kapur mat sërish.
Pasi të gjitha këto ngjarje erdhën në fokus të jetës së tij personale, Wayne kuptoi se ai ishte aq i përqendruar në atë që ai donte të ndodhte në të ardhmen saqë nuk po shijonte të sotmen. Ai rrëfeu atë që shumë prej nesh duhet ta pranojnë. Ai tha: “Kur unë shkoj për të vrapuar, në vend që të shijoj ajrin e pastër, pamjen dhe ushtrimet, e gjej veten duke menduar: “Mezi pres që të mbaroj.’”
Ndërsa ishte duke pritur fluturimin, ai mori një libër në aeroport me titull “The Present” (E tashmja), nga Spencer Johnson. Ky autor i mirënjohur në botën e biznesit thotë: “Kur ju pranoni të tashmen, nuk e harxhoni më kohën duke ëndërruar të jeni diku tjetër. Qëllimi juaj është vetëm në atë që po ndodh në atë moment. Të qëndrosh në të tashmen do të thotë të fokusohesh në atë që po ndodh në atë moment.
Dhe kur u mblodhën të gjitha këto, Wayne filloi të kuptonte se ishte koha për të bërë disa ndryshime personale, dhe e ndryshoi fokusin e tij nga e ardhmja në të sotmen! Ai e përmbyll duke thënë: “Kur jam me nipërit e mi, nuk mendoj më për atë artikullin që duhet të shkruaj. Kur vrapoj… Tani shijoj pamjen. Dhe kur jam në një mbledhje, nuk do të kontrolloj mesazhet ose shënimet për mbledhjen tjetër. Nëse më kapni duke e bërë këtë, më shikoni dhe më thoni: “Të kapa mat!”’
Nuhasni aromën e luleve, merrni kohë të shijoni habinë e fëmijëve tuaj ndërsa zbulojnë diçka të re, vëreni buzëqeshjen e gruas tuaj dhe shijoni shtrëngimin e duarve tuaja. Jo më kot Bibla e përmend fjalën ‘sot’ 194 herë dhe ‘nesër’ vetëm 81 herë. Fokusi i Perëndisë është në të sotmen. Është e vetmja kohë në jetën tuaj për të cilën mund të bëni diçka. E sotmja është një dhuratë që na jepet për ta shijuar. Mos e humbisni!