Le të shkojmë në prani të tij me lavde, ta kremtojmë me këngë. Sepse Zoti është një Perëndi i madh dhe një Mbret i madh mbi gjithë perënditë. Psalmi 95:2-3
Falenderimi- a është një ditë e caktuar për t’u festuar, një sjellje, apo reflektimi i zemrës sate? Mund të jetë të gjitha këto së bashku. Në disa vende të botës, është lënë një ditë e caktuar për të festuar falenderimin, zakonisht në vjeshtë pas mbledhjes të të korrave. Në veri të ekuatorit, kjo ditë bie zakonisht në muajin e Nëntorit. Në Jug të Ekuatorit, ku stinët janë në të kundërt, mund të bjerë në Mars apo në Prill. Në Kanada, festohet të hënën e dytë të Tetorit. Në Liberi Dita e Falenderimeve është të Enjten e parë të Nëntorit. Në Shtetet e Bashkuara, është festuar tradicionalisht të Enjten e katërt të Nëntorit dhe kjo është një festë zyrtare e cila na kujton për rëndësinë e falenderimit.
Në kombe të tjera, nuk ka një ditë të caktuar për të; mund të ketë disa Festivale të të Korrave që vihen re në kisha, ku anëtarët kujtohen se janë bekuar dhe se nga bollëku i tyre duhet t’u japin edhe atyre që kanë më pak.
Zakoni i festimit të një dite të veçantë, apo të festimit në një periudhë të caktuar për falenderimin, është i vjetër, e më së pari është nisur nga vetë Zoti, kur ai instruktoi Izraelin e lashtë që për një javë me radhë të festonin në shenjë mirënjohjeje për të korrat që Zoti kishte siguruar. E njohur ndryshe si Festa e të Korrave, kjo ishte një kohë për t’u kënaqur e për të falenderuar për shirat, e për dritën e diellit që sillnin prodhimin, Përpara se njerëzit të festonin, një pjesë e grurit që merrej nga të korrat, sillej tek tabërnakulli apo tempulli dhe i paraqitej Perëndisë duke kënduar dhe duke gëzuar. ( Shiko Levitiku 23:9-14).
Ky festim bëhej në bashkësi- të gjithë merrnin pjesë. E sërish ishte edhe personal, sepse gjithsecili reflektonte mbi burimin e bekimeve që kishte në jetën e tij. Një nga përfitimet kryesore ishte se jeta vinte në një pikë kulmore. I gjithë tregu mund të merrte prodhim të bollshëm, dhe të mbjellat jepnin tani prodhimin e tyre. Njerëzit kishin kohë të reflektonin mbi burimin e të ardhurave të tyre, ndërkohë që merrnin një kohë pushimi nga punët e tyre të zakonshme, e gjithashtu ata mendonin më shumë se si Zoti i kishte bekuar. Prej këtyre reflektimeve ata kuptonin që ishte Perëndia- jo thjesht përpjekjet e tyre- që kishte sjellë të korrat.
Që prej Luftës së 2-të Botërore, kemi parë një migrim masiv drejt qytetit, e gjithmonë e më shumë njerëzit braktisin fermat e tyre të vogla dhe zënë një punë në fabrikë apo në një market. Ka humbur ndjesia e të pasurit afërsi me tokën, freskia e dheut që kthehet në momentin kur plugohet dhe në të hidhen farat, aroma e shiut të verës dhe aroma e plotë e bollëkut që ndihet gjatë të korrave në fund të vjeshtës, stinës që rrit dhe pjek frutat. E me këtë kalim nga fshati në qytet, ne kemi humbur gjithashtu afërsinë me natyrën, e të kuptuarit se pa rolin që Perëndia luan në të korrat tona, ne do të përballeshim me një uri të pashmangshme.
Disa thonë se ky brez nuk është falenderues sa duhet. E shumë pak do ta mohonin se mëkati i mosmirënjohjes, është një ndër fajet më të mëdha që ne kemi; e megjithatë në disa raste njerëzit nuk e bëjnë këtë gjë me qëllim, apo me vetëdije. Mëkati i tyre i shpërfilljes së rolit të Perëndisë,vjen ngaqë janë shumë larg prej të korrave, e janë shumë të zënë për të marrë kohë e për të reflektuar mbi njohuritë dhe gjithë dijen e Perëndisë, që siguron dritën e diellit dhe shiun, që kontrollon tregjet që krijojnë punë për njerëzit, e kjo më pas të lejon që të ushqesh familjen.
Shumë shpesh mosmirënjohja vjen si rrjedhojë e mëkatit, duke qenë se je vazhdimisht i zënë, më shumë se sa nga mëkati i të qenit indiferent. Ajo vjen si pasojë e faktit se ne nuk marrim kohën e duhur për të numëruar bekimet tona. Jam i vetëdijshëm se ka shumë gjëra në jetë që sjellin vuajtje dhe dhembje, por falenderimi nuk reflekton mbi atë se çfarë është e gabuar në jetët tona dhe në botë; por në vend të kësaj fokusohet në atë çfarë është e drejtë në një botë të thyer dhe jo të përsosur. Për shkak të bekimeve të Zotit- e jo për shkak të dështimeve të njeriut- ne falenderojmë.
Nëse fokusohemi në mirësinë e Tij, do të shohim se mund të këndojmë një pafundësi këngësh për të falenderuar dhe për të lavdëruar.