Nga Dr.Baruch Korman
Shumica e ndjekësve të Jezusit ndoshta nuk kanë njohuri per datën nëntë të muajit Avi (Tisha B’Av) sipas kalendarit hebraik. Kjo është një ditë zie për popullin hebre, pasi si Tempulli i Parë ashtu edhe Tempulli i Dytë u shkatërruan pikërisht në këtë datë. Ky shkatërrim nuk ishte rastësi, sepse emri Av do të thotë Atë, dhe ishte Perëndia i Izraelit Ai që lejoi shkatërrimin e të dy Tempujve si shenjë e pakënaqësisë së Tij ndaj popullit të Izraelit, i cili ose kishte rënë në idhujtari, ose ushqente urrejtje të pabazë ndaj njëri-tjetrit.
Është tradite që ata që janë të përkushtuar ndaj Perëndisë së Izraelit të lexojnë publikisht librin e Vajtimeve në këtë kohë. Ky libër quhet në hebraisht אֵיכָה (Eikhah), që mund të përkthehet me shprehjen: “Si vallë, o Perëndi?” Për komunitetin hebraik ishte e paimagjinueshme të besonte se vetë Perëndia do të sillte shkatërrimin e Tempullit të Tij.
Një nga mesazhet kryesore të librit të Vajtimeve është se Perëndia do t’i mbajë të gjithë njerëzit përgjegjës për mëkatin. I njëjti mesazh dëshmohet edhe nga Kryqi. Libri i Vajtimeve është një libër me thellësi të madhe frymërore, i përbërë vetëm nga pesë kapituj. Në qendër të tij nuk është vetëm shkatërrimi i Tempullit, por edhe rrënimi i qytetit të Jeruzalemit.
Në Vajtimet 2:17 lexojmë:
עָשָׂה יְהוָה אֲשֶׁר זָמָם בִּצַּע אֶמְרָתוֹ אֲשֶׁר צִוָּה מִימֵי-קֶדֶם הָרַס וְלֹא חָמָל וַיְשַׂמַּח עָלַיִךְ אוֹיֵב הֵרִים קֶרֶן צָרָיִךְ.
“Zoti ka realizuar atë që kishte menduar; ka mbajtur fjalën që kishte dekretuar në ditët e lashta. Ka shkatërruar pa asnjë mëshirë, ka gëzuar armikun tënd dhe ka ngritur fuqinë e kundërshtarëve të tu”
(Vajtimet 2:17)
Jeruzalemit i ndodhi pikërisht ajo që kishte paralajmëruar Zoti. Asgjë nuk duhej t’i kishte habitur banorët e Jeruzalemit. Profeti Jeremia e kishte paralajmëruar popullin, por ata nuk pranuan të largoheshin nga idhujtaria dhe t’i bindeshin Perëndisë. Kjo ishte një mosbindje e qëllimshme, e rrënjosur në frymë rrebelimi.
Profeti Jeremia e kuptoi se populli po mbështetej në faktin se Tempulli ndodhej në Jeruzalem, në vend që të pendohej dhe të hiqte dorë nga rrugët idhujtare.
“Mos u besoni fjalëve mashtruese duke thënë: ‘Tempulli i Zotit, Tempulli i Zotit, Tempulli i Zotit është ky!'”
(Jeremia 7:4)
Sado e rëndë të ishte gjendja për Judën dhe Jeruzalemin, Zoti u jep shpresë njerëzve të Tij. Në Vajtimet 3:31 thuhet:
“Sepse Zoti nuk hedh poshtë përgjithnjë.”
(Vajtimet 3:31)
Kryefjala e kësaj fjalie është fjala hebraike אֲדֹנָי (Adonai), e cila fjalë për fjalë do të thotë “Zotëria im” ose “Mjeshtri im”. Është e qartë se këtu i referohet vetë Perëndisë, por shumë përkthyes nuk e ruajnë kuptimin e saj të mirëfilltë dhe e përkthejnë thjesht si “Zoti”.
Titulli Adonai (“Zot, Mjeshtër”) shfaqet rreth 448 herë në Shkrimet Hebraike si një mënyrë nderimi ndaj të vetmit Perëndi të vërtetë. Edhe pse zakonisht përkthehet “Zoti”, rrënja hebraike אדון (adon) nënkupton në kuptimin më të thjeshtë “mjeshtër” ose “zotëri”.
Për shkak të respektit ndaj Tetragramit יהוה (YHWH), kur haset ky Emër me katër shkronja, tradicionalisht ai lexohet Adonai. Arsyeja është se, sipas traditës hebraike, në mungesë të Tempullit nuk lejohet shqiptimi i Emrit hyjnor יהוה, prandaj përdoret emërtimi Adonai.
Në librin e Vajtimeve gjendet gjithashtu një referim i qartë ndaj Mesisë në kapitullin 4:20. Është domethënëse që ky kapitull përfundon me një fjalë të fuqishme shprese. Në Vajtimet 4:22 thuhet:
“Mbaroi ndëshkimi për paudhësinë tënde, o bijë e Sionit; Ai nuk do të të çojë më në mërgim. Por do të kërkojë llogari për paudhësinë tënde, o bijë e Edomit; Ai i ka zbuluar mëkatet e tua.”
(Vajtimet 4:22)
Ky varg shpreh një ndryshim të madh: është fundi I mëkatit të Izraelit, ndërsa Zoti do të ndëshkojë paudhësinë e bijës së Edomit. Në kuptimin profetik, Edomi përfaqëson një armik të Izraelit në kohët e fundit, i cili përfundimisht do të shkatërrohet. Humbja e Edomit do t’i hapë rrugën vendosjes së Mbretërisë së Perëndisë: fillimisht Mbretërisë së Mijëvjeçarit dhe më pas gjendjes së përjetshme të Mbretërisë së Perëndisë, me Jeruzalemin e Ri.
Agjërimi i datës nëntë të Avit përmendet në Bibël te Zakaria 8:19 si agjërimi i muajit të pestë. Në këtë varg, profeti Zakaria shpall një premtim të mrekullueshëm: këto ditë agjërimi do të shndërrohen në ditë gëzimi, hareje dhe festa të shenjta, kur vullneti i Perëndisë do të përmbushet.
“Kështu thotë Zoti i ushtrive: Agjërimi i muajit të katërt, agjërimi i të pestit, agjërimi i të shtatit dhe agjërimi i të dhjetit do të bëhen për shtëpinë e Judës një periudhë gëzimi, hareje dhe festash të gëzuara; prandaj duajeni të vërtetën dhe paqen.” (Zakaria 8:19)
Në këtë varg shfaqet fjala hebraike הַשָּׁלוֹם (ha-shalom). Edhe pse shumica e përkthyesve e përkthejnë si “paqe”, teknikisht kjo nuk është e saktë. Një studim I fjalës zbulon se הַשָּׁלוֹם kjo fjalë e përkthyer, shalom ka të bëjë me përmbushjen e vullnetit të Perëndisë. Kjo do të thotë se të gjitha këto ditë agjërimi, të lidhura me shkatërrimin që solli mbi Judën dhe Jeruzalemin Perandoria Babilonase, do të shndërrohen në ditë gëzimi dhe hareje, në festa të shenjta që do të shpallin mirësinë e
Zotit të Ushtrive; dhe populli i Perëndisë do ta dojë të vërtetën e Tij dhe përmbushjen e vullnetit të Tij.
Uroj që kremtimi juaj i Tisha B’Av të jetë një përjetim me domethënie të thellë frymërore.
