Lajmi Fundit
prev next

Rruga e Davidit si shërbëtor i Zotit

Gjithçka që hasim dhe durojmë në jetë është pjesë e planit të madh të Perëndisë.

Psalmi 89:19-29

Zoti zgjodhi Davidin që të ishte shërbëtori i Tij dhe e përgatiti për atë thirrje. Duke ndjekur fazat e ndryshme të jetës së tij – nga gjërat që ai përjetoi si një djalë i thjeshtë bari deri tek arritjet e tij si një sundimtar heroik – mund të shohim se si Zoti e përgatiti Davidin që të përdorej fuqishëm.

Bariu: Në kohën kur Davidi u vajos  si mbret, ai nuk kishte pasur autoritet mbi asgjë përveçse deleve (1 Samuelit 16:1-13). Përulësia ishte vendi fillestar i stërvitjes për t’u bërë shërbëtor i Perëndisë si mbret i Izraelit.

Psalmisti: Davidi vuajti shumë mundime gjatë rrugës për në fron dhe shkrimet e tij zbulojnë se si ato vështirësi e afruan më shumë me  Perëndinë. Psalmet e tij pasqyrojnë marrëdhënien e tij  intime me Perëndinë që ai njihte dhe besonte thellë.

Komandanti: Mbreti Saul e vuri Davidin në krye të ushtrisë së tij, por më vonë u kthye kundër të riut. Ndërsa fshihej nga Sauli, ai udhëhoqi një grup njerëzish të fuqishëm (1 Kronikave 12). Shumë kohë përpara se Davidi të bëhej mbret, Perëndia i përdori këta ushtarë për të mposhtur armiqtë e huaj dhe për të mbrojtur popullin e Judës.

Zoti po punon edhe në jetën tuaj, duke ju dhënë formë si shërbëtorin e Tij. Vështirësitë dhe pengesat tuaja kanë një vend në planin e Tij dhe Ai po i përdor ato për t’ju trajnuar për atë që ju pret përpara.

BINDJA NDAJ URDHËRIMEVE TË PERËNDISË

Sot do të lexojmë nga Eksodi, kapitulli 10, vargjet 1 deri në 17. Këto janë dhjetë urdhërimet dhe ky është një nga pasazhet më të njohur në Bibël. Unë dua ta lexoj të gjithë pasazhin dhe më pas të jap mendimin tim që do të na drejtojë në lutje. Pra, Eksodi, kapitulli 20, vargjet 1 deri në 17. “Atëherë Perëndia shqiptoi tërë këto fjalë, duke thënë: «Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë.” Mbajini mend këto fjalë. Këto janë themeli. Këtu dua të kthehem kur t’i mbaroj të dhjetë urdhërimet. Urdhërimi i parë është ky: “Mos ki perëndi të tjerë para meje.”. Në këtë pasazh Perëndia paraqet dhjetë urdhërime ku qartazi disa prej tyre janë urdhërime themelore të Tij.

Urdhërimi i dytë është ky: “Mos bëj skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. Mos u përkul para tyre dhe as mos u shërbe, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz, që dënon paudhësinë e etërve mbi fëmijët e tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë, dhe unë përdor dashamirësi për mijëra, për ata që më duan dhe që zbatojnë urdhërimet e mia.”.

Urdhërimi i tretë është ky: “Mos e përdor emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot, sepse Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij.” Urdhërimi i katërt është ky: “Mbaje mend ditën e shabatit për ta shenjtëruar. Puno gjashtë ditë dhe në ato bëj të gjithë punën tënde; por dita e shtatë është shabat, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; mos bëj në atë ditë asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafshët e tua, as i huaji që ndodhet brenda portave të tua; sepse në gjashtë ditë Zoti krijoi qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në ta, dhe ditën e shtatë ai pushoi; prandaj Zoti e ka bekuar ditën e shabatit dhe e ka shenjtëruar atë.”.

Urdhërimi i pestë është ky: “Ndero atin tënd dhe nënën tënde, me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep.”. Urdhërimi i gjashtë është ky: “Mos vrit.”. Urdhërimi i shtatë është ky:  “Mos shkel besnikërinë bashkëshortore.”. Urdhërimi i tetë është ky: “Mos vidh.”. Urdhërimi i nëntë është ky:  “Mos bëj dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd.”. Dhe urdhërimi i dhjetë është ky: “Mos dëshiro shtëpinë e të afërmit tënd; mos dëshiro gruan e të afërmit tënd, as shërbëtorin e tij, as shërbëtoren e tij, as lopën e tij, as gomarin e tij, as ndonjë gjë tjetër që është e të afërmit tënd.”.

Pra, Perëndia i jep popullit të Tij dhjetë urdhërime. Të gjitha urdhërimet burojnë nga vargu dy ku Perëndia thotë: “Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë.” Dhe piktura që dua të shihni dhe që do të na drejtojë në lutje është që Perëndia e çliroi popullin e Tij që ata të mund t’i bindeshin urdhërimeve të Tij dhe në këtë liri dhe bindje ata të mund ta përjetonin jetën në plotësi. Më lejoni ta them edhe njëherë këtë. Perëndia e çliroi popullin e Tij që ata të mund t’i bindeshin urdhërimeve të Tij dhe në këtë liri dhe bindje ata të mund ta përjetonin jetën në plotësi.

Pra, Perëndi, ne lutemi sipas përshkrimit në kapitullin 20 të Eksodit. Ne të falënderojmë që na shpëtove nga skllavëria e mëkatit, nga skllavëria e vetes, nga skllavëria e gjërave, nga mënyrat e kësaj bote. Ne të lavdërojmë që na shpëtove nga dënimi i mëkatit që është vdekja. Jezus, Ti je Zoti, Perëndia ynë. Ne të lavdërojmë që vdiqe në kryq për mëkatet tona, që na nxore jashtë skllavërisë së mëkatit me qëllim që të bindeshim Ty. Perëndi, të falënderoj që i çlirove shpirtrat tanë me qëllim që t’u bindemi urdhërimeve të Tua, që të ecim në shtigjet e Tua dhe që duke bërë këtë, ne të përjetojmë jetë. Perëndi, unë lutem që të gjithë ata që po dëgjojnë tani të dinë se me anë të besimit te Jezusi, ata janë bërë të lirë nga mëkati për t’u bindur Ty.

Perëndi, na ndihmo t’i bindemi urdhërimeve të Tua. Na ndihmo të ecim në shtigjet e Tua sot, në të gjitha shtigjet që na tregohen në Fjalën Tënde. Perëndi, ne lutemi që të mund të përjetojmë jetë me bollëk. Unë lutem për jetë me bollëk me anë të hirit që është i disponueshëm në Krishtin dhe liri nga mëkati për të ecur në shtigjet e Tua.

Perëndi, ne të lavdërojmë për atë që bëre te Eksodi, kapitulli 20, për atë që ke bërë në jetët tona me anë të gjakut të Jezusit në kryq dhe vdekjes së Tij për mëkatet tona, ringjalljes së Tij prej së vdekurish. Ne të lavdërojmë për lirinë që kemi dhe lutemi që të na ndihmosh të ecim me bindje sot që të përjetojmë jetë me bollëk, jetë që Ti e ke mundësuar për ne. Në emrin e Jezusit lutemi, amen.

Dhembja, mirëqenia dhe pushteti

Sepse ne nuk kemi asgjë me vete në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete. (1 e Timoteut 6:7)

Dhembja, mirëqenia dhe pushteti kanë shumë të përbashkëta. Ato i ngjajnë katalizatorit në një laborator i cili precipiton ndryshimet  kimike në një substancë të dhënë. Këto tre faktorë, arrijnë të ndryshojnë personat që përballen me to. Në një lloj mënyre, janë njësoj si larguesit e njollave të shpirtit,  nxjerrin në pah karakterin e vërtetë të një personi.

Dhembja, ka qenë me ne që në ditën kur Kaini goditi dhe vrau vëllanë e tij, por dhembja fizike u ndoq nga dhembja emocionale, kur prindërit tanë të parë, panë jetët e tyre të përmbysura, duke e ditur se kishin humbur një djalë, edhe që djali që kishte mbetur ishte një vrasës.

C.S. Luis, një apologjist i Krishterë, e mendonte dhembjen si megafonin e Zotit- dhembja të tërheq vëmendjen si pak gjëra të tjera në gjithë jetën. Disa mendojnë se mungesa e dhembjes është dhuratë dhe hir nga Perëndia; të tjerët e përjetojnë hirin e vërtetë të Perëndisë në kohë dhembjesh  të forta dhe në mënyra që ata kurrë nuk do t’i kishin menduar.

Arsyeja se përse disa vuajnë dhe përse disa të tjerë jo, nuk ka të bëjë me të qenit në mëkat, apo të qenit i drejtë. Edhe pse për të thënë të vërtetën, zgjedhjet e këqija, duke përfshirë këtu, veprime rebelimi kundër Zotit dhe vullnetit të Tij për ne, prodhojnë vuajtje dhe dhembje.

Pali, i thirri Zotit në tre raste të ndryshme, duke i kërkuar atij që të shëronte trupin e tij. Në vend të shërimit ai gjeti hirin e Perëndisë, e mësoi se në dobësinë e tij njerëzore gjendej fuqia e madhe e Zotit.

Varfëria dhe mirëqenia nuk  janë as shpërblim e as mallkim, por të dyja arrijnë që t’i ndryshojnë njerëzit. Njëra na çon në vështirësi për të mbijetuar, tjetra vendos përpara nesh mundësinë për të pasur gjërat që sytë na shohin.

E megjithatë, të dyja, shërbejnë si katalizator që na ndryshojnë, qoftë për mirë apo për keq.  Psalmisti thotë “ Nė rast se pasuritė janė tė bollshme, mos u kushtoni zemrėn” ( Psalmi 62:10)  Përse? Sepse paratë janë mëkat? Jo, edhe pse është gati e pamundur që të jesh i ndershëm dhe njëkohësisht shumë i suksesshëm. Pasuria mund të largojë zemrën tënde prej gjërave të rëndësishme, duke harruar që nuk kemi sjellë asgjë në këtë botë dhe nuk do të marrim asgjë prej saj.

Ka një tjetër katalizator në jetë dhe ky është pushteti, i cili vjen përmes suksesit apo  rëndësisë. Ky është një katalizator i çuditshëm, sepse ka njerëz që nuk ndikohen prej rëndësisë që kanë. Ata janë vazhdimisht të zënë dhe kanë shumë përgjegjësi, por  nuk ndikohen prej asaj që kanë bërë. Ata vazhdojnë akoma rutinën e tyre, siç kanë bërë përpara se të ishin të pasur, të famshëm, të pushtetshëm.

Disa të tjerë, të fryrë prej arritjeve , kërkojnë që  të shkëlqejnë më shumë, e kanë ndarë veten e tyre nga pjesa tjetër e botës, dhe ndihen pjesë e një niveli që është rezervuar vetëm për pak persona.

Ku qëndron diferenca në të gjithë këtë? Jo në atë çfarë sheh së jashtmi, as në mënyrën sesi vepron, se çfarë vesh apo se në cilin restoranti ha- mund të jetë një restorant krejt i thjeshtë buzë rrugës, ose restoranti më i mirë i qytetit. Ndryshimi qëndron në atë çfarë gjendet brenda teje- në integritetin tënd, në të qenit i vërtetë.

Është e nevojshme të kuptojmë se nuk jemi gjë tjetër veçse pluhur dhe se një ditë do të lemë gjithçka që kemi grumbulluar këtu. Pali i rikujton Timoteut: Sepse ne nuk kemi asgjë me vete në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete” ( 1 e Timoteut 6:7)

Jo më kot, Pali na udhëzoi që të mblidhnim thesaret tona, atje ku vjedhësit nuk mund t’i marrin, ku nuk do t’u humbë kurrë vlera, e ku do të marrësh pikërisht atë që meriton. Mendo për këtë.

Surprizuar me qëllim!

Nga të tre gratë nga Marku 16, Maria Magdalena dhe Maria nëna e Jezusit janë më të njohura për shkak se janë të përmendura në Bibël. Në kontrast me to, Salomeja është një personazh pothuajse i panjohur. Por ne e dimë historinë e saj, sepse ajo është nëna e dy prej dishepujve të Jezusit, bijve të Zebedeut.

Lexoni Mateun 20:20-28. Salome i donte djemtë e saj shumë. Në mendjen e saj, djemtë do ishin udhëheqësit më të mëdhenj që Jezusi do të kishte ndonjëherë. Kështu ajo i tha: “Urdhëro që këta dy bijtë e mi të ulen njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën në mbretërinë tënde“. (v. 21). Ashtu si shumë hebrenj, Salomeja ndoshta mendoi se Jezusi kishte ardhur për të krijuar një mbretëri fizike në tokë.

Si të gjitha nënat e dashura, edhe Salomeja kishte shpresa dhe ëndrra të mëdha për djemtë e saj. Ajo besonte se nëse ata mbretëronin bashkë me Jezusin në tokë do të përmbushnin ëndërrat e tyre. Por të Premten e Madhe, ndërsa ajo qëndronte në këmbët e kryqit, ato ëndrra u shkatërruan. Ajo pa se si gjithë ambiciet për djemtë e saj po vdisnin bashkë me Jezusin.

Salomeja nuk i kishte kuptuar ende qëllimet e Perëndisë – misterin e fshehur prej shekujsh, por që tani po i zbulohej popullit të Zotit (shih Kolosianëve 1:26). Shpresa e saj ishte ende në planet e saj. Por plani i Perëndisë ishte jashtëzakonisht më i mrekullueshëm se ai i saj. Sepse në kryq, Jezusi po garantonte se jo vetëm djemtë e saj, por çdo bir dhe bijë besimtare do të mbretëronin me Të në përjetësi.

Në atë mëngjes të parë të Pashkëve, qëllimi i Perëndisë u përmbush. Plani i tij i mrekullueshëm u realizua në momentin kur Jezusi derdhi gjakun e Tij, vdiq në vendin tonë dhe u ringjall. Ai mori vdekjen, gjykimin  dhe  ferrin tonë dhe tani Ai shpengon të gjithë ata që besuan tek Ai. Këto janë pasuritë e lavdishme të misterit, vetë qëllimi i Perëndisë—Krishti i dhënë për ne, shpresa e lavdisë.

Perëndia na do më fort se sa ne mund ta imagjinonim  ndonjëherë. Ai na do me një dashuri të papërshkrueshme, të pashpjegueshme dhe të përjetshme,ndaj Ai zgjodhi të paguajë për mëkatet tona. Sipas qëllimit të Tij të madh, ne tani jemi drejtësuar në Krishtin dhe nuk jemi më  të dënuar nga mëkati ynë. Pra, kur jemi të mbingarkuar nga rrethanat ose kur gjërat nuk shkojnë sipas planeve tona, le t’i besojmë Perëndisë, planeve dhe qëllimeve të Tij,  të cilit janë gjithmonë më të mira se tonat.

Lutje: Zot, përmbush planin dhe qëllimin Tënd për jetën time. Faleminderit për dashuinë shpenguese. Transformoje jetën time  dhe, nëpërmjet meje, jetën e atyre përreth meje për lavdinë Tënde. Në emrin e  Jezusit lutem. Amen.

“Bëri të njohur tek ne misterin e vullnetit të tij sipas pëlqimit të tij, që ai e kish përcaktuar me veten e tij, që, kur të plotësoheshin kohërat, t`i sillte në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato që janë mbi dhe.” -Efesianëve 1:9-10.

Stuhitë e Jetës!

Perëndia kurrë nuk u premtoi besimtarëve se do të jetonin një jetë pa vështirësi, por u premtoi se vështirësitë nuk do jenë të kota.

Mateu 14:22-33

Kur ju rrethojnë vështirësitë, a habiteni që Zoti i lejon ato? Një mendim i tillë supozon se të qënit një besimtar i bindur na përjashton nga problemet. Shqyrtoni paragrafin e sotëm—dishepujt bënë pikërisht atë që tha Jezusi, u futën në barkë dhe lundruan për në anën tjetër. Megjithatë, pa kaluar shumë kohë, ata e gjetën veten të goditur dhe që përplaseshin sa andej këndej nga një stuhi e fuqishme.

Ka dhe besimtarë që mendojnë se nëse jeni duke kaluar vështirësi është për shkak se ju jeni vetë problemi. Edhe pse Perëndia përdor sprova për të na korrigjuar herë pas here, jo të gjitha vështirësitë  janë rezultat i mëkateve dhe dështimeve tona. Por Ai mund të përdorë të gjitha situatat për të na maturuar  dhe për të na bërë më të ngjashëm me Krishtin.

Dhe kjo është ajo që po ndodhte me dishepujt tek Mateu 14. Jezusi e dinte se çfarë i priste që  para  se ti dërgonte por  po i pregatiste ata për punën që do i thërriste të bënin. Në këtë rast, kjo stuhi do t’i ndihmonte ata të mësonin mësime kyçe rreth besimit  dhe që do të ishin të paçmueshme për shërbesën e tyre të ardhshme.

Perëndia përdor një sërë mjetesh për të na ndihmuar të bëhemi shërbëtorë të fortë të Jezus Krishtit. Në vend që ta mbajmë kokën ulur ndaj betejave të jetës, le ti ngrejmë sytë lart tek Zoti dhe të kërkojmë forcën dhe qëllimet e Tij.

SAKRIFICA E PLOTË DHE PËRFUNDIMTARE

Dhe Moisiu mori gjysmën e gjakut dhe e vuri në legenë; dhe gjysmën tjetër të gjakut e shpërndau mbi altar. Pastaj mori librin e besëlidhjes dhe ia lexoi popullit, i cili tha: «Ne do të bëjmë tërë ato që ka thënë Zoti dhe do t’i bindemi». Pastaj Moisiu mori gjakun, spërkati popullin me të dhe tha: «Ja, gjaku i besëlidhjes që Zoti ka lidhur me ju sipas tërë këtyre fjalëve».” -Eksodi 24:6–8

Kjo është një skenë vërtet e fuqishme. Dhe Libri i Eksodit thotë se Perëndia po e konfirmonte besëlidhjen e Tij me popullin, premtimin e Tij me popullin. Kjo është besëlidhja model, besëlidhja e Perëndisë me popullin e Tij nëpërmjet Moisiut në të cilën Ai premtoi t’u jepte atyre ligjin e Tij, t’i drejtonte ata në tokën e premtuar, të ishte me ta, t’i mbronte ata, të siguronte për ta, të drejtonte jetën e tyre dhe t’i bekonte ata në shumë mënyra.

Dhe ne tani mund të jetojmë në besëlidhje me Perëndinë falë sakrificës së Jezu Krishtit në kryq.

Ndërsa lexoj vargun 7, njerëzit mendojnë: “Ne do të bëjmë tërë ato që ka thënë Zoti dhe do t’i bindemi.”. Mua më duket si një pikturë e një ceremonie martesore ku Perëndia ia përkushton Veten popullit të Tij dhe populli i Tij ia përkushton veten Atij. Prapëseprapë ne e dimë se para se gjaku i kësaj besëlidhjeje të kishte kohë të thahej, populli i Perëndisë krijoi një viç të artë, e adhuroi dhe ra përmbys para tij. Populli po tregohej i pabesë ndaj kësaj besëlidhjeje me Perëndinë, dhe prapë Perëndia nuk do të tregohej i tillë me ta.

Këtu gjaku luan një rol tejet të rëndësishëm. Këto janë sakrifica, ofrime që jepen dhe kemi një gjak që spërkatet kundër një altari. Por a e vutë re se çfarë thotë vargu : “Moisiu mori gjakun, spërkati popullin me të.”. Menjëherë pas kësaj populli tha: “Ne do të bëjmë tërë ato që ka thënë Zoti dhe do t’i bindemi.”. Moisiu mori gjakun, spërkati popullin me të dhe tha: “Ja, gjaku i besëlidhjes që Zoti ka lidhur me ju sipas tërë këtyre fjalëve.”. Dhe përshkrimi është i qartë. Populli i Perëndisë nuk do të jetë i bindur ndaj kësaj besëlidhjeje. Por Perëndia ka siguruar një rrugë me anë të sakrificave për mëkatin, të përshkruar me anë të gjakut këtu, për të mbuluar mëkatin para Tij. Dhe ky përshkrim në Dhiatën e Vjetër themelon tablonë e madhe, tablonë që siguron themelin për mënyrën se si mund të luteni sepse në zemrat tona ne jemi të pabindur ndaj Zotit. Ne largohemi nga Fjala e Tij. Mënyra e vetme se si mund të jemi në besëlidhje me Perëndinë është me anë të sakrificës së plotë dhe përfundimtare të Jezusit. Gjaku i Tij mbulon të gjithë mëkatin tonë. Dhe pavarësisht pabesisë tonë me Zotin, Perëndia është besnik ndaj nesh. Mendoni për 1 Gjonit 1, vargu 9: “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.”. Si është e mundur kjo gjë? Vetëm me anë të gjakut të Jezusit.

Perëndi, ne vijmë tek Ti tani për të të falënderuar, lavdëruar, nderuar, lartësuar dhe adhuruar që i mbulove mëkatet tona duke dërguar Jezusin që të vdiste në kryq për to. Jezus, ne të lavdërojmë për gjakun Tënd që mbulon të gjitha mëkatet tona. Unë kujtoj kohën time me Ty këtë mëngjes dhe bindjen për mëkat në jetën time. Jezus, të falënderoj që e mbulove të gjithë mëkatin. Të falënderoj që më pastrove nga e gjithë paudhësia dhe jo vetëm mua por të gjithë ata që besojnë tek Ti. Gjaku i Jezusit mbulon mëkatin e të gjithëve, pavarësisht se çfarë kanë bërë, mjafton që të besojnë te hiri dhe mëshira Jote. Ndaj, Perëndi, na ndihmo të ecim në bindje ndaj Teje. Ne duam të ecim në bindje besnike ndaj Teje. Dhe të lutemi të na ndihmosh nën flamurin e gjakut të Jezusit të derdhur për ne që të bëjmë atë që Ti na thirre të bëjmë, që të jetojmë në bindje ndaj Teje sot dhe nesër dhe për çdo ditë të jetës. Perëndi, nëse gabojmë në ndonjë mënyrë, na ndihmo të jemi të shpejtë për të rrëfyer mëkatin tonë që të lavdërojmë Ty sërish e sërish për hirin, mëshirën dhe dashurinë Tënde që mbulon mëkatin tonë nga e gjithë paudhësia.

Jezus, të falënderojmë që e bëre të mundur lutjen. Të falënderojmë që e bëre të mundur bashkësinë me Perëndinë. Ne të lavdërojmë, o Zot, për besëlidhjen Tënde me përkushtim për të mos na braktisur kurrë, për besëlidhjen Tënde që do të zgjasë për të gjithë përjetësinë bazuar te hiri Yt ndërsa të besojmë Ty. Ne të duam dhe të lavdërojmë. Të lavdërojmë për marrëdhënien tonë me Ty, një marrëdhënie më e thellë se marrëdhënia në martesë, sepse marrëdhënia me Ty do të zgjasë për të gjithë jetën.

Perëndi, ne lutemi që të na ndihmosh t’i drejtojmë të tjerët të besojnë te Jezusi për mbulimin e mëkateve të tyre, për t’i drejtuar të tjerët në jetën tonë sot, ta drejtojmë fisin Ksai në Vietnam që të njohin dhe të besojnë te gjaku i Jezusit që u derdh për mëkatin e tyre. Perëndi, ne lutemi për përhapjen e lajmit të mirë përmes jetës tonë ndërsa kremtojmë këtë marrëdhënie besëlidhëse që kemi me Ty çast pas çasti, ditë pas dite. Unë lutem për të gjitha këto në emrin e Jezusit, në gjakun e Tij, amen.

Drita /Errësira

Dhe Jezusi u foli atyre përsëri duke thënë: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës. ( Gjoni 8:12)

Sekondë pas sekonde, kanë kaluar 2000 vite që prej kohës kur Jezus Krishti ecte në brigjet e Galilesë antike. Shumë pak, pas vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit, një apostull i mbushur me besim shkroi, “Dhe drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi.” ( Gjoni 1:5).  Gjoni, pa dyshim donte të thoshte se Krishti erdhi si dritë në një botë të errët, e me ardhjen e Tij, njeriu pati një qëllim të ri për të jetuar, një shpresë të re për të ndriçuar ditën.  2000 vjet më vonë, duhet akoma më shumë besim të mendosh se errësira me të vërtetë po kalon.

Shumë njerëz besojnë se errësira morale dhe zymtësia frymore me të cilën po përballen njerëzit sot, është shumë më e madhe se në çdo periudhë tjetër në histori.  Sot njerëzit kanë në zotërim armët më të fuqishme që ka parë ndonjëherë bota. Ka mjaftueshëm bomba hidrogjeni në të gjithë cepat, për të hedhur në kaos për disa herë me radhë  të gjithë botën.

Situata sot i ngjason asaj të një njeriu që gjendet i dëshpëruar brenda një grope të thellë prej 30 metrash. Duket se e vetmja rrugë që ai  të dalë prej andej, gjendet akoma më thellë.  300 vjet  më parë Davidi thirri , “Ndihma me vjen nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën” ( Psalmi 121:2) Në mes të një bote të errët, të duket se është e vështirë të ndihesh i sigurt.

Si i përgjigjesh errësirës që ke rrotull? A vazhdon e mallkon atë dhe dëshiron që të mos jetë aty? Apo ndez një qiri (qoftë një të vogël) dhe e lufton atë? A i ke harruar fjalët e Jezusit për ata që e ndjekin atë? Ai tha, “ Ju jeni drita e botës…”

Ndërkohë që ne ecim përmes një bote të errët, qëllimi dhe funksioni i jetës sonë duhet të jetë njësoj si ai i ndriçuesve të rrugës që bëjnë dritë. Një djalë i vogël  që gjendej në spital, pa një burrë të vjetër që ndizte fenerët e rrugës njëri pas tjetrit. E teksa e vëzhgonte me kujdes ai i tha infermieres që ishte pranë tij “ Shiko atje! Aty është një burrë që po tejshpon errësirën!” Si mund të thuhet më mirë se kaq?

Një njeri që ulet dhe mallkon errësirën, vetëm sa i shton mjerimin vetes së tij.  Duhet bërë diçka, nuk ka rëndësi se e sa parëndësishme mund të jetë, për ta luftuar pas errësirën. Detyra jote është ta tejshposh errësirën. Je në një situatë tejet të zymtë? Ajo që duhet të bësh është të plotësosh paralajmërimin e apostullit Pal. Ai u  shkroi këto fjalë Filipianëve, fjalë që janë një udhëheqje e jashtëzakonshme  për jetën “qė tė jeni tė paqortueshėm dhe tė pastėr, bij tė Perėndisė pa tė meta nė mes tė njė brezi tė padrejtė dhe tė çoroditur, nė mes tė tė cilit ju ndriçoni si pishtarė nė botė…”

Ti mund të jesh njësoj si një njeri që ishte i verbër. Për çdo ditë ai shkonte në një njëjtin cep dhe ulej për të lypur.  Ndërsa dielli niste të perëndonte  në qiell, ai merrte një fanar dhe e ndezte atë, duke e rregulluar sa më shumë të ishte e mundur flakën e tij. Njerëzit pyesnin: “Përse mund t’i duhet një njeriu të verbër një fanar? Përse i nevojitet drita atij kur perëndon dielli?  A nuk është njësoj si errësira dhe drita për këtë njeri? Ai vetë e kishte pranuar se nuk mund të tregonte ndryshimin midis dritës dhe errësirës. Atëherë përse e ndezte fenerin?

Burri u përgjigj, “ është e thjeshtë. Unë e ndez fenerin që njerëzit të mos përplasen me mua.” Jezusi tha, “ Ju jeni drita e botës…”  Një dritë në errësirën e kësaj bote është përgjigja për kaosin frymëror  me të cilin ne përballemi sot. Kush e di? Drita jote mund të pengojë dikë që të mos të të shkelë.

 

 Page 4 of 22  « First  ... « 2  3  4  5  6 » ...  Last »