Lajmi Fundit
prev next

Takimi i Perëndisë

Dhe një nga ata, si e pa se u shërua, u kthye mbrapa dhe përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë. Dhe ra përmbys me fytyrë përtokë te këmbët e Jezusit, duke e falënderuar. Ky ishte Samaritan. Luka 17:15-16

Steve Cadd  hipi në një taksi në Manila, e menjëherë nisi të  flasë me shoferin  që drejtonte makinën. Ndryshe nga shumë njerëz të cilët asnjëherë nuk u flasin shoferëve të taksisë, Steve, një tip i shoqërueshëm e i hapur, bën gjithmonë të kundërtën.  Ai u flet, e bën edhe më shumë se kaq, i përfshin edhe ata në bisedë, duke  kërkuar që të flasin mbi jetët e tyre dhe mbi këndvështrimet që kanë. Sapo hipi në taksi, Steve, vuri re vargje nga Shkrimet, të ngjitura pas ndenjëses së parë, në mënyrë që pasagjerët të mund t’i shihnin.  Në këtë ditë të veçantë, ata thuajse mezi kishin nisur të  bënin disa centimetra rrugë, duk qenë se trafiku ishte shumë i ngarkuar, e në këto momente shoferi  nisi ta pyesë Steve-n, se çfarë do të ndodhte nëse ai do të qëndronte përpara dyerve të parajsës së Zotit dhe të trokiste aty. Steve, e ndërpreu atë, duke i thënë , “Shiko, e di ku do të dalësh me të gjithë këtë, e dua të dish se jam i Krishterë!” Më pas ai e pyeti shoferin e taksisë, “Si erdhe në besim tek Jezus Krishti?” Taksisti filloi t’i tregonte Steve-t, se jeta e tij kishte qenë një lëmsh i vërtetë , e si pasojë e  ankthit dhe  dhembjeve që ai kishte, vendosi që të vrasë veten. Ai shkoi në shtëpi, jetonte në kabinë, në një zonë të varfër, mori armën dhe e mbushi atë.  Ai e ngriti armën dhe e vendosi tytën brenda gojës së hapur, duke e drejtuar atë për nga truri i tij, por përpara se të tërhiqte këmbëzën, diçka tërhoqi vëmendjen e tij.  Ishte drejtuesi i një programi televiziv të Krishterë i cili po thoshte, “Është dikush që po sheh këtë program i cili është gati që të kryejë vetëvrasje. Në këtë moment ai e ka armën e drejtuar në gojën e tij. Ndalo menjëherë. Perëndia dëshiron që ti ta dëgjosh atë.  Ai ka një qëllim për jetën tënde. Mos e bëj këtë gjë.” Tërësisht i habitur, me duart që i dridheshin, burri e uli armën dhe filloi të qajë. Atë ditë, ai u lut që të ftonte Jezus Krishtin në jetën e tij- diçka që ndryshoi përgjithmonë drejtimin ku po shkonte, e gjithashtu ndryshoi edhe mënyrën se si ai e shihte jetën.  Më pas, Steve, i bëri pyetjen që unë ua bëj shumë njerëzve që më thonë se dëgjojnë Guidelines,

“ A ke shkruar ndonjëherë një letër për të treguar historinë tënde?” “Jo”, u përgjigj shoferi. Nuk jam ulur ndonjëherë të bëj diçka të tillë.” Ishte radha e Steve-t të tregonte pjesën e tij të historisë.  Ai tha, “ Ajo që ti nuk di, është se unë isha drejtuesi i asaj shfaqjeje! Uau! Çfarë rastësie!  Në të vërtetë jo. Zoti ndonjëherë i lidh  gjërat në mënyrë të tillë, saqë e kupton se është vetëm ndërhyrja e Tij që gjërat të mund të shkojnë ashtu.  Steve, është një prodhues filmash, një individ unik, i cili ja del të arrij audiencën duke ju dhënë  përgjigje pyetjeve të vërteta të zemrës. Shpesh ai nuk i takon kurrë ata persona që u ka ndryshuar jeta dhe që janë prekur prej Frymës së Shenjtë. Por ai e realizoi këtë gjë atë ditë. Shumë shpesh Perëndia përdor njerëz  që as nuk e dinë se çfarë po ndodh, për të na vendosur një barrikadë, një mur i cili na detyron që të ecim në një tjetër drejtim; e ndonjëherë ka raste kur Perëndia na shtyn që të bëjmë diçka- të bësh një telefonatë,të shkruash  një letër, të vizitosh dikë që ke në zemër. Ti mund mos ta dish se me çfarë është duke u sfiduar personi, por ti mund të jesh personi i fundit në planin e Zotit që të valëvitësh flamurin e kuq duke thënë” Mos u hidh. Mos u dorëzo. Mos bëj vetëvrasje.”  Nëse ti e gjen veten tek historia e shoferit të taksisë nga Manila, i cili ndjeu se jeta nuk vlente më të jetohej, kupto se ka një Perëndi që të do dhe që ka dërguar Birin e Tij, që të të tregoj ty, rrugën për në shtëpi, dhe mbaj mend se ka njerëz që duan t’ia dinë për ty. Qëndro i lidhur me stacionin e radios që je duke dëgjuar gjatë kësaj kohe, ose mund të lidhesh edhe me zyrat e Guideliness. Për ta mbyllur: Nëse ti i tregon dikujt për historinë tënde, ashtu siç bëri shoferi i taksisë, jeta e të cilit ndryshoi plotësisht, do të sillje gëzim në zemrën e këtij personi.

 

Qëllime të Perëndishme

Tek Luka 9:62, Jezusi tha: “Asnjëri qė ka vënë dorë në parmendë dhe kthehet e shikon prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë.” Jezusi po thotë se përkushtimet me gjysëm zemre nuk llogariten fare. Për të bërë një përkushtim të plotë para Perëndisë, qëllimisht duhet të shohim përpara.

Qëllimet dhe ambiciet që ka bota kanë një tendencë të na zhgënjejnë. Nëse kemi një qëllim në jetë i cili është fokusi ynë në jetë, çfarë ndodh kur e arrijmë atë synim? Pas ngazëllimit të arritjes, biem në dëshpërim sepse nuk kemi më asgjë për të ndjekur. Nuk ka më vend për ambicie sepse e kemi përmbushur qëllimin që kishim.

Por qëllimet hyjnore nuk sjellin zhgenjim, sepse punët e Mbretërisë nuk mbarojnë kurrë. Kur përkushtohemi t’i shërbejmë plotësisht Krishtit, do e kuptojmë  shpejt se qëllimet tona në këtë tokë janë të qëndrueshme. Shërbesa, lutja dhe dëshmia jonë nuk janë kurrë të plota. Gjithmonë ka më shumë për të bërë për lavdinë e Perëndisë, një marrëdhënie më e thellë që duhet pasur me Perëndinë dhe mrekulli të pafundme për t’i shpallur Perëndinë një boteje që ka shumë nevojë për Të (shih Psalmi 40:5; Jobi 9:10). Ne kemi një mision gjatë gjithë jetës sonë—të lavdërojmë Perëndinë dhe ta bëjmë Atë të njohur. Kemi një garë që na prêt dhe Perëndia dëshiron që ne të  fokusohemi të vrapojmë mirë, për të mirën tonë dhe për të mirën që Ai ka planifikuar të bëjmë në emrin e Tij.

Çfarë ka nga e kaluara juaj që ju pengon të ecni përpara? Çfarë ju mban larg  nga vrapimi i garës me gjithë forcën tuaj? ” Ju vraponit bukur; kush ju ka penguar që të mos i bindeni së vërtetës? ” (Galatasve 5:7) Ndërsa shqyrton ëet e tua në këtë vit të ri, mos u zhyt në dështimet ose sukseset e së kaluarës. Por, lutuni për një dëshirë  nga Perëndia që të punoni për të ardhmen.

Lutje: At, ndërsa pres me padurim në këtë vit të ri, lutem që të kem qëllime të perëndishme të cilat do të më mbajnë të fokusuar në të ardhmen, dhe jo në të shkuarën time. Lutem në emër të Jezusit. Amen.

Dhe thanë: “Burra Galileas, pse qëndroni e shikoni drejt qiellit? Ky Jezus, që u është marrë në qiell nga mesi juaj, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë të shkojë në qiell“. (Veprat 1:11).

Le të sjellim nevojat tona tek Ati

Nëse lutemi si Jezusi, do t’i japim përparësi dëshirave të Perëndisë mbi tonat.

Mateu 6:9-15

Gjysma e parë e lutjes së Zotit është e përqëndruar tek Zoti, kurse në pjesën e dytë, Jezusi trajton nevojën që ne kemi për ushqim, falje dhe mbrojtje të përditshme. Vini re se fjalët e Tij janë të përqëndruara te Ati, i cili është siguruesi i të trejave.

Bukën e përditshme na jep sot. Zoti është burimi i gjithçkaje që na nevojitet – qoftë fizike, materiale, emocionale apo dhe shpirtërore (Filip. 4:19). Sa herë i kërkojmë Atij të sigurojë për  nevojat tona bazë, jemi duke pranuar  varësinë tonë të plotë ndaj Tij dhe po besojmë në sigurimin e Tij të mjaftueshëm për çdo ditë.

Na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim edhe ne fajtorëve tanë. Kjo pjesë e lutjes ka për qëllim të garantojë që gjithçka është e drejtë jo vetëm mes nesh dhe Atit, por edhe mes nesh dhe njerëzve të tjerë. Meqenëse Zoti i fali mëkatet tona, vullneti i Tij është që edhe ne t’i falim të tjerët.

Mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga  i ligu. Lutja jonë është që Zoti të na mbrojë nga rënia në tundim dhe ne e nderojmë Atë duke jetuar një jetë me drejtësi.

E gjithë kjo lutje është e përqendruar tek Ati ynë qiellor. Ai na mëson të adhurojmë, të nënshtrohemi dhe të mbështetemi plotësisht tek Ai për çdo lloj nevoje.

Një Perëndi që e dëgjon thirrjen tonë!

Kështu Perëndia dëgjoi rënkimin e tyre, dhe Perëndisë iu kujtua besëlidhja që kishte përfunduar me Abrahamin, me Isakun dhe me Jakobin. Dhe Perëndia shikoi bijtë e Izraelit, dhe Perëndia u kujdes për ta.
-Eksodi 2:24–25

Ky është një pasazh i bukur në Shkrim në fund të kapitullit 1 dhe fillimit të kapitulli 2 te Libri i Eksodit. Kjo është në lidhje me përshkrimin shtypjes së tmerrshme dhe skllavërisë për të cilën u lutëm te Eksodi, kapitulli 1. Por kur lexojmë këto fjalë, pra për popullin e Perëndisë që i thërret Atij, Bibla na thotë këtë: “Perëndia dëgjoi rënkimin e tyre, dhe Perëndisë iu kujtua besëlidhja”.

Tani, kjo nuk do të thotë se Perëndia e kishte harruar besëlidhjen e Tij me ta. Zoti nuk harron. Ai është i gjithëdijshëm. Ai i di të gjitha. Nuk është në aftësinë e Tij që të harrojë. Ai nuk harron asgjë. Por përshkrimi këtu është që Perëndia i thotë këtë popullit të Tij: “Unë e di premtimin që iu kam bërë dhe do të jem besnik ndaj atij premtimi për të përfunduar besëlidhjen time me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin.”.

Ne kemi një Perëndi që e dëgjon rënkimin e popullit të Tij. Perëndia i shikoi bijtë e Izraelit. Fjala “rënkim” tregon se Perëndia nuk ishte larg tyre. Ai ishte mjaft i Vetëdijshëm për atë që ata po kalonin. Dhe fjalët e fundit te Eksodi 2 janë këto: “Perëndia u kujdes për ta.”. Ndërsa i lexoni këto fjalë, ndërsa i dëgjoni, unë dua që t’i rrënjosni ato në zemrën tuaj duke qenë se edhe ju jeni pjesë e popullit të Perëndisë në një botë ku rënkimi dhe thirrja ndaj Zotit është një realitet. Specifikisht mendoj për një familje që unë njoh dhe që ka kaluar një kohë shumë të vështirë. Anëtarët e familjes e kësaj familjeje kanë qenë në spital me kovid njëri pas tjetrit dhe disa prej tyre kanë vdekur. Ka qenë një rrugëtim i vështirë.

Pra, ndërsa i lexojmë këto fjalë, ne kuptojmë se Perëndia e dëgjon rënkimin tonë. Ai është besnik ndaj premtimeve për të na ruajtur, për të na mbajtur, për të na dashur, për të na ngushëlluar, për të na dhënë paqe, për të sjellë deri në fund. Perëndia na sheh dhe kujdeset për ne. Sa përshkrim i bukur. Unë nuk e di se çfarë jeni duke kaluar në jetën tuaj tani. Besoj se shumë nga ju që po na dëgjoni po kaloni kohë të vështira. Dhe unë dua t’ju kujtoj juve që keni besuar te Jezusi, që e njihni Perëndinë, Perëndia e dëgjon rënkimin tuaj, Ai e dëgjon thirrjen tuaj ndaj Tij. Kur po kaloja kohën time me Zotin dje, po i thërrisja Atij në mënyra të ndryshme dhe e dija që Ai po më dëgjonte. Ai më dëgjon dhe unë mund t’i hedh barrët e mia mbi Të, duke e ditur se Ai kujdeset për mua. Ne po flasim për Perëndinë, jo për dikë dosido, por për Perëndinë. Unë mund t’i hedh barrët e mia mbi Perëndinë dhe e di që i Gjithëpushtetshmi, i Gjithëdijshmi, Sunduesi sovran i universit më dëgjon. Ai është besnik ndaj meje dhe më ka bërë premtime që do t’i mbajë. Perëndia më sheh dhe kujdeset për mua. Ai e di se çfarë jam duke kaluar. Ai kujdeset për ju. Ai e di se çfarë jeni duke kaluar. Ai e dëgjon thirrjen tuaj dhe do të jetë besnik ndaj çdo premtimi që ju ka bërë. Ndaj lutja ime është sipas Eksodit 2, vargjet 24 dhe 25. Lutja është për çdo person që po na dëgjon tani, që e njeh Perëndinë dhe që është pajtuar me Të përmes gjakut të Jezusit, që është biri ose bija e Perëndisë, që është në familjen e Tij dhe që e njeh Zotin si Atin e tij.

Perëndi, ne të lavdërojmë që e dëgjon rënkimin dhe thirrjen tonë. Ne të lavdërojmë që i kujton premtimet që na ke bërë dhe që je gjithmonë besnik ndaj premtimeve të Tua. Perëndi, unë lutem që të gjithë ata që po na dëgjojnë tani ta rrënjosin këtë të vërtetë në zemrat e tyre, që të dinë se Ti i dëgjon, që i sheh dhe që i di ato që janë duke kaluar. Ti i di shumë mirë çfarë po kalojnë ata dhe ke premtuar se do t’i ruash, do t’i forcosh, do t’i mbushësh, do t’i ngushëllosh, do t’u japësh paqe dhe do të jesh gëzimi i tyre, ndihma dhe urtësia e tyre. Ndihmoi ata të ngrihen mbi këto rrethana. Perëndi, ne të lavdërojmë që kujdesesh për ne. Ne të lavdërojmë që kur ecim përmes provave, sfidave dhe vështirësive, Ti kujdesesh për ne, na sheh, na dëgjon dhe je gjithmonë besnik ndaj nesh. Ne të duam, Perëndi. Ne besojmë në Ty. Ne mbështetemi tek Ti. Ne kemi nevojë për Ty dhe të lavdërojmë si Besnikun e përjetshëm, sepse gjithmonë na dëgjon, gjithmonë na sheh dhe gjithmonë kujdesesh për ne. Në emrin e Jezusit ne lutemi.

Të kalosh në rrugën më të vështirë

Ç`dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet? Marku 8:26

Presidenti dhe menaxheri i përgjithshëm i një kompanie prodhimi, mësoi se kompania e tij kishte  prodhuar një produkt me cilësi shumë të dobët.  Një reporter televiziv, dëshironte një intervistë që fokusohej mbi këtë problem. Ky drejtues kishte tre zgjedhje: 1. Ai mund të mohonte që problemi ekzistonte ( gjë që nëpunësit e tij ja sugjeruan). 2. Ai mund të largohej nga dera e pasme dhe të linte një punonjës që të mundohej ta zbuste problemin. 3. Ai mund të përballej me zhurmën që do të shkaktohej, duke e pranuar problemin dhe duke dhënë një zgjidhje për të- e kjo ishte ajo që bëri.  Ky është integriteti.  Një administratori të një agjencie pronash,  ju ofrua një ryshfet i konsiderueshëm për të shtyrë një projekt të caktuar, por ajo çfarë nuk dinte burri që ofroi këtë shumë parash, ishte se i njëjti administrator kishte nënshkruar  një rekomandim nëpërmjet të cilit bordi kishte marrë vendimin që punimet e projektit të fillonin menjëherë.  Për një moment të shkurtër, administratori kuptoi se mund të merrte  lehtësisht paratë dhe askush nuk do të merrte vesh për këtë. Ai i refuzoi paratë dhe e raportoi këtë ofertë. Ky është integriteti.

Një vizitë e shkurtër në një fast food, rezultoi shumë më  fitimprurëse, se sa thjesht porositja e një tako,  për një rezident të asaj zone.  Në të njëjtën çantë, bashkë me porosinë ishte futur gabimisht edhe e gjithë xhiroja monetare e ditës së djeshme. Kur burri hapi këtë çantë për të marrë prej andej porosinë e tij, ai gjeti paratë, e menjëherë u kthye për nga restoranti dhe ktheu atje lekët. Ky është integritet.

Një studiueseje, ju kërkua që të vendoste emrin e saj mbi një dokument  i cili përmbante të dhëna të rreme dhe rezultate të pavërteta. Edhe pse ajo nuk do të ishte e përfshirë direkt në këtë çështje, ndërgjegjja e saj ishte e shqetësuar. Punëdhënësit e saj e kërcënuan se do ta shkarkonin nga puna nëse nuk do të bashkëpunonte, por ajo refuzoi të firmoste dokumentin. Ky është integriteti.

Fjala integritet vjen nga një tjetër fjalë e cila ka kuptimin ndershmëri.  Në terma të thjeshtë, është mënyra se si je, që të bën të veprosh ashtu siç vepron.  Ndonjëherë integriteti as nuk vlerësohet, e as nuk shpërblehet, sidomos kur individë të tjerë mendojnë se rruga drejt suksesit është të dish si të mbijetosh, pavarësisht mënyrave.  Kohët e fundit, teksa bëja pagesën me anë të kartës sime të kreditit për një libër që bleva, djali i ri që po kryente transaksionin, më ktheu faturën e gabuar, çka do të thoshte se ai do të kishte faturën e dorëzimit, ndërsa unë do të kisha të gjithë shumën e pagesës.  Ndërkohë që po ja vija në dukje diçka të tillë, i thashë, “Nëse nuk e ke këtë faturë që më ke dhënë mua, kompania jote nuk mund  t’i marrë lekët”.  Djali i ri thjesht i këmbeu faturat, pa më thënë asnjë fjalë falënderuese, e unë brenda vetes mendova, “Pse u shqetësova kot? Ai as nuk donte t’ia dinte!” E më pas nisa të mendoj mbi të gjithë çështjen e integritetit.  Të bësh atë që është e duhur sepse e di që do të falënderojnë, nuk është një pasqyrim  i vërtetë i integritetit; në vend të kësaj, integriteti është të bësh gjënë e duhur, thjesht sepse është gjëja e duhur për t’u bërë.  Ditët e fundit kam kaluar një kohë të konsiderueshme në vende komuniste, ose që kanë pasur një të shkuar komuniste dhe kam vënë re se ka një mungesë të moralit dhe të integritetit, kur Perëndia lihet jashtë ekuacionit të jetës, kam ardhur në konkluzionin se integriteti është pjesë e fabrikës morale, e që bazohet tek përgjegjësia përfundimtare që ke përpara Zotit- e cila, më bën mua të përgjegjshëm si fqinj, apo si mik. Kur ti bën diçka vetëm se shpërblehesh, apo se të falenderojnë, ti ke një lloj reagimi ndaj situatës, që ngjan me eksperimentin e Pavllovit; por kur ti e bën diçka të mirë sepse ndërgjegjja jote ta kërkon këtë gjë, ti je i motivuar prej integritetit.

Zgjidhjet e shpejta, rrugët e shkurtra, e ndjesia se ti po largohesh duke marrë me vete diçka që është e vlefshme, e çojnë shoqërinë në degradim moral. Pavarësisht nëse djalit të cilit i ktheva faturën e librit, nuk i interesonte shumë nëse kompania e tij i merrte lekët apo jo, kjo nuk ishte e rëndësishme. Ajo çfarë ishte e rëndësishme, ishte që unë isha i interesuar dhe që u tregova i vërtetë me ndërgjegjen time.

Perëndia vepron për të shtypurit

“Egjiptasit i detyruan bijtë e Izraelit t’u shërbenin me ashpërsi; dhe ua nxinë jetën me një skllavëri të vrazhdë, duke i futur në punimin e argjilës dhe të tullave si dhe në çdo lloj pune në ara. I detyronin t’i bënin tërë këto punë me ashpërsi.”-Eksodi 1:13–14

Këto vargje në fillim të librit të Eksodit përshkruajnë një tablo të të shtypurve në skllavëri. Vargu 8 te kapitulli 1 i Eksodit thotë se një mbret i ri u ngrit në Egjipt dhe ky mbret nuk e njihte Jozefin. Ai ishte kundër popullit të Izraelit, kundër popullit të Jakobit, atit të Jozefit. Dhe si rezultat ai i skllavëroi ata dhe, siç lexuam më sipër, diçka që thuhet shumë herë në këtë kapitull, ai i bëri ata të punonin me ashpërsi. Ndërsa lexuam këto vargje, unë mendova për realitetin e të shtypurve dhe skllevërve në botën sot.

Perëndia kujdeset shumë për ata që janë të lënduar dhe të shtypur. Unë kam në mendje atë që Perëndia thotë vazhdimisht e vazhdimisht në Fjalën e Tij me qindra herë. Bibla thekson se si Perëndia vepron në emër të të shtypurve. Te Psalmi 9, vargu 9, na thuhet se Zoti është një strehim i papushtueshëm për të shtypurit. Te Psalmi 10, vargu 18 na thuhet se Zoti i jep të drejtë jetimit dhe të pikëlluarit. Te Psalmi 103, vargu 6, na thuhet se Zoti vepron me drejtësi dhe mbron çështjen e të shtypurve. Prandaj Zoti i thotë popullit të Tij te Isaia 1, vargu 17: Mësoni të bëni të mirën, kërkoni drejtësinë, ndihmoni të shtypurin. Ky është lajmi i mirë i Biblës për të gjithë ata që janë të shtypur. Zoti është një fortesë për ju. Zoti bën drejtësinë për ju. Zoti vepron me drejtësi për të gjithë ata që janë të shtypur. Dhe Ai e thërret popullin e Tij që të bëjë të mirën, të kërkojë drejtësinë dhe të mbrojë çështjen e të shtypurve. Ndaj, ndërsa lutemi, sipas Eksodit, kapitulli 1, unë dua që ky pasazh të gjejë zbatim në jetët tona. Kjo gjen zbatim edhe në jetën time personale me Zotin. Unë kam një udhëzues për lutjen që e përdor çdo javë dhe lutem për gjëra të ndryshme në ditë të ndryshme gjatë javës. Në një nga ditët përpiqem të kaloj një kohë duke u lutur për të shtypurit, specifikisht për motrat dhe vëllezërit e përndjekur për Krishtin, për familjen tonë frymërore në botë që është e shtypur për shkak të besimit. Ndaj sot dua që të lutemi sipas këtij pasazhi.

Perëndi, ne të lavdërojmë si Zotin që është një strehë e papushtueshme për të shtypurit, si Zotin që bën drejtësinë për jetimin dhe të shtypurin, si Zotin që vepron me drejtësi për të gjithë ata që janë të shtypur. Ne të lavdërojmë për dashurinë, kujdesin dhe sigurimin Tënd. Ne të lavdërojmë për Zotin Jezus dhe për të gjithë fuqinë Tënde. Në vend që ta përdorësh fuqinë Tënde për të shtypur krijimin dhe popullin Tënd, Ti erdhe për të shërbyer, për ta përulur Veten, madje deri në vdekje në krye për mëkatet tona. Ti ke ardhur për të ngritur lart ata që janë të shtypur. Ndaj ne të lavdërojmë për dashurinë dhe përulësinë Tënde. Zoti Jezus, ne lutemi që të na ndihmosh si popullin Tënd, si ndjekës të Jezusit, që të jemi një reflektim i karakterit Tënd, Jezus, për të bërë të mirën, për të kërkuar drejtësinë dhe për të mbrojtur çështjen e të shtypurit.

Perëndi, tani ne lutemi për të gjithë ata që janë të shtypur në mënyra të ndryshme. Ne lutemi për të gjithë ata që janë skllevër. Perëndi, lutemi për ata që janë të trafikuar. Lutemi që Ti t’i japësh fund shtypjes së tyre, skllavërisë së tyre. Perëndi, ne lutemi që të bësh drejtësi për ta. Lutemi që t’i japësh fund shtypjes në këtë botë të rënë, të ligë dhe mëkatare. Ne presim me padurim qiellin e ri dhe tokën e re ku nuk do të ketë më shtypje, skllavëri dhe ashpërsi për njerëzit. Presim me padurim realizimin e Fjalëve të Tua te Isaia për të bërë të mirën, për të kërkuar drejtësinë, për të mbrojtur çështjen e të shtypurit dhe për të shpallur ungjillin.

Perëndi, ne lutemi gjithashtu për motrat dhe vëllezërit tanë në Krishtin që janë të shtypur dhe të përndjekur, që janë në skllavëri aktualisht në vende si Korea e Veriut dhe në vende të tjera të botë. Ata janë të burgosur ose në kampe pune për shkak të besimit tek Ti. Perëndi, ne lutemi për të tjerët që janë të burgosur dhe në kampe pune edhe për arsye të tjera. Lutemi që Ti t’i japësh fund shtypjes. Lutemi që të na ndihmosh të veprojmë në emër të atyre që janë të shtypur në mënyra të ndryshme. Na ndihmo të jemi besnikë dhe të reflektojmë karakterin Tënd, të lutemi vazhdimisht për të shtypurit dhe të veprojmë në emër të tyre. Perëndi, ne të lavdërojmë për atë që Ti thua te Libri i Eksodit, në përgjigje të shtypjes, për të bërë të lirë popullin Tënd. Perëndi, e gjithë lavdia i takon emrit Tënd sepse Ti je Ai që bën drejtësinë për të gjithë ata që janë të shtypur. Ne lutemi në emrin e Jezusit. Amen.

 Page 20 of 30  « First  ... « 18  19  20  21  22 » ...  Last »