Lajmi Fundit
prev next

Privilegj i jashtëzakonshëm!

Në Jezusin, ne kemi akses në praninë e Atit dhe besimin se Ai i dëgjon lutjet tona.

Hebrenjve 7:11-28

Lutja është një privilegj vërtet i jashtëzakonshëm dhe duhet të jemi të kujdesshëm ti japim rëndësinë e duhur. A keni ndalur ndonjëherë për të menduar përse një Perëndi i shenjtë do të pranonte të dëgjonte kërkesat tona, e lëre më t’u përgjigjej atyre? Zoti është aq i përsosur sa që shenja më e vogël e mëkatit është e patoluerueshme në praninë e Tij. Qëniet njerëzore, nga ana tjetër, janë mëkatarë. Megjithatë, Perëndia dëshiron të komunikojë me ne, kështu që Ai bëri një mënyrë që kjo të jetë e mundur.

Përpara vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit, priftërinjtë ofronin vazhdimisht flijime për të mbuluar shkeljet e njerëzve. Megjithatë, gjaku i kafshëve nuk e zhduku kurrë mëkatin përgjithmonë. Kështu që Perëndia dërgoi Birin e Tij që të ishte sakrifica shlyese e përsosur “një herë përgjithmonë” për këdo që beson te Shpëtimtari (Hebrenjve 7:27). Për shkak se Jezus Krishti pagoi të gjithë borxhin tonë të mëkatit me gjakun e Tij të çmuar, ne mund të hyjmë në praninë e shenjtë të Perëndisë.

Mos e marrim për të mirëqënë faktin që mund të flasësh me Zotin. Si të falur nga mëkatet, jemi të mirëpritur t’i afrohemi Atit në lutje, sepse Biri i Tij është kryeprifti ynë i përhershëm, i cili na mbulon me velin e drejtësisë së Tij.

Shenjtëria e Perëndisë

“Do ta varësh velin në kapëset; dhe aty, në anën e brendshme të velit, do të futësh Arkën e Dëshmisë; veli do t’ju shërbejë si ndarës midis vendit të shenjtë dhe vendit shumë të shenjtë.”-Eksodi 26:33

 

Ka shumë gjëra për të cilat mund të flasim te Eksodi, kapitulli 26, dhe sipas të cilave mund të lutemi. Kur e lexojmë këtë kapitull, në të gjejmë udhëzime për tabernakullin, se si do të ishte dhe se si do të ndërtohej. Dhe nëse do ta lexonim vetëm në sipërfaqe, do të mendonim: “Çfarë do të thotë kjo? Pse është kaq e rëndësishme kjo? Dhe çfarë duhet të bëj unë me jetën time?”. Por më pas kuptojmë që çdo detaj këtu është specifik sepse çdo detaj këtu është i rëndësishëm. Perëndia Vetë është i përsosur në shenjtërinë e Tij dhe dallon për faktin që është pa mëkat. Pra, vargu 33 thotë se veli do të ndante vendin e shenjtë dhe vendin shumë të shenjtë. Ky ishte vendi ku lavdia e Perëndisë do të banonte mes popullit të Tij, por prapë do të kishte një ndarje nga Perëndia në shenjtërinë e Tij. Këtu na jepet një përshkrim i qartë që njeriu nuk mund të vijë në praninë e Perëndisë që është i shenjtë sepse burrat dhe gratë nuk janë të shenjtë. Pra, ka një ndarje këtu, një ndarje që ka ndikuar te secili nga ne.

 

Kjo tablo e ndarjes dhe e velit është e qartë në jetën e gjithsecilit. Të gjithë ne kemi mëkatuar kundër Perëndisë, nuk e arrijmë dot lavdinë e Zotit. Romakëve 3:23 thotë: “nuk e arrijnë dot lavdinë e Perëndisë”. Por te ungjijtë lexojmë për vdekjen e Jezusit në kryq, për atë që ndodhi në çastin që Ai vdiq. Perdja ose veli në tempull u nda në mes. Dhe kur Jezusit, Perëndia plotësisht njeri dhe plotësisht Perëndi, plotësisht i përsosur, plotësisht i shenjtë, kur Ai vdiq në kryq për të paguar çmimin e mëkateve tona, rruga për të hyrë në praninë e Perëndisë u bë e lirë, me qëllim që të njohim Shumë të Shenjtin, që të jemi me Të dhe të kemi bashkësi me Të, jo bazuar te merita jonë, apo veprat tona, apo mirësia jonë, por bazuar te sakrifica e Jezusit në kryq për ne, bazuar te dashuria e Tij, te hiri i Tij, te mëshira e Tij. Madje unë dhe ju mund të lutemi dhe të mos humbasim realitetin e lavdishëm të asaj se çfarë bëjmë kur jemi duke u lutur. Ne jemi në bashkësi me Perëndinë Shumë të Shenjtë.

 

Perëndi, edhe ndërsa e them këtë, lutem për njerëzit që si unë mahniten nga ky realitet që po përjetojmë tani. Nuk është ndonjë lloj rituali fetar ku themi disa fjalë. Perëndi, le të na mbërthejë ky realitet sa herë që jemi në bashkësi me Ty, me më të Shenjtin.

 

Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë emri Yt. Emri yt është i Shenjti. Ne të lavdërojmë, Perëndi. Ne të lavdërojmë që e quan Veten Ati ynë, madje miku ynë në të njëjtën kohë. Perëndi, Ati dhe Miku ynë, ne lutemi që të na ndihmosh të mos e marrim të mirëqenë praninë Tënde dhe që të mos e harrojmë mahnitjen e asaj se çfarë do të thotë të jesh në praninë Tënde, se çfarë do të thotë të kesh bashkësi me Ty, se çfarë do të thotë të flasësh me Ty, se çfarë do të thotë të dëgjosh prej Teje. Jezus, ne të lavdërojmë për bashkësinë me Perëndinë, Atin. Të falënderojmë që e ndave velin, që perdja u nda në mes dhe që ne mund të njohim Shumë të Shenjtin. Ne mund të jetojmë duke njohur, duke pasur një marrëdhënie dhe duke e dashur Perëndinë Shumë të Shenjtë. E gjithë lavdia është për emrin Tënd. Na ndihmo të përfitojmë plotësisht nga kjo dhe na ndihmo t’i drejtojmë të tjerët te ky realitet. Në emrin e Jezusit ne lutemi. Lutemi në emrin e Atij që vdiq me qëllim që ky vel të grisej. Në emrin e Tij ne lutemi, amen.

E tashmja

Shikoni, unë vë sot para jush bekimin dhe mallkimin; bekimin në rast se u bindeni urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tuaj, që sot ju përcaktoj; mallkimin, në rast se nuk u bindeni urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tuaj, dhe largoheni nga rruga që ju përcaktoj sot… Ligji i Përtërirë 11:26-28

Spenser Johson, ka doktoraturë në mjekësi,  ka studiuar në Kolegjin Royal të Kirurgëve, por ka korrur shumë më shumë sukses me anë të librave të tij të vegjël por të realizuar, siç janë, Menaxher për një minutë dhe Kush ma ka  lëvizur djathin? Ai ndihmon njerëzit që të mbajnë fokusin e duhur , diçka  që nuk është e thjeshtë në një botë të mbushur me shumë detyra dhe me më shumë përgjegjësi vit pas viti.

Në librin e tij të vogël, E tashmja, ai tregon për një histori të thjeshtë të një të moshuari dhe të një djali, që shoqërohen me njëri-tjetrin teksa djaloshi i afrohej moshës madhore. I moshuari flet për Të Tashmen- sikur të ishte dhuratë shumë e veçantë.  Por djaloshi nuk e kuptonte edhe aq mirë se çfarë ishte E tashmja. Pastaj, pas një periudhë kohe, ai zbuloi se E Tashmja, është një lloj dhurate. Të jetosh momentin e tanishëm do të thotë që të përfitosh tërësisht prej këtij momenti. Në fjalë të thjeshta, e tashmja është tani! E çfarë ka kaq mbresëlënëse këtu? Ti mund të thuash se kjo është diçka shumë e thjeshtë; por e vërteta është se pjesa më e madhe  e njerëzve nuk jetojnë në të tashmen. Ata bëjnë dy gabime të mëdha që i mbajnë larg suksesit. Gabimi i parë është se  jetojnë në të shkuarën, duke risjellë gjithçka në mendjen e tyre, duke menduar për gabimet që kanë bërë, mundësitë që kanë humbur, apo gjërat e mrekullueshme që bënin dikur.

Gabimi i dytë është se njerëzit e humbasin të tashmen duke qenë të fokusuar tek e ardhmja, e tek planet që kanë. Ata mendojnë gjithmonë për ditët e arta që do të vijnë. Për shembull një vajzë  mund të mendojë për kalorësin që do të vijë e do ta çlirojë nga angaria e punës si nëpunëse, në një zyrë të mbushur plot me tym duhani. Dikush tjetër mendon për gruan që do ta lerë pa frymë, për të cilën zemra do të kërcejë përpjetë nga gëzimi. Nesër. Harroje ditën e sotme, le të presim për ditën e madhe që do të na vijë.

A dëshiron që t’i evitosh këto dy gabime? Në këto momente që ngelen, ja si mund ta kapësh të sotshmen. Më së pari, merr një stilolaps dhe letër e shkruaj të gjitha gjërat më të rëndësishme me të cilat përballesh sot. Mos u shqetëso për javën tjetër, apo për muajin tjetër. Fokusohu vetëm në 24 orët që shtrihen përpara teje.

Tani vendos se cilat janë interesat dhe qëllimet e tua. Bëj një listë sipas prioritetit se çfarë është e rëndësishme sot. Nuk do të mund të bësh gjithçka. Nuk je Superhero. Ti nuk ecën mbi ujë dhe mund t’i bësh gjërat me radhë, ndaj të duhet të vendosësh. Mbaj mend, se në një rrugë të ngushtë, nuk mund të ecin njëkohësisht dy makina, njëra duhet të kalojë përpara. Rrugët janë shumë të ngushta, e po kështu është edhe koha që shtrëngon jetët tona.

Më në fund janë tre fjalë: Fokus, fokus, fokus. Përse e thënë tri herë? Sepse mund të shpërqendrohesh lehtësisht, të të ndërpresin, të mërzitesh, apo të harrosh. Fokusi të ndihmon të eliminosh sa më shumë shpërqendrime dhe ndërprerje që të jetë e mundur.

A të duket se të bësh shumë gjëra  njëkohësisht është  fantastike? Jo, është një e keqe që të mban larg gjërave që janë më të rëndësishme për ty. Është një shpërqendrim që të ndalon të kesh sukses në të tashmen dhe të shijosh atë çfarë po kalon tani.

Një mendim i fundit: Sot është e vetmja ditë që është e jotja! Dje ishte e kaluar, e nesërmja ende nuk ka ardhur. Sot është dita që është e mbushur me Perëndinë, me dashurinë e Tij për ty, me qëllimin e Tij për ty dhe me ndihmën e Tij.  Po, ka falje për ato gjëra që kanë ndodhur në të shkuarën nëse ti kërkon ndjesë. E ka shpresë për të nesërmen, por e vetmja ndarje me përjetësinë është koha midis lindjes së diellit të një dite, deri në lindjen e diellit të ditës tjetër. E sotshmja është e jotja. Kape atë!

Të jetosh në armiqësi me Zotin!

Gjatë gjithë Biblës, nga Zanafilla te Zbulesa, Babilonia është një simbol për atë se çfarë do të thotë të jetosh në armiqësi me Perëndinë. Ky reputacion i dyshimtë lindi kur banorët e Babilonisë thanë:  “O burra, të ndërtojmë për vete një qytet dhe një kullë maja e së cilës të arrijë deri në qiell”. (Zanafilla 11:4).

Me anë të kësaj deklarate, filloi një kundërshtim i mirëorganizuar njerëzor ndaj Perëndisë. Nënkuptimi i metaforës së babilonasve, “arrijë deri në qiell”, nënkupton se maja e kullës së tyre do t’i kushtohej adhurimit të trupave qiellorë. Në Babiloni lindi astrologjia, besimi se yjet dhe planetët ndikojnë në punët dhe ngjarjet njerëzore në Tokë, dhe u përhap  në të gjithë botën.

Pas katërqind vitesh skllavëri në Egjipt, edhe hebrenjtë kishin filluar të praktikonin astrologjinë. Kur Zoti i nxori nga Egjipti, Ai i paralajmëroi që të mos adhuronin yjet (shih Ligji i Përtërirë 18:9-13). Në realitet, ata që shohin te yjet për çelësin e fatit të tyre, po adhurojnë Djallin dhe forcat e tij demonike.

Vini re metodat që djalli përdor. Pasi u flak nga parajsa, Satani i mashtroi Adamin dhe Evën që të dyshonin në Zotin dhe arriti t’i dëbonte nga Kopshti i Edenit. Pastaj Satani e mashtroi Kainin që të adhuronte në mënyrën e tij dhe jo në mënyrën e Zotit, gjë që çoi në vrasjen e Abelit dhe përfundimisht në shkatërrimin masiv të jetës nga përmbytja. Pastaj Satani i mashtroi pasardhësit e Hamit që të adhuronin zodiakun—në fakt adhurimin e demonëve—duke shkaktuar kështu shkatërrimin e tyre.

Satani gjithmonë mbjell mashtrim dhe konfuzion. Ai i bind njerëzit të marrin diçka të dhënë dhe ta kthejnë atë në një idhull. Kur njerëzit nuk adhurojnë Zotin, ata përqafojnë perëndi të rreme, me qëllim ose jo.

Lutje: Zot, ti na ke paralajmëruar të mos adhurojmë perëndi të rreme. Më ndihmo të shmang tundimin për të kërkuar dhe këshilla nga praktikat mashtruese të botës. Në vend të kësaj, ktheje zemrën time drejt së Vërtetës së Fjalës Tënde. Në emër të Jezusit lutem. Amen.

” sepse duke ngritur sytë në qiell dhe duke parë diellin, hënën, yjet, të tëra, domethënë tërë ushtrinë qiellore, ti të mos nxitesh të biesh përmbys përpara këtyre gjërave dhe t`u shërbesh, gjërave që Zoti, Perëndia yt, u ka dhënë tërë popujve që ndodhen nën të gjithë qiejtë”. (Ligji i Përtërirë 4:19).

Dashuri supreme

Gjithçka bëjmë për Zotin nëse nuk e bëjmë  me dashuri nuk kanë vlerë për asgjë.

1 Korintasve 13:1-7

Shkrimi i sotëm njihet zakonisht si kapitulli i dashurisë. Është interesante që Pali nuk e përshkroi përkufizimin e dashurisë, por përkundrazi përshkroi rëndësinë dhe shprehjen e saj.

Kjo lloj dashurie nuk është me origjinë njerëzore; ajo vjen nga Ati ynë qiellor dhe është pjesë e vetë natyrës së Tij (1 Gjonit 4:16). Ajo që përshkruan apostulli është një dashuri altruiste, sakrifikuese që vepron në emër të dikujt tjetër. Dëshira e Perëndisë është që të transformojë të gjithë besimtarët në imazhin e Jezusit (Romakëve 8:29). Dhe ne jemi më shumë si Krishti kur shfaqim një kujdes të tillë vetëmohues për njëri-tjetrin.

Tre vargjet e para të 1 Korintasve 13 janë paralajmëruese. Pa motivimin e dashurisë, të gjitha veprat tona të mira – duke përfshirë shërbesën ndaj Zotit – nuk do të na sjellin asgjë. Në sytë e Perëndisë, një frymë e dashur është më e rëndësishme se fjalët mbresëlënëse, njohuria, besimi, bujaria dhe vetëmohimi. Kur qëndrojmë përpara Krishtit për t’u gjykuar për veprat tona të mira, çdo vepër e bërë për arsye egoiste nuk do të konsiderohet e denjë për shpërblim.

Ne të gjithë jemi të verbër në një farë mase për sa i përket motiveve tona, kështu që të dallosh pse i shërbejmë Perëndisë ose bëjmë vepra të mira mund të jetë e vështirë. Lutuni që të njihni qëllimet e fshehura të zemrës suaj dhe kërkoni nga Zoti që të zëvendësojë çdo motiv egoist me mënyrën e Tij më të shkëlqyer të dashurisë.

 Page 2 of 22 « 1  2  3  4  5 » ...  Last »