Lajmi Fundit
prev next

Perëndia Të Dëgjon Kur Lutesh

Largohuni nga unë, ju të gjithë që bëni paudhësi, sepse Zoti ka dëgjuar zërin e vajit tim. Zoti ka dëgjuar përgjëratën time; Zoti e ka pranuar lutjen time. (PSALMI 6:8–9)

Kur lutemi, Perëndia na dëgjon dhe përgjigjet. Është e rëndësishme të jemi të sigurt për këtë ashtu si Davidi kur shkroi vargjet për sot. Mund të jetosh i sigurt për aq kohë sa e di se Perëndia është me ty dhe se do të të ndihmojë të fitosh betejat e jetës. Nuk je vetëm, Perëndia është me ty!

Leximi i Psalmeve është një mënyrë e mirë se si mund të dëgjosh prej Perëndisë. Ai na flet përmes Fjalës së Tij dhe Psalmet janë veçanërisht inkurajuese në kohë shqetësimesh. Teksa i lexon, konsideroji personale. Mos medito mbi to sikur të jenë për tjetër kënd, ato janë një letër personale nga Perëndia për ty. Ai dëshiron të dish se ka plane të mira për ty dhe pavarësisht se kush mund të të sulmojë, Ai është me ty. Perëndia e çliroi Davidin nga armiqtë e tij dhe Ai do të bëjë të njëjtën gjë për ty nëse qëndron i sigurt në Të.

Qëndro në paqe dhe vazhdo të falënderosh Perëndinë që Ai po punon në jetën tënde. Të siguroj se Perëndia nuk të ka harruar. Ai nuk do ta vonojë përgjigjen e lutjes tënde. Ai mund të mos jetë herët, por nuk ka për të qenë kurrë vonë! Mbaje vizionin tënd në mendje dhe mos u dorëzo.

FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Perëndia do të të vijë në ndihmë; Ai do të të mbështesë, ri-pajisë dhe do të të forcojë.

Lutu, Pastaj Planifiko

Ka shumë plane në zemrën e njeriut, por vetëm plani i Zotit do të mbetet i pandryshuar. (FJALËT E URTA 19:21)

Fjala e Perëndisë na tregon qartë se duhet të kërkojmë zërin e Tij dhe t’i bëjmë veshët tanë pjesë të besëlidhjes me Të, duke e lejuar të shenjtërojë dhe rrethpresë veshët tanë në mënyrë që ta dëgjojmë. Shumë herë Perëndia na e thotë qartë se çfarë të bëjmë, por ne nuk veprojmë ashtu sepse nuk na pëlqen plani i Tij. Madje veprojmë sikur jemi të shurdhët shpirtërisht kur nuk na pëlqen ajo që dëgjojmë qartë prej Tij. Orekset dhe dëshirat tona mishore mund të na pengojnë të pranojmë të vërtetën e Perëndisë.

Ne mund ta ndeshim përballë të vërtetën dhe sërish të mos e pranojmë. Shpesh e vërteta është më e lehtë të pranohet kur shqetëson të tjerë dhe jetën e tyre se sa kur më shqetëson mua dhe jetën time. Ne lemi një plan se si duam që të jetë jeta jonë, dhe kemi një mënyrë se si duam ta vendosim në zbatim këtë plan. Shumicën e kohës duam që Perëndia të dëgjojë planin tonë dhe ta bëjë të funksionojë, në vend se të dëgjojmë planin e Tij dhe t’i kërkojmë të bëjë atë që duhet të bëjë, që ta përmbushë planin përmes nesh. Ne gjithmonë duhet që fillimisht të lutemi dhe pastaj të bëjmë plane, në vend se të bëjmë plane dhe të lutemi që Perëndia t’i bëjë të funksionojnë. Kërko planin e Perëndisë, ndiqe dhe gjithmonë do të kesh sukses.

FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Rrok planin e Perëndisë dhe mos ndiq planet e tua.

Qëndro Në Boshllëk (Dili për zot)

Unë kërkova midis tyre një burrë që të ndërtonte një mur dhe t’i dilte për zot vendit, që unë të mos e shkatërroja, por nuk e gjeta. (EZEKIELI 22:30)

Boshllëku është një hapësirë midis dy gjërave; ai nuk lejon që dy objekte, dy hapësira, dy subjekte ose dy njerëz të bashkohen me njëri – tjetrin. Kur predikoj në shtete të huaja, ka një boshllëk mes meje dhe audiencës. Mund të jetë një boshllëk fizik nëse qëndroj në një platformë; mund të ekzistojë një boshllëk kulturor, por mua më shqetëson më shumë boshllëku gjuhësor. Nëse dua që njerëzit të më kuptojnë, më nevojitet një përkthyes, dikë që të qëndrojë në boshllëkun gjuhësor për mua, në mënyrë që ta përcjell mesazhin me efektivitet. Përkthyesi duhet të punojë për mua që hapësira të eliminohet dhe njerëzit të kuptojnë atë që po them.

Ezekieli 22:29-31 flet për qëndrimin në boshllëk (t’i dalësh për zot). Vargu i sotëm gjendet në këtë pasazh dhe është një nga deklaratat më të trishta në Bibël. Në të, Perëndia, në thelb, po thoshte, “Kisha nevojë për dikë që të lutej dhe nuk gjeta askënd për këtë, ndaj mu desh ta shkatërroja vendin.” Gjithçka për të cilën kishte nevojë ishte një person që të lutej dhe gjithë toka mund të ishte kursyer. A e sheh se sa e rëndësishme është ndërhyrja? Vetëm një person mund të sillte ndryshim në të gjithë vendin dhe ta shpëtonte përmes lutjes! Ne duhet të jemi të gatshëm për t’u lutur; ne duhet të jemi të ndjeshëm në rastet kur Fryma e Shenjtë na udhëzon të ndërhyjmë dhe duhet t’i bindemi. Ne nuk e dimë kurrë se kur lutja jonë mund të jetë ajo që nevojitet për të mbushur boshllëkun (për t’i dalë për zot vendit) dhe si rezultat të sjellë fuqinë e Perëndisë në një situatë të pashpresë.

FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Thuaji Perëndisë se je gati të lutesh për të tjerët dhe vepro kështu kur Ai të të vendosë në zemër njerëz të ndryshëm.

Mbaji Dëshirat E Tua Nën Kontroll

O Zot, çdo dëshirë që kam është para teje dhe psherëtimat e mia nuk të janë fshehur. (PSALMI 38:9)

Perëndia thotë në Fjalën e Tij se nëse kënaqemi me Të, Ai do të na japë dëshirat dhe kërkesat e fshehta të zemrave tona (shih Psalmin 37:4). Më pëlqen ai plan sepse sigurisht kalova shumë vite e frustruar duke u përpjekur të merrja gjërat që doja për veten time. Në procesin e kërkimit të gjërave, ne shpesh dështojmë të ndjekim Perëndinë dhe të kënaqemi duke e njohur Atë. Shumë vite më parë, e lashë këtë të ndodhte për shkak të dëshirës sime të fortë për të qenë në shërbesë. Mendova se gjëja më e rëndësishme në botë ishte shërbimi për Perëndinë, por duhej të mësoja se nuk ishte aq e rëndësishme sa vetë Perëndia.

A po i mbani në ekuilibër dëshirat tuaja dhe po kënaqeni me Zotin mbi gjithçka tjetër? Nëse jo, mund të bëni lehtësisht një rregullim duke i kujtuar vetes atë që është vërtet e rëndësishme. Vendosini të gjitha dëshirat tuaja përpara Perëndisë, siç na udhëzon Shkrimi ynë sot për të bërë, duke i besuar Atij që të heqë çdo që nuk është vullneti i Tij i përsosur për ju.

Jo çdo dëshirë është nga Perëndia dhe prandaj jo çdo dëshirë që ne kemi do të plotësohet, por ne mund t’i besojmë Perëndisë që të përmbushë ato që do të funksionojnë për të mirën tonë. Perëndia dëshiron që ju të dini se nëse pyesni për diçka dhe nuk e arrini atë, mund të jetë që Ai ka në mendje diçka tjetër më të mirë për ju. Ndaj, qetësohuni, dhe kënaquni me Zotin, dhe lejojeni Atë të kujdeset për pjesën tjetër.

FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Planet e Perëndisë për ty janë më të mira se sa planet e tua për veten.

Mos E Harro Premtimin E Perëndisë

Dhe kështu Abrahami, duke pritur me durim, e arriti premtimin. (HEBRENJVE 6:15)

Perëndia i premtoi Abrahamit trashëgimtar, por atij iu desh të priste shumë më shumë nga sa mund të imagjinonte. Vargu për sot thotë se Abrahami “priti me durim.” Gjatë kësaj kohe, jam e sigurt se iu desh t’i kujtonte vetes herë pas here premtimin fillestar të Perëndisë. Periudhat e gjata të pritjes mund të na bëjnë të dyshojmë nëse vërtet kemi dëgjuar prej Perëndisë. Ndoshta po pret diçka dhe ke nevojë që t’i kujtosh vetes se çfarë të ka vendosur në zemër Perëndia në krye të herës.

Dyshimi dhe mosbesimi e sulmuan Abrahamin dhe kur kjo ndodhi, ai falënderoi dhe lavdëroi. Kur Satani sulmon, nuk duhet të qëndrojmë pasivë, pa vepruar. Duhet ta luftojmë atë dhe gënjeshtrat e tij duke i kujtuar Fjalën e Perëndisë dhe premtimet që na ka bërë Ai. Thuaji me zë të lartë, medito për to dhe shkruaji. Kur Habakuku po priste Perëndinë, Perëndia e udhëzoi t’i shkruante vizionet qartë mbi rrasa, që çdokush që do të kalonte aty, të mund t’i lexonte (shiko Habakuku 2:2). Ndoshta në Dhiatën e Vjetër, ky ishte një version afishimi!

Lufto luftën e mirë të besimit, rrok jetën e përjetshme. Pavarësisht se si mund të ndihesh tani, mos u dorëzo sepse Perëndia është besnik, dhe ashtu si e përmbushi në kohën e caktuar premtimin që i bëri Abrahamit, Ai po ashtu do ta mbajë fjalën që të ka dhënë ty.

FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Kur flet me miqtë, mos fol me tepri për mënyrën se si ndihesh; tregoju atë që thotë Fjala e Perëndisë.

Kudo Që Ai Të Drejton

Por mbasi hëngrën mëngjesin, Jezusi i tha Simon Pjetrit: «Simon i Jonas, a më do ti mua më shumë se këta [të tjerët e bëjnë me arsyetim, me qëllim, me përkushtim shpirtëror, ashtu siç e do Atin]?». Iu përgjigj: «Po, Zot, ti e di se unë të dua». I tha përsëri: «Kulloti qengjat e mi!». (GJONI 21:15)

Në vargun e sotëm ne shohim që Jezusi pyet Pjetrin, “A më do ti mua?” Në fakt, Jezusi ia bën këtë pyetje Pjetrit edhe dy herë të tjera. Herën e tretë, Pjetrit trishtohet që Jezusi vazhdon t’i bëjë të njëjtën pyetje. Ai thotë, “ Po, Zot, Ti e di që unë të dua.”

Më pas, tek Gjoni 21:18, ne zbulojmë arsyen pse Jezusi po e pyeste Pjetrin nëse ai e donte Atë: “Në të vërtetë, në të vërtetë të them: Kur ti ishe më i ri, ngjishje veten tënde dhe ecje ku të doje; por kur të jesh plak, do t’i shtrish duart dhe dikush tjetër do të të ngjeshë e do të të çojë atje ku ti nuk do të doje.”

Perëndia më ka sfiduar mua me këtë varg sepse unë kisha planet e mia dhe ecja në rrugët e mia. Nëse ne vërtetë duam planin e përsosur të Perëndisë, Ai mund të na kërkojë neve të bëjmë gjëra të cilat nuk dëshirojmë t’i bëjmë. Nëse ne vërtetë e duam atë, ne do të bëjmë çfarë Ai na thotë të bëjmë dhe do ta lejojmë të Atë të veprojë në mënyrën e Tij në jetën tonë.

Kur Jezusi foli fjalët tek Gjoni 21:18, unë besoj se Ai po na tregonte ne që kur ishim të krishterë të rinj, dhe më pak të pjekur se sa jemi tani, ne shkonim ku të donim. Si të krishterë foshnje, ne bënim çfarë dëshironim. Por ndërsa piqemi, ne i shtrijmë duart tona dhe dorëzojmë veten tek Perëndia. Ne jemi të gatshëm ta ndjekim Atë në vende ku nuk do të dëshironim të shkonim.
Le të jemi të shpejtë ta ndjekim Atë, kudo që Ai na drejton.

FJALA E PERËNDISË PËR SOT: A do t’i thuash një “po” të përjetshme Perëndisë sot, edhe pse nuk e di ku Ai do të drejtojë sot?

Legalizmi ka mbaruar

Por kur Jezusi mori uthullën, tha: «U krye!». Dhe duke ulur kryet, dha frymën. (GJONI 19:30)

Kur Jezusi foli nga kryqi, tha, “U krye!” Ai po thoshte se sistemi i legalizimit përfundoi, dhe tani jo vetëm priftërinjtë e lartë fetarë mund të hynin në praninë e Perëndisë, por që të gjithë njerëzit mund të gëzojnë praninë e Tij, të flasin me Të, dhe të dëgjojnë zërin e Tij.

Përpara se Jezusi të vdiste në vendin tonë, e vetmja mënyrë për të marrë premtimet e Perëndisë ishte të jetonim një jetë të përsosur, të pamëkat ( të ishim shumë legalistë), ose të ofronim flijime gjaku për mëkatin, flijimin e kafshëve. Kur Jezusi vdiq dhe pagoi për mëkatet tona, mëkatet e njerëzimit me vetë gjakun e Tij, Ai hapi një rrugë të re për çdo person që të shijojë praninë e Perëndisë. Kur Jezusi tha, “U krye,” Ai na ftoi në një jetë lirie dhe jo frike. Një jetë në të cilën ne mund të udhëhiqemi nga Fryma e Shenjtë dhe jo nga rregullat. Njerëzit e zakonshëm që nuk bëjnë çdo gjë siç duhet gjatë të gjithë kohës mund të hyjnë tani lirisht në prezencën e Perëndisë.

Liria nga legalizmi nuk është një thirrje për më pak ligje ose dembelizëm. Ajo është një përgjegjësi për secilin prej nesh që të mësojmë Fjalën e Perëndisë dhe të dëgjojmë nga Perëndia për veten tonë, gjë që Perëndia e ka dëshiruar gjithmonë që nga fillimi i kohërave.

FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Perëndia të do ty dhe dëshiron që të shijosh jetën tënde.

Besim, Jo Ndjenja

Sepse ecim me anë të besimit [ne e rregullojmë jetën tonë dhe sjelljen tonë sipas bindjes ose besimit tonë në lidhje me marrëdhënien e njeriut me Perëndinë dhe me gjërat hyjnore, me besim e pasion të shenjtë; kështu ecim ne] dhe jo me të parë. (2 KORINTASVE 5:7)

Bibla na mëson të jetojmë me anë të besimit dhe jo me anë të shikimit dhe ndjenjave. Megjithatë, ka kohë kur Perëndia përdor rrethanat tona për të na folur neve. Për shembull, kur Deiv dhe unë po kuptonim se Perëndia po na fliste për të shkuar në televizion, të dy ne nuk dinim se si prodhohej një program dhe nuk mund ta bënim këtë pa pasur para. Ne nuk kishim asnjë mundësi që të siguronim para me mënyrat tona, ndaj duhej që Perëndia të siguronte. Ne i shkruam miqve dhe partnerëve tanë dhe nuk morëm asnjë kacidhe, ndaj nuk mund të bënim asnjë hap tjetër. Pavarësisht se sa besim kishim për të shkuar në televizion, ne duhet të kishim paratë gjithashtu. Ne besonim që Perëndia i kishte folur zemrave tona, por ne kishim nevojë që Ai të na fliste përmes situatës tonë. Ne duhet të dimë ndryshimin midis besimit, budallallëkut dhe supozimit. Do të ishte marrëzi për ne nëse do të hynim në borxhe për të dalë në televizion.

Supozojmë se një grua lutet dhe ndjen se duhet të shkojë të punojë për të ndihmuar familjen me shpenzimet. Ajo vendos të gjejë një punë, por ajo ka dy fëmijë të vegjël. Nëse ajo nuk mund të gjejë një dado të besueshme, ajo nuk mund të shkojë në punë. Kjo është një rrethanë për të cilën Perëndia duhet të kujdeset në mënyrë që ajo të ecë përpara. Nëse Zoti nuk e siguron kujdestaren e fëmijëve, atëherë asaj do t’i duhet të vërë në dyshim mendimet e saj për të shkuar në punë. Ndoshta Zoti po i tregon asaj se të qëndrosh në shtëpi me familjen në këtë moment të jetës është më mirë sesa të punosh.

Ne ecim me besim, por gjithashtu duhet t’i kërkojmë Perëndisë të na japë mençuri për të ditur kur t’i shpërfillim plotësisht rrethanat dhe kur t’u kushtojmë vëmendje rrethanave, sepse Ai po i përdor ato për të na folur dhe për të na udhëhequr.

Një Zemër e Bindur

Sot Zoti, Perëndia yt, të urdhëron të zbatosh këto statute dhe dekrete; ki kujdes që t’i zbatosh me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt. (LIGJI I PËRTËRIRË 26:16)

Një nga mënyrat më të mira për të siguruar një miqësi të thelluar me Perëndinë është të kesh një zemër që dëshiron t’i bindet Atij. Kur zemrat tona janë të pastra, të buta ndaj drejtimit të Tij dhe të etura për t’u përgjigjur me bindje, ne jemi në një pozicion të mrekullueshëm për të përjetuar miqësinë e Perëndisë dhe për të dëgjuar zërin e Tij. Zoti e di se ne nuk do të arrijmë në një vend përsosmërie ndërsa jemi në këtë tokë, por ne mund dhe duhet të kemi zemra të përsosura ndaj Tij, zemra që kërkojnë dhe dëshirojnë të bëjnë atë që është e drejtë për të kënaqur dhe për të lavdëruar Zotin.

Ndërsa rriteni në miqësinë tuaj me Perëndinë, mos harroni kurrë që marrëdhënia juaj duhet të bazohet në atë që Ai është dhe jo në çfarë Ai mund të bëjë për ty. Vazhdoni të kërkoni prezencën e Tij, jo dhuratat e Tij; vazhdoi të kërkoni fytyrën e tij dhe jo dorën e Tij, sepse një nga pengesat për të patur një miqësi të gjallë dhe të maturuar me Perëndinë është të lejosh veten të përqendrohet tek përfitimet e kësaj miqësie dhe jo tek fokusimi që Perëndia është miku ynë. Si qenie njerëzore, ne nuk na pëlqen të zbulojmë se disa njerëz duan të jenë miqtë tanë, sepse ne kemi aftësinë për t’u dhënë atyre diçka që ata duan; ne ndihemi të vlerësuar kur e dimë se njerëzit kanë një qëndrim zemre të drejtë ndaj nesh dhe se duan të jenë miq me ne thjesht për shkak të asaj që jemi dhe vetëm sepse na pëlqejnë. I njëjti parim vlen edhe për Perëndinë.

Shiko tek Jezusi

Duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtë të fronit të Perëndisë (HEBRENJVE 12:2)

Shumë gjëra që duam dhe duhet të dimë për vullnetin e Perëndisë janë të qarta për ne në faqet e Fjalës së Tij. Megjithatë, ka disa pyetje specifike që mund të kemi për të cilat nuk kemi marrë përgjigje në Shkrim. Nëse jam duke u lutur për diçka që nuk është e trajtuar qartë në Fjalën e Zotit, nëse jam përballur me një vendim për të cilin nuk mund të gjej kapitull apo varg për të më udhëhequr, atëherë lutem në këtë mënyrë:

“Perëndi, unë e dëshiroj këtë, por unë dëshiroj vullnetin tënd shumë më tepër se sa timin. Ndaj, nëse kërkesa ime nuk është në kohën tënde, ose nëse ajo që po kërkoj, nuk është ajo që ti dëshiron për mua, atëherë të lutem mos ma jep. Amen.”

Ne mund të tërhiqemi emocionalisht ndaj diçkaje që duket sikur është nga Perëndia, por pasi e fillojmë atë, ne mund të kuptojmë që është vetëm një ide e mirë, e cila nuk ka asnjë shpresë për të qenë e suksesshme pa ndihmën e Perëndisë. Por Perëndia nuk është i detyruar të përfundojë diçka që Ai nuk e ka filluar. Ne mund të lutemi për projektet që ne fillojmë, por nuk ka asnjë lidhje të zemërohemi me Perëndinë nëse Ai nuk i përfundon ato për ne. Ai nuk është i detyruar të përfundojë diçka, për të cilën nuk është autori. Bëj kujdes kur nis diçka thjesht sepse duket ide e mirë. Gjërat e mira janë shpesh armiku i më të mirës që Perëndia ka për ne. Kur të vjen një ide, merr kohë ta kontrollosh me Perëndinë përpara se të veprosh.

FJALA E PERËNDISË PËR SOT: Sigurohu që idetë e tua të mira të jenë idetë e Perëndisë!

 Page 1 of 5  1  2  3  4  5 »